Ende në ditët e sotme, femrat vazhdojnë të konsiderohen si delikate, ledhatare, të përkushtuara ndaj familjes dhe kujdesit të shtëpisë. Por femra nuk është kjo, apo më mirë nuk është vetëm kaq. Në botë ekzistojnë shumë personalitete të ndryshme, të cilat kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, ndaj femra nuk mund të përshkruhet vetëm kështu…
Përcaktimi “seks i dobët”, kaq shumë i dashur nga meshkujt dhe i kundërshtuar nga pjesa më e madhe e botës femërore, duhet të zhduket një herë e përgjithmonë për aq kohë sa tashmë femrat janë një univers i tërë, i karakterizuar nga guximi dhe vendosmëria. Por cilat janë tiparet që përcaktojnë këtë personalitet? Një grua e fortë është e pavarur dhe shpesh ka mësuar të jetë e tillë që në rininë e hershme. Nuk ndjen nevojën të mbështetet te dikush, ia del më së mirë edhe e vetme.
Pavarësia e bën të ndihet e lirë dhe në gjendje të zgjedhë udhën e saj në jetë. Di se çfarë dëshiron dhe bën çdo gjë për ta pasur. Nuk ndalet në vështirësinë e parë, por ecën drejt me vendosmëri. Çon përpara me këmbëngulje pozicionin e saj dhe nuk ka frikë të shprehë mendimin e vet, as kur është kundër rrymës. Vetësiguria që ka i jep guximin të përballojë sa më mirë çdo situatë.
Di të bëjë humor me veten dhe ia del ta përballojë jetën me dozën e duhur të ironisë. Pengesat nuk e trembin, përkundrazi, janë rasti perfekt për t’u vënë në provë dhe për t’u përmirësuar. Çdo pengesë që kalon është e barazvlefshme me një pikë më shumë në vetëbesimin e saj. Një grua e fortë di si t’i bëjë të tjerët ta respektojnë. Nuk lejon askënd të tregojë mungesë respekti, sepse para së gjithash është ajo në radhë të parë që ka kujdes dhe respekt të madh për veten. Një personalitet i tillë ka ndikimin e saj edhe në dashuri.
Një femër me karakter të fortë nuk ka nevojë për një mashkull dhe kurrë nuk dëshiron pranë vetes një mashkull të paaftë. E di shumë mirë se ç’lloj mashkulli do që të ketë dhe nuk humbet kohë në histori të kota, të cilat përfundojnë pa u nisur ende mirë. Është shumë e lumtur edhe vetëm. Nuk ka frikë të tregojë mendimet dhe idetë, të cilat janë të ndryshme nga ato me partnerin. Një grua e fortë di të jetë shumë e ëmbël, e dashur dhe romantike.
Një grua e fortë jam unë, je ti, janë shumica prej nesh… dhe shumica bën diferencën.
Karakteristikat e femrave TË FORTA
Femrat e forta dinë ta gjejnë vetë lumturinë; kanë mjaftueshëm besim te vetja për t’ia dalë të jenë të lumtura pa pasur nevojën të kenë aprovimin e të tjerëve. Janë emotivisht të pavarura dhe ia dalin të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme, pa qenë e nevojshme të varen nga partneri i tyre.
Femrat e forta kanë një lloj aure, përhapin besim dhe guxim kudo ku shkojnë. Pjesa më e madhe e femrave, me siguri e pranojnë se vlerësojnë të jenë të pavarura, të sigurta në vetvete, të forta mendërisht dhe fizikisht, por që të arrijnë në këtë nivel duket sikur është një sfidë e vërtetë. Në kundërshtim me rolet dhe bindjet sociale, femrat janë ngritur përtej pritshmërive të të tjerëve dhe kanë bërë përparime të mëdha për t’i treguar botës bukurinë dhe forcën e feminitetit.
Në përfundim, për të qenë të forta, ndihma më e madhe na vjen nga vetëvlerësimi, një mjet i çmuar për të zgjidhur të gjitha nyjet e koklavitura që hasim në rrugëtimin e jetës.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 165
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.