FB

November 8, 2023 | 7:45

Të jesh Mama e Vetme nuk është kaq e lehtë! Roli dhe kontributi i tyre në rritjen e fëmijëve si një prind i vetëm

 

Martesa sipas interpretimit sociologjik por edhe atij fetar është bashkimi i dy individëve, zakonisht i një mashkulli dhe një femre që me vullnet të lirë zgjedhin të kalojnë jetën bashkë. Mirëpo kur flasim për martesën në ditët e sotme, duhet të kemi parasysh që ka ndryshuar shumë botëkuptimi që kishin për të dikur. Martesat moderne ose më saktë familjet e reja po e ndryshojnë botëkuptimin e familjes.

mo

Martesa është një institucion që sipas shumë sociologëve nuk ju rri mirë të gjithëve. Duket si një postulat i cili herë qëndron pa shpjegim dhe herë kërkon një detajim në interpretimin e tij.

Shpeshherë ndeshemi me opinione të ndryshme, që lidhen arsye dhe problematika të ndryshme në lidhje me funksionin dhe rolin që luajnë partnerët për rritjen e fëmijëve të shëndetshëm. Opinione të cilat asnjëherë nuk i gjejmë të njëjta. Nëse një shekull më parë kishim role specifike midis asaj se çfarë i takon partnerit dhe partneres në një martesë, duket qartë që në ditët e sotme këto role nuk janë më të ndara. Rolet e dikurshme nuk janë më të paracaktuara për sa kohë figura e femrës dhe roli i gruas në shoqëri ka ndryshuar.

Në ditët e sotme duket se gjithnjë e më shumë liria që gratë po fitojnë dhe pavarësia ekonomike që ato kanë iu jep mundësinë që të krijojnë një familje pa patur nevojën e një partneri apo të një bashkëshorti. Duke analizuar këto ndryshime kjo do t’i japi përparësi  gruas për të qenë e lirë për të krijuar një familje unike në llojin e saj atë të rritjes së fëmijës vetëm pa prezencën e një partneri. Dëshira për të mos qëndruar gjithnjë nën trysninë dhe presionin e një burri i shtyn ato të krijojnë një familje pa prezencën e tyre, përsa kohë ato mendojnë që burrat  nuk i plotësojnë kërkesat e tyre dhe të fëmijës siç duhet.

Sipas statistikave të fundit kemi vënë re që sa vjen dhe rritet numri i vajzave dhe i grave të cilat zgjedhin të rrisin të vetme fëmijën e tyre. Kur po merrja në konsideratë shkrimin e këtij artikulli, e shtyrë edhe nga histori të njohura personalisht, vura re që ky trend ishte në rritje edhe në vendin tonë. Nga statistikat e fundit rezulton se numri i vajzave që zgjedhin të rrisin një fëmijë pa prezencën e një partneri apo bashkëshorti në vendin tonë rezulton të jetë rritur me 21% në krahasim me 10 vite me parë. Ndërsa kur i referohemi të dhënave në SHBA, nga shifrat e fundit rezulton se numri i fëmijëve që rriteshin nga një prind ishte rritur me 81% më shumë krahasuar me vitin 1961, studim i publikuar në muajin gusht të këtij viti nga CCN.

Ka shumë interpretime në lidhje me këtë vendimmarrje si nga ana e psikologëve ashtu edhe nga këndvështrimi i sociologëve. Por ajo që është shumë e rëndësishme është se këto gra apo vajza të cilat kanë zgjedhur që të rrisin një fëmijë të vetëm janë gra të cilat kanë sakrifikuar shumë nga liria personale dhe janë vazhdimisht të përkushtuara tek mirëqenia ekonomike dhe shpirtërore e fëmijëve të tyre.

