Në fokus

August 15, 2016 | 11:08

Të gjykosh njëlloj si të gjykosh veten

Nëse i gjykoni keq gabimet morale të dikujt, ai person nuk do të ndihet më në turp dhe dëshpërim, pasi nuk do t’i bëjë më asnjë përshtypje. Do të sillet njësoj si një shurdh, kështu që nuk do të bëjë asnjë përçapje për t’u përmirësuar. Ja përse nuk duhet kurrë të gjykoni të tjerët. Nuk duhet t’i dëmtoni ata me gjykimet tuaja.

 

Mos gjyko të tjerët! Gjyko veten!

Nëse ju pëlqen të flisni me zë të lartë për fajet e dikujt tjetër, atëherë do bëni mirë të flisni hapur edhe për fajet e sekretet tuaja dhe më pas përpiquni të kuptoni nëse ju pëlqen kjo gjë, qoftë edhe për një minutë të vetme. Nëse nuk duroni dot që gabimet tuaja të jenë në sytë, veshët dhe gojët e të tjerëve, atëherë edhe ju duhet të ndalni së foluri keq për ta. Kur flitni keq për një njeri tjetër, me shumë gjasa gjigandizoni edhe fajet tuaja.

Njerëzit janë të gatshëm ta kryqëzojnë viktimën e thashethemeve tuaja, pa i njohur rrethanat pse është kaq i dobët moralisht ky person. Natyrisht, në raste shumë të rralla, frika nga kritikat, mund t’i shtyjë njerëzit të sillen në mënyrën e duhur, por të përflasësh defektet e dikujt tjetër shërben veçse që ata të humbasin dëshirën për t’u sjellë në mënyrë korrekte dhe ashtu si duhet. Veç kësaj, nëse flitni keq për dikë, dobësitë e tij të vogla hap pas hapi do të gjigandizohen, ndërsa gabimet e dikujt që mund të jenë edhe më të mëdha, do të kalojnë pa u vënë re. Nëse në mendjen tuaj ka shumë papastërti, përvishni mëngët dhe filloni të pastroheni nga mendimet negative. Mos e kaloni kohën duke përfolur të tjerët. Zakonisht ata që marrin përsipër detyrën e vështirë të gjykatësit, harrojnë të vëzhgojnë dobësitë e veta dhe mendojnë se kanë të drejtë, sepse mendja e tyre arrin të perceptojë vetëm gabimet e të tjerëve. Mos u fshihni pas këtij tymi të gënjeshtërt mendor. Derisa të çliroheni nga fajet tuaja, nuk keni asnjë të drejtë t’u thoni të tjerëve se si të jenë më të mirë se ju. Vetëm një njeri i sjellshëm, i mençur, i ekuilibruar dhe i pagabueshëm është ai që duhet t’i gjykojë të tjerët. Por, në kohët që po jetojmë është shumë e rrallë të hasësh një njeri që nuk ka gabuar qoftë edhe një herë të vetme në jetë. Ndaj, nuk është veprim i mençur t’i përplasësh dikujt dobësitë, pasi do të provokoni siklet, turp, inat tek ai dhe kjo nuk i vlen askujt, aq më tepër ju. Ndaj, mos gjykoni askënd! Mos bëni asnjë veprim që ju nuk do t’ju pëlqente që t’jua bënin. Dhe, mbi të gjitha, merruni me veten, me punët dhe interesat që keni dhe jo me ato të të tjerëve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top