Po të duam që të kuptojmë të rinjtë, duhet, së paku në mënyrë të drejtpërdrejtë, duhet të njohim: se çfarë ndodh me ta gjatë procesit të pjekurisë. Gjithashtu, duhet të kuptojmë se transformimi nga fëmijëria për te mosha e pjekurisë nuk është një dukuri shoqërore, por është një dukuri e brendshme, një ristrukturim dinamik i psikes, i shpirtit të të riut. Ky proces fillon në pubertet, kurse përfundon rreth të tridhjetave.
Nga Prof.Assoc.Doc.Dr.Ilia S.Larti
Sipas moshës fëmijëria ndahet:
Faza e parë: Mosha e fëmijërisë nga lindja deri në 3 vjeç. Mosha parashkollore nga 3-6 vjeç. Mosha e re shkollore nga 6- 11 vjeç.
Faza e dytë: Kalimi nga fëmijëria në moshën e rritur: Preadoleshenca, adoleshenca e hershme, dhe ajo e mataruar. Kalimi nga paraadoleshenca në adoleshencë bëhet: Te vajzat në moshën 12 vjeç. Te djemtë 13-14 vjeç.
Sipas studimeve të kohëve të fundit të bëra nga psikologjia, kufijtë e adoleshencës shtrihen nga 12-21 vjet e më tej. Në këtë periudhë, ata kalojnë nëpër shumë ndryshime fizike dhe emocionale. Ndryshimet shpesh janë të dhimbshme dhe ndikojnë duke shkaktuar huti te fëmijët dhe te prindërit. Shumica e fëmijëve gjatë kësaj periudhe do ta kalojnë pubertetin. Gjatë pubertetit, trupi i fëmijës rritet dhe zhvillohet, duke u transformuar në një trup burri / gruaje të moshuar. Fëmijët nuk e kanë dhe krejt njësoj se ç‘mendojnë të tjerët për ta. Në atë moshë, numër i madh i fëmijëve mendojnë se nuk mund të lëndohen. Ata janë të bindur se çfarëdo që të bëjnë, asgjë e keqe nuk mund t’u ndodh.
Boelen flet për “pesë botët e të rinjve”.Të mbështetur në analizat e tij ne do t’i drejtojmë apo udhëzojmë të rinjtë për të ecur normalisht me vetëdije drejt rrugës së tyre të pjekurisë.
Bota e “paharmonishme” e pubertetit – Shenjat e para të pubertetit lajmërohen në trupin e të rinjve: pjesët e trupit rriten në mënyrë disproporcionale; duart, këmbët dhe hunda rriten të mëdha gati sa të një njeriu të pjekur, kurse koka dhe trupi janë ende me dimensione të fëmijës. Duket sikur bie harmonia e rritjes. Këto ndryshme fizike të jashtme lënë shenja të thella në psiken e tij. Një i ri në pubertet me pamjen e tij të jashtme dallon nga të tjerët. Por, përveç kësaj, trupi i tij, i cili deri tani ishte një mjet i dëgjueshëm i komunikimit, tani përnjëherë e refuzon dëgjimin: gjestet nuk janë në harmoni me fjalët, mimika nuk harmonizohet me ndjenjat. Trupi që ishte pjesë e tij, d.m.th. trupi-subjekt, përnjëherë shndërrohet në një trup të huaj, një botë e panjohur, bëhet trup-objekt.
Tani tek i riu shfaqet qartë tendenca e të bërit filozofi: për shkak të humbjes së trupit, kënaqësinë e kërkon në botën e ideve. Hapi i parë në zbulimin e botës së ideve, është zbulimi i strukturimit të saj. Kjo është njëra nga tiparet më të rëndësishme të kësaj periudhe: magjia për strukturën. Kjo magji vjen në shprehje te prirja për mbledhje grumbullim të gjërave të veçanta, pastaj te prirja për të dhënë pseudonime, që ata me një lehtësi të madhe u japin të tjerëve: janë ato definicione të zgjedhura me shkathtësi të njeriut që jepen në bazë të disa vijave karakteristike. Është shumë interesante se as të rinjtë nuk hidhërohen kur ju jepen pseudonime të tilla. Nga kjo, mund të lexohen dy gjëra: njëra, se të tjerët i kuptojnë, dhe e dyta, se ata janë pjesë e diçkaje. Shenjat tjera të kësaj magjie për strukturën i gjejmë tek grupet e fshehta të të rinjve, të cilat kanë struktura të veçanta: udhëheqësin, rregullat, rituale të fshehta, betimin. Kjo është një trajnim për jetën e ardhme shoqërore, në të cilën njeriu duhet të pranojë varësinë e strukturave që nuk e ka krijuar vet.
Bota e zgjeruar e para adoleshencës. I riu, para adoleshencës, i tëri është i zhytur në botën abstrakte, përkatësisht në botën e ideve. Ai e zbulon botën e mendimit abstrakt dhe logjik, si dhe botën e shkencës. Shpesh dhe me kënaqësi diskuton vetëm për të diskutuar.
