Të mësosh një fëmijë të frenojë zemërimin e tij ose të mos flasë të vërtetën e tij vetëm që të konsiderohet një “fëmijë i mirë” nuk është një akt dashurie dhe udhëzimi. Ne nuk e mësojmë se mirësia vjen nga zemra dhe sinqeriteti, por i lëmë përshtypjen se dashuria e të tjerëve varet nëse ai heq dorë nga reagimet dhe mendimet e tij.
Një fëmijë që rritet në një mjedis plot konflikte, përfundon për shkak të kujtimit të frikës, duke besuar se “fëmijët e mirë nuk zemërohen”. Megjithatë, mesazhi që ai merr nuk është se “fëmijët e mirë nuk zemërohen”, por se “fëmijët e zemëruar nuk meritojnë të dashurohen”. Kështu, ai mbyt emocionet e tij, sepse ndërsa një fëmijë mund të jetojë pa zemërim, ai nuk mund të jetojë pa dashuri. Dhe ndërsa ai rritet, shtypja e këtij zëri bëhet depresion, gjë që i kujton nevojën për t’u lidhur me veten e tij autentike.
Le të jemi një zë, zëri ynë dhe…, jo jehona e pritshmërive të njerëzve të tjerë. Një zë që mund të jetë herë melodioz, herë disonant, por gjithmonë zëri ynë, i vërtetë dhe autentik.
Sa herë që guxojmë të shprehim këndvështrimin tonë, i afrohemi vetes. Me guxim dhe pa frikë nga refuzimi, mosmiratimi ose braktisja, ne shprehim atë që ndjejmë dhe besojmë. Komunikimi nuk do të thotë që njëri flet dhe tjetri hesht…, është një rrugëtim mendimesh dhe ndjenjash, ku herë gjejmë gjuhën e përbashkët e herë jo. Kjo është e shëndetshme dhe e natyrshme.
Sa herë që kompromentojmë të vërtetën tonë për të kënaqur të tjerët, ne bëjmë një hap prapa në marrëdhënien tonë me origjinalitetin tonë. Lidhja jonë në çdo moment humbet pak nga e vërteta e saj, sepse një marrëdhënie do të thotë respekt për veten, shprehje, ndarje, pavarësisht nga pritshmëritë e të tjerëve. Secili ka rrugën e tij dhe nëse synimi i tij është të ecë vazhdimisht në rrugën e të tjerëve, ai gradualisht do të largohet nga vetja e tij e vërtetë. Kur e mbrojmë të vërtetën tonë dhe e komunikojmë atë, ne bëjmë hapa përpara, për veten dhe për të tjerët.
Është bukur të përputhesh dhe të ndash, duke marrë pjesë në një proces krijues që na ushqen emocionalisht. Megjithatë, ky proces ka nevojë për integritet…, për të mbetur autentik. Kur e vërteta jonë sakrifikohet, marrëdhënia bëhet sipërfaqësore dhe e humb autenticitetin e saj.
Pra, le të jemi një zë autentik dhe të mos bëhemi karikatura për t’i kënaqur të gjithë. Si një fëmijë që ndërsa ëndërron ta dojë e gjithë bota, më në fund kupton se…., me disa rruga është paralele dhe jo e përbashkët. Dhe kjo është në rregull.
Le të shprehim secili zërin tonë dhe të guxojmë ta lëmë të dëgjohet. Kështu, ne do të formojmë njerëz që janë të gatshëm të jetojnë të vërtetën e tyre. Këto marrëdhënie kanë potencialin të zhvillohen dhe të maturohen me kalimin e kohës, pasi brenda tyre komunikimi mund të jetë i vërtetë. Lidhja ndodh kur e vërteta jonë ndërtohet me respekt dhe dashuri, si për veten ashtu edhe për të tjerët.
Të mos kërkojmë pranim, por komunikim. Le të mos jetë qëllimi ynë të tërheqim, por të flasim dhe të dëgjojmë. Për të dhënë hapësirë dhe për të kërkuar hapësirë. Të pranojmë të ndryshohemi nga e vërteta e tjetrit, të vlerësojmë pranueshmërinë aty ku e ndjejmë.
Mos kini frikë të shpreheni!
Si do t’ju njohin të tjerët dhe si do t’i njihni të tjerët, nëse nuk flisni për veten, bindjet dhe dëshirat tuaja? Si do të ndiheni mirënjohës për dhuratat e jetës që marrim çdo ditë nëse nuk jemi në kontakt me origjinalitetin tonë: Si do të funksionojmë në mënyrë njerëzore dhe me dhembshuri nëse nuk pranojmë të vërtetën tonë, duke kuptuar kështu edhe të vërtetën e të tjerëve? Kur njohim të vërtetën tonë, zërin tonë, zbulojmë se asgjë nuk është e dhënë, si për ne ashtu edhe për botën ku jetojmë. Ndërtohet çdo ditë, duke kontribuar për një botë më cilësore dhe njerëzore, me lidhje dhe ndjeshmëri.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.