Është shumë interesant fakti që sipas një studimi të bëri së fundmi, është parë që fëmijët e nënave që rritin fëmijët e tyre të vetme janë shumë herë më  të lumtur sesa fëmijët të cilët rriten nga dy prindër me probleme dhe konflikte mes tyre.

mo1

Të jesh një Mama e Vetme në radhë të parë duhet të dish të luash shumë mirë rolet, atë të nënës dhe atë të babait. Një prind i cili rrit i vetëm një fëmijë merr përsipër një barrë akoma më të madhe sepse mban dyfish të përgjegjësive që do të kishte me bashkëshortin. Duke bërë një analizë të tillë mendoj se për një nënë e cila rrit e vetme një fëmijë do t’i duhet shumë impenjim si edhe një: Mbështetje e madhe psikologjike për të dhe fëmijën e vet.

Fëmija shpeshherë e kupton që në familje mungon figura atërore, ajo që në psikologji njihet si figura autoritare dhe nëna është e detyruar të marrë një rol të dyfishtë, atë protektiv dhe atë sensitiv. Një zgjedhje e tillë e ngarkon nënën me përgjegjësinë që ka për të realizuar të dyja rolet në mënyrë që fëmija mos ketë mangësi në rritjen dhe në zhvillimin e tij mendor e social.

Ne dimë që fëmijët, sidomos ata që janë në fazën e adoleshencës, kalojnë një fazë të vështirë dhe nënave që kanë zgjedhur të rrisin një fëmijë të vetme iu duhet një mbështetje e madhe psikologjike për fëmijët e tyre.

 

Vështirësia ekonomike – Ne e dimë sesa e vështirë është të rritësh një fëmijë në ditët e sotme. Një nënë e vetme e ka dyfish më të vështirë rritjen e një fëmije plotësimin e të gjitha kushteve. Asaj i duhet të shpenzojë të gjitha energjitë e vetme për t’i dhënë fëmijës atë që duhet të bënin të dy prindërit. Sa do para të bëjë përsëri, a do jenë të papërballueshme shpenzimet? Një nënë e vetme është i vetmi burim të ardhurash për fëmijën dhe për atë vet.

Privim nga jeta sentimentale – Një nënë e vetme pa ndihmën e partnerit shpeshherë harron veten duke u privuar nga jeta sentimentale dhe duke hequr dorë nga jeta personale. Nga studimet e bëra rezulton se këto nëna shpeshherë refuzojnë njohje edhe për shkak të fëmijëve të tyre.

Lënia e vetes në plan të dytë – Të kujdesesh vazhdimisht për fëmijën pa dashur ke harruar veten. Sipas një studimi psikologjik është parë që nënat e vetme dukeshin pesë vjet më të mëdha se nënat të cilat rrisin fëmijët me partnerin e tyre. Nënat e vetme shpenzojnë shumë energji sepse çdo gjë duhet ta përballojnë të vetme.

Nevoja për një ndihmesë – Duhet ta pranojmë të gjithë që të gjithë kemi nevoje për një mbështetje të rritjes së fëmijës. Sidomos në vitet e para të jetës është para me shumë rëndësi përkujdesjeje për fëmijën. Duke kuptuar dëshirat që kanë fëmijët për zhvillimin e aktiviteteve, marrjen pjesë në lojëra, sporte, koncerte, patjetër do të duhet ndihma e dikujt.

Sido që të jenë shkaqet apo rrethanat e tyre, këto vajza dhe gra qëndrojnë të palodhura dhe shumë të kënaqura me fëmijët e tyre. Këto nëna kanë një vetëbesim më të madh dhe ia përçojnë më shumë informacionin fëmijës së tyre, duke mos patur një partner ato mundohen që të gjithë fokusi ta kenë tek fëmijët e tyre.

E megjithatë atë çka realizojnë këto nëna është garantimi i një jete të shëndetshme të fëmijëve të tyre duke u ndeshur me problematika të ndryshme, por kënaqësia që marrin nga fëmijët e tyre është dhurata me bukur që Zoti u ka falur.

 

Përgatiti Dr.Silvana Ago

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top