Bota e ideve dhe e imagjinatës nuk njeh kufij: në mendime dhe imagjinatë bëhet aventurist, kërkues i vendeve të largëta, e me ëndje lexon udhëpërshkrime. Sfondi karakteristik i këtij niveli të zhvillimit është ajo që do ta quanim magjia e të panjohurës. Grishja dhe magjia për të panjohurën vërehet tek interesimi për hobin dhe dëshirat e mbledhjes së gjërave: me ëndje bën eksperimente kimike e të tjera, interesohet për elektricitetin, modelon. Klubet rituale i ndërron me grupe rinore. Qëllimi i tyre është ta çlirojë adoleshentin nga identiteti prindëror që ia kanë imponuar. Përherë dhe për gjithçka thirret tek ata, d.m.th. te miqtë e tij, me ta njëjtësohet për çdo gjë: në veshje, në mënyrën e të folurit, sjelljes, mendimit. Roli pozitiv i grupeve qëndron edhe tek mësimi i rregullave fair play, d.m.th. tek parimet e lojës së ndershme: për të fituar duhet të investosh. Grupi, në fakt, e përjashton pamëshirshëm çdo disident që nuk i respekton normat në gjithçka. Para disa viteve kemi lexuar në gazeta për rastin tragjik të një vajzë japoneze 13 vjeçare, e cila ia kishte marrën jetën vetes për shkak se grupi i saj e kishte quajtur “tradhtare dhe qyqare”.
Bota negative e adoleshencës – kjo periudhë e zhvillimit zakonisht llogaritet të jetë rreth 14-16 vjet te djemtë, ndërsa tek vajzat 13-14 vjet. Karakteristike e kësaj moshe është: pasiguria e brendshme totale, mospranimi i asnjë autoriteti, mistifikimi dhe rebelimi. Kjo periudhë konsiderohet negative, sepse adoleshenti radikalisht dhe pa asnjë arsye mbyllet edhe ndaj miqve të deritanishëm; mërzitet, nuk i intereson asgjë, ndihet i vetmuar. Bredh pa qëllim, rri vetëm, është i pakuptueshëm, nervoz, nuk di çfarë të bëjë me vetveten. Adoleshenti në asgjë e askund nuk gjen diçka te kuptimte, pra për të nuk ka ndonjë domethënie. Nuk e kupton vetën dhe për te pyetet shpesh nëse është normal? Atij i duket një marrëzi, por ja thotë/ne ne mënyrë te thjesht se s`kemi c`te bëjmë duhet ajo çka prekim duhet të jetohet.
Kjo periudhë e adoleshencës zakonisht kuptohet gabimisht ose nuk kuptohet fare. Neve na intereson këtu, së pari, jeta e brendshme e adoleshentit: çfarë ndodh me të dhe çfarë përjeton? Duket se tema qendrore e përjetimit të tij është përvoja e pamjaftueshmërisë personale. Ai e zbulon kalueshmërinë, përkatësisht mosdomosdoshmërinë e tij dhe të gjitha gjërave të krijuara. Bota do të ekzistonte shumë lehtë edhe pa të, prandaj nuk ka kuptim ekzistenca e tij. Ky zbulim tregon njëkohësisht edhe anën pozitive të këtij negativiteti: zbulimi, hetimi i transcendencës, ekzistenca e vlerave dhe normave objektive, zbulimi i varësisë personale dhe hapi i parë drejt kthimit te vetja në nivelin reale.
Periudha negative nxit një ndjenjë pafuqie edhe tek adoleshenti, por edhe te prindërit e te edukatorët. Çfarëdo që prindërit bëjnë në këtë drejtim, s’vlen. Për fat të keq, duket se nuk ekziston ndonjë parim koherent pedagogjik që do të mund ta porosisim për këtë periudhë. Ndoshta, i vetmi këshillë është ky: të mundohemi ta kuptojmë pozitivisht dhe të presim të kalojë. Kjo është një periudhë e prerjes psikike të kordonit të kërthizës e, thuajse, ka shumë pak që mund të bëjmë përveçse të presim të ndodh sipas natyrës së vet.
Zgjimi i botës të gjithëpushtetshëm i unit personal – Ndonëse përherë është e rrezikshme të lidhen me moshën periudhat e zhvillimit, më së paku do të gabojmë nëse do të themi se këtu kemi të bëjmë me djelmoshat e moshës 15-16 vjeç. Karakteristika e kësaj moshe është vetëdijesimi i adoleshentit, përkatësisht ai bëhet vetëdijshëm për veten e vet. Duket sikur është zgjuar nga një gjumë i thellë: e shikon botën e çuditshme me të fshehta të shumta, me plotë kuptim dhe premtime. Përnjëherë nuk ndjehet i vetmuar. Në fakt, ende e do vetminë, por ajo nuk shprehet si mërzi; dëgjon muzikë, me orë të tëra bredh nëpër vende të ndryshme të vetmuara, shtrihet në bar e i pëlqen të ëndërrojë. Ndjenja kryesore që ka është pikërisht magjepsja. Vetminë e tij e mbush me magjepsjen e vetvetes. Kjo është mosha kur mbisundon magjepsja e unit personal. Ai e kërkon vetminë që të mund të përjeton magjepsjen e vetes. Adoleshenti këtu mbërrin në fund të rrugës drejt pjekurisë – tani është koha të hyjë në rrugën e pjekurisë. Për këtë i ka tani të gjitha kushtet, përveç njërës: vetëkritikën.
