Posta

August 16, 2016 | 8:01

Si të gjej paqe me trupin tim?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Kam dhjetë muaj që kam lindur tim bir. Ajo që më shqetëson është fakti që e konsideroj veten të shëmtuar, të shëndoshë nga kilet që nuk po i zbres dot. Para se të lindja djalin, kam pasur një peshë ideale. Kujdesesha të ushqehesha në mënyrën e duhur, gjë që e bëj edhe tani, por më vret ndërgjegjja të mos ha, pasi shpesh më këshillojnë të ushqehem sepse kam edhe beben në gji. Im shoq më thotë se jam po aq e bukur, bashkë me hiret e një nëne të re, por asgjë nuk ma ‘mbush mendjen’. Më është kthyer në fiksim pesha ime, aq sa nuk dal dot nga shtëpia.

Përgjigjie: E kuptoj shumë mirë situatën. Trupi juaj ka pësuar një sërë ndryshimesh, që në momentin e ngjizjes dhe deri tani, e më tej. Ndryshimet nuk janë vetëm fizike, por edhe psiko-emocionale. Zhvillimi i një fëmije brenda trupit tuaj, i ka dhënë këtij të fundit mesazhe të tjera nga ajo që ju kishit përpara se të ngeleshit shtatzënë. Kjo do të thotë se një qenie po rritej brenda jush, e si pasojë kërkonte të përgatitet maksimalisht shtëpiza në të cilën po rritej. Është një proces unikal, i cili sigurisht që sjell ndryshime të peshës. Ky është një nga ndryshimet më të dukshme, sepse të tjerat ndodhin brenda nesh. I dukshëm e shpesh traumatik për ato gra, të cilat peshën e trupit të tyre, sikurse thoni edhe ju, e kanë pasur në një gjendje të mirë, ideale. Nuk është e lehtë të pranosh një tjetër imazh të vetes, por fatmirësisht, me rritjen e qenies brenda jush, nëna i gëzohet këtij realiteti duke e zhvendosur vëmendjen nga ndryshimi fizik. Kur nëna lind e tashmë fëmija është jashtë saj, fokusi shkon te vetja, trupi dhe ndryshimi i tij. Sa shumë do të donim të ishte si më parë, por kur ju keni pranuar të keni një fëmijë, me këtë dhuratë do të pranoni paqësisht edhe ndryshimet që ju kanë ndodhur. Ju nuk do të jeni më si më parë, por ka shumë mundësi të jeni akoma më e bukur. Kurajë, trupi juaj mund të vijë në gjendjen fillestare, por kërkon kohë, sikurse kërkon kohë edhe të ndryshojë. Jepini mundësi trupit tuaj të rimëkëmbet gradualisht dhe mbi të gjitha bëni paqe me të, se një ditë do jeni si më parë, e deri atëherë, mos harroni të konsumoni ushqimin e nevojshëm për veten tuaj dhe për fëmijën. Me këtë dua të them se ju nuk keni nevojë të konsumoni më shumë ushqim sesa duhet. Duke rregulluar menunë e ditës, ju mund të siguroni që kaloritë proteinike të mos mungojnë, por kjo nuk do të thotë se duhet të hani më shumë se një person. Për shembull sigurohuni që të hani rregullisht dhe me përmbajtje të shëndetshme, sikurse keni ngrënë edhe më parë përpara se të mbeteshit shtatzënë. Sigurisht, do të ishte e udhës që të konsumoni më shumë lëngje të cilat nuk ju penalizojnë në peshën tuaj. Pra, mjaft me stresin se jeni në gji e do të duhet të konsumoni ushqim në sasi të madhe, thjesht konsumoni në cilësi dhe jo në sasi. Ditët blu post-partum janë të zakonshme dhe pesha është një element i kësaj gjendjeje. Do kalojë në kohë, sikundër edhe pesha juaj. Gëzojuni fëmijës çdo ditë, aty do të gjeni më shumë paqe.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top