FB

May 20, 2024 | 7:30

Të “ngecur” në kohë… nga Drilona Shehaj

Drilona Shehaj Abazaj, psikologe

Ndonjëherë të kujtosh me nostalgji për kohët që nuk i përkasin më jetës aktuale, mund të jetë një strehë e ëmbël, një zhytje në një botë nostalgjike që ne e njohim mirë dhe që ka lënë një gjurmë të thellë tek ne.

ngecur-kohe

Të jetuarit i ankoruar në të kaluarën është një mënyrë për të humbur sytë nga e tashmja dhe të mbetesh i ngecur në kohë.
E kaluara është një buqetë eksperiencash e mbushur me kujtime të trishtuara dhe të gëzuara, me vendime të gabuara, me supriza të bukura dhe ngjarje traumatike, me njërëz që kanë marrë pjesë  duke qëndruar, dhe të tjerë që u larguan duke lënë pas gjurmëza në kujtesë.
Të jetosh me një këmbë në të kaluarën, është atëherë kur strehohemi në një kohë të largët në të shkuarën, e cila kthehet në obsesion duke ndikuar në sjellje, mendime emocione dhe zgjedhje.
Është si një luginë fantazmash që largon vëmendjen dhe energjinë që mund të përdorim në të tashmen, e cila heshturazi na mbërthen duke na lidhur me zinxhirë në ngecjen tonë.
Të udhëtuarit shumë herë gjatë ditës në një kohë dhe hapësirë që nuk ekziston është si të zgjedhësh të vdesësh në të tashmen dhe t’i mohosh vetes mumdësinë për të frymuar duke shpërfillur ngjarjet, duke munguar, pa qenë i interesuar dhe duke i kushtuar vëmendje absolute se kush ishe, çfarë kishe dhe çfarë ke humbur.
Për këta individë të trasformuarit të kaluarën në të tashmen e tyre është një mënyrë rezistente dhe refuzimi për të mos pranuar realitetin duke jetuar jetën në ngecje të vazhdueshme.
Është shumë e rëndësishme edhe në raste nostalgjike të dallohet kjo ndjenjë nga obsesioni për t’u kthyer gjithmonë pas.
Disa nga shenjat që evidentojnë vështirësinë për të lënë pas gjithçka janë:
▪︎Kur e kaluara zë më shumë hapësirë, bisedat dhe mendimet e së të tashmes.
▪︎Kur aspektet e ngjarjeve të kaluara idealizohen duke minimizuar ato negative.
▪︎Përsëritja e vazhdueshme mbi detajet e një episodi, skenë që kanë shkaktuar dhimbje, irritim, frustrim.
▪︎Dëshira për të treguar arritjet personale të së shkuarës duke i ekzagjeruar në mënyrë për të mbytur “paaftësitë” e së tashmes.
▪︎Derdhja e plotë energjisë duke patur shikimin pas, duke mbuluar pasiguritë nga e tashmja, nga e papritura, duke ndërtuar një kështjellë rëre e cila as strehë nuk mund të bëhet dot.
Edhe pse e shkuara është historia jonë, nuk duhet rendur pas saj në mënyrë konstante e cila nuk mund të fshihet dhe nuk mund të jetë destinacion. në të tashmen.
E shkuara duhet kuptuar që është një përvojë që na mëson, na zhvillon si individë, është një trung  që përbën identitetin tonë.
Për të kapërcyer këtë ngecje dhe për të shkëputur zinxhirët “kokëfortë” duhet t’i rikthehemi të tashmes si një pasuri që na është mundësuar, për të rihapur shikimin drejt të ardhmes në funksion të mundësive të reja dhe të panjohura.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top