Në këtë fazë adoleshenti e ndjen vetën i gjithëpushtetshëm: krejt qenia e tij është e përshkuar me ndjenjën e të qenit i gjithë pushtetshëm (capax universi). Mundësitë për të nuk kanë kufij. Përshkrimi letrar i kësaj ndjeje e të qenit i gjithë pushtetshëm dhe mos kritikës e gjejmë te Dostojevski, në romanin e tij të njohur “Adoleshenti”.
Arkadij A. Dolgoruki, per adoleshent, rrëfehet kështu:
Ideja ime është – të bëhem Rotschild. Lus lexuesin të rrijë i qetë dhe serioz.
E përsëris: ideja ime është të bëhem Rotschild, gjithashtu i pasur si Rotschild; jo thjeshtë i pasur, por sikur Rotschild.
Për çfarë arsye, pse, cilat janë qëllimet e mia – për këtë do të flas më vonë. Së pari do të argumentoj që matematikisht është e verifikueshme se do ta realizoj qëllimin tim.
E gjithë kjo është e thjeshtë dhe krejt fshehtësia qëndron te dy fjalë: qëndrueshmëria dhe pashkëputshmëria.
Pastaj, duke llogaritur në ankesa të mundshme, e argumenton se si e ka të garantuar suksesin. Këtu nuk është e rëndësishme aq shumë përmbajta e idesë, por filozofia që e frymëzon adoleshentin: njeriu është i aftë për gjithçka, nuk ka gjëra që nuk mund të arrihen me qëndrueshmëri dhe pashkëputshmëri. Është kjo filozofia karakteristike e adoleshentit në këtë periudhë të zhvillimit.
Në psikiken e adoleshentit ende nuk është e pranishme ndjenja e kufizimit personal. Në bazë të kësaj ndjenje capax universi, të qenët i gjithëpushtetshëm, mund t’i kuptojmë mirë shfaqjet e njohura të adoleshentit: absolutizmin, idealizmin, ekzagjerimin, argumentimin kokëfortë të gjërave përkundër qartësisë të së vërtetës ndryshe etj.
Adoleshenti e përjeton veten si qendra e botës. Të qenit i hapur, liria, ekspozimi ndaj rrezikut dhe entuziazmi i tij nuk njohin kufij. Akoma nuk ka arritur të kuptoj se ai nuk është i vetëm në botë.
Ky radikalizëm e nxit adoleshentin të kritikojë dhe të refuzojë çdo vlerë tradicionale, sikurse dhe institucionet si: shkollën, organet e drejtësisë e tej., por edhe“kodin moral”, normat shoqërore, kultet fetare e tej. Është i prekshëm prej reformës së botës së kalbur. Ky mision kompleks, natyrisht i irriton të rriturit. Kjo përqasje e adoleshentit tregon edhe më shumë të qenurit e tij tepër konfidencial se ai, i di të gjitha, madje në mënyrën më të mirë të mundshme.
Adoleshenti, në fakt, duhet patjetër të shqyrtojë në mënyrë kritike të gjitha vlerat e deritanishme dhe ato që kanë qenë të ofruara nga jashtë duhet t’i pranoj si të vetat. Para së gjithash, kemi të bëjmë me vlerat e mëdha të përgjithshme, siç janë dashuria, mirësia, nderi etj. Edhe diçka tjetër e karakterizon këtë periudhë si: zbulimi i të bukurës, por për të bëhen të bukura jo vetëm natyra dhe bota e jashtme, por edhe ai vete bëhet i bukur. Ai fillon të kujdeset për veten, duke arritur të rrijë me orë të tëra pranë pasqyrës.
Shfaqja e ndjenjës për të bukurën, adoleshentin e përgatit për kthim e tij në botën e njerëzvedhe në mënyrë të veçantë e përgatit atë për takimet e para heteroseksuale.
Rinia – bota e vendimeve personale. Është fillimi i moshës së rritur. I riu ne këtë moshe mundohet por edhe kërkon të gjejë zgjidhje për probleme konkrete, siç është: thirrja e jetës, statusi shoqëror dhe martesa. Ndoshta, për shkak të këtyre çështjeve, kjo periudhë zgjat më së shumti: te vajzat nga 18-28 vjet, kurse te djemtë nga 20-30 vjet. Megjithatë, edhe këtu vlