Robert Ndrenika i ftuar në podkastin “Zë me Mirën” ka ndarë disa detaje të veçanta dhe të rralla nga jeta e tij, familja, dashuria për bashkëshorten e ndjerë, filmat, si dhe marrëdhënien që ka me rrjetet sociale duke ju dhënë dhe këshilla të rinjve që luftojnë me ankthin dhe depresionin.
“Të luftojnë me jetën. Të përpiqen gjithmonë. Mos të bien në disfatizëm. Sidomos nuk më pëlqejnë këto të ashtuquajturat sëmundje të sotme. Si quhen këto?” (referuar ankthit dhe depresionit.)
“Atë ta luftojnë. T’i japin forca vetes. Se po bëhet sëmundje. Dikur thoshin që është e suedezëve, norvegjezëve. Po do ti që na ka ardhur këtu tani. Gjithmonë njësia e masës ka rëndësi në çdo vend. Mos e tepro gjithmonë! Qoftë për mirë e qoftë për keq”.
Aktori tregoi kujtimin më të fortë që i ka mbetur nga fëmijëria, duke treguar dhe për nënën e tij:
“Më dërgonin prindërit të mbaja radhën për ushqime, se ishte me radhë atëherë. Sistemi i triskëtimit etj, etj… Unë isha i vogël, nja 5 a 6 vjeç, por më çonin te radha e burrave. Radha ishte: Një burrë, një grua, pastaj vinte një familje dëshmori, një invalid, një hero i popullit. Kur vinte prapë radha te burri të kalonte një orë. Unë erdha në shtëpi dhe i thashë babait: “O baba, ç’më ke bërë! Po të kishe rënë dhe ti dëshmor që të merrja shpejt ushqimet në radhë” dhe babai i këputi një të sharë dhe Roberti e kuptoi që duhet ta mbyllte gojën.
“Nënën shumë të mirë e kujtoj. Ishte arsimtare. Kishte qenë jetime këtu, e kishin marrë diku në Athinë. Atje kishte studiuar. Kishte bërë shkollë. Madje kur ka ardhur nuk e dinte gjuhën shqipe fare. Avash-avash mësoi dhe gjuhën. U bë dhe arsimtare, por jo e gjuhës, e gjeografisë. Prindërit i kam pasur shumë, shumë të mirë. Natyrisht babai një çik më i rreptë”.
Gjatë kohës kur ishte student, Roberti u njoh edhe me dashurinë e jetës së tij, Poliksenin, me të cilën sipas tij, ka shkuar “relativisht mirë”:
“Po se s’ka burrë edhe grua që të shkojnë kaq mirë sa thua ti. Nuk besoj të ketë. Bëjnë ç’bëjnë, vitin e parë mundet, po nga viti i dytë e mbrapa fillojnë dhe sharjet, ofendimet që s’mund të thuhen këtu”.
Ai shtoi se Polikseni mund të ketë ndjerë edhe xhelozi gjatë kohës kur ishte gjallë.
K.M
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.