Në fokus

October 29, 2019 | 8:15

Të kesh moral apo të bësh moral, respekt apo hipokrizi?

Ndasia mes moralit, të cilit zakonisht i atribuojmë një kuptim pozitiv, dhe moralizmit, me konotacion negativ, nuk është një hollësi për filozofët, por një nevojë që të gjithë ndiejmë të na rëndojë në jetën e përditshme: për të ndryshuar sjelljet tona apo për të vlerësuar ato të të tjerëve. Kjo vlen edhe në miqësi, në punë dhe politikë. Edhe pse ndonjëherë na ndodh të mos ia dalim të gjejmë çelësin e problemit.

1

Mërzia që vjen nga moralizmi dhe moralistët (subjekte shumë të këqinj për të bërë predikime të lodhshme) është spontane dhe e drejtë. Por, një mërzi e tillë – ndonjëherë – rrezikon të shndërrohet në një bezdi dhe ky është një gabim trashanik tejet i rëndë. Kush e mohon dallimin mes moralit dhe moralizmit, shpesh thjesht ngatërrohet. Ose është “armik” i moralit. Njerëzit që mohojnë këtë dallim, mund të jenë amoralë, imoralë, cinikë, që i mbyllin gojën kujtdo që sugjeron rregulla apo bashkëjetesë civile; ose njerëz sipërfaqësorë, që shkelin me këmbë pa pikë druajtje tjetrin, duke i dhënë një emër sjelljes së tyre gërricëse: “spontanitet”.

Ngatërrimi i spontanitetit me sinqeritetin është një gabim shumë i përhapur në ditët e sotme. Kini parasysh se spontaniteti nuk mund të jetë fari ndriçues i sjelljeve tona dhe nuk nënkupton se duhet t’i bëjmë elozhe hipokrizisë, por do të thotë të kemi maturinë e pjekurinë e duhur për të bashkuar sinqeritetin – që është dashuri dhe të qenit i vërtetë – me respektin për të tjerët dhe për veten.

Ndaj morali është i dëshirueshëm dhe i nevojshëm, por ka një tjetër “armik” që lëviz në drejtim të kundërt: duke mos e mohuar, por duke e instrumentalizuar. Është moralisti.

Por, cili është ndryshimi mes moralit dhe moralizmit? Një njeri me moral është ai që afirmon rëndësinë e disa vlerave dhe mundohet të uniformizojë tek ato vlera, para së gjithash, sjelljen e tij. Njerëzit që e kanë shumë të rëndësishëm moralin, mund dhe duhet edhe të denoncojnë situata ku disa vlera nëpërkëmben, por me kusht të shpjegojnë mirë se cilat vlera janë tradhtuar.

Ndershmëria është një e mirë shumë e çmuar, ndërsa shpifjet një e keqe e urryeshme. Mund të gjykojnë me kujdes një sjellje, duke evituar gjykimin e njerëzve të tjerë.

Ndërsa moralisti, flet në mënyrë përgjithësuese për “imoralitetit” dhe mungesën e “ndershmërisë”, pa treguar se cilat janë parimet konkrete që janë nëpërkëmbur, pa shpjeguar se cila sjellje – sipas tij – është e duhura. Moralisti kërkon një moral nga shoqëria, nga të tjerët, por pa u munduar fare vetë. Të gjithë e kemi parasysh një njeri që kritikon vetëm veset e të tjerëve: tregtari që kritikon shtetin, profesionistin, politikanin…

Një i ri kritikon veset e një të moshuari: ndotje, evazionin fiskal. Adulti kritikon veset e të riut: çrregullsinë, mungesën e përgjegjshmërisë. Por secili, kur bëhet fjalë për veset personale (nëse i sheh), e ka gati justifikimin e tij. Moralisti ecën me mendimin “qëllimi justifikon mjetin”. Kapet pas objektivave të mëdhenj moralë, kaq të mëdhenj e kaq “moralë” saqë u duket e drejtë dhe e justifikueshme të shkelin vlerat morale.

Shpesh ka ndodhur që të zbulojmë se moralistët më të egër janë ata që kanë diçka për të fshehur. Në fakt, janë ata që shqetësohen më shumë për fjalët se sa për ngjarjet, ata që skandalizohen për një pasthirmë e jo për një tragjedi, ata që i kushtojnë rëndësi fasadës dhe nuk arrijnë të kuptojnë thelbin. Vërtiten si fantazma, duke gërvishtur vetëm sipërfaqen e gjërave dhe humbur atë që është thelbësore: zemrën. Për këtë arsye, morali është një zhvillim i vazhdueshëm. Si një fëmijë që mëson të ecë: rrëzohet dhjetë herë, por ngrihet e vazhdon sërish.

E keqja nuk na ndalon kurrë: mund të rrëzohemi mijëra herë, por e keqja nuk na ndryshon, siç do të dëshironin njerëzit me mentalitet “mondan”, të cilët justifikojnë atë që nuk mund të bëjnë. Në fund, të kesh moral, do të thotë të dish se çfarë nuk bëjmë dot, sepse kemi disa vlera apo ide që na e ndalojnë.

Të jesh moralist, do të thotë t’u imponosh të tjerëve këto ide e vlera, duke pretenduar dhe vendosur sesi duhet të jetë jeta e tyre në përgjithësi. Por ndonjëherë këto ide janë thjesht fasadë, të cilat as që i zotërojnë me të vërtetë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top