Heshtja është mungesa e tingullit të dëgjueshëm, ndalimi i prodhimit të tingujve, ndërprerja ose mungesa e çdo forme të komunikimit, qoftë përmes fjalës apo ndonjë mjeti tjetër. Gjithashtu heshtja përdoret dhe si një shenjë e pakënaqësisë, mosmarrëveshjes, sikletit, dëshirës për të menduar, konfuzionit dhe të tjera.
Përgatiti Blerina Hima Mërtiri,
mësuese CU, shkolla “Andon Xoxa” Fier
Çdo gjë dhe sidomos emocionet e thella, përpunohen dhe pasohen nga heshtja. Jetojmë në një botë, ku mbytemi me tinguj gjatë gjithë ditës, të këndshëm ose jo, por më pak përjetojmë heshtjen.
Është zbuluar se heshtja stimulon rritjen e trurit. Në një studim të vitit 2013 mbi strukturën dhe funksionet e trurit u konstatua se një minimum prej 2 orë heshtje, mund të rezultojë në krijimin e qelizave të reja në zonat të trurit tonë, të lidhura me të mësuarit dhe kujtesën. Një studim i publikuar në revistën “Heart” në vitin 2006, arriti në përfundimin se heshtja mund të lehtësojë tensionin brenda 2 minutash.
Periudhat e heshtjes gjatë ditës, përmirësojnë gjumin dhe zvogëlojnë pagjumësinë. Ne të gjithë dëgjojmë këshilla në lidhje me shkëputjen e vëmendjes nga gjithçka para se të flemë, por pak prej nesh e zbatojmë realisht këtë.
Një studim tjetër përfshiu 100 persona, të cilët i dhanë vetes të paktën 2 orë qetësi në ditë, raportuan një rritje të ndërgjegjësimit, pasjen e më shumë kohe për reflektim personal dhe përqendrimi më pas ishte më i mirë. Kjo duket shumë e qartë, por sa prej nesh përpiqen të përfundojnë një punë të rrethuar nga zhurma apo kolegët aty pranë, dhe sa të rinj këmbëngulin të dëgjojnë muzikë, ndërsa janë duke studiuar?
Sfida është të heshtësh mendjen.
Se si arrihet kjo është në dorën tuaj. Studiuesit thonë se të paktën qoftë edhe një meditim 10-minutësh, në një heshtje totale dhe me frymëmarrje të thellë, ul stresin dhe tensionin dhe i mundëson njerëzve të përqendrohen më mirë tek detyra që kanë nëpër duar.
Pra, heshtja është padyshim flori, dhe e mirë për shëndetin tonë, prandaj ju duhet të përpiqemi dhe krijojmë një praktikë në këtë drejtim, për të korrur përfitimet e saj të shumta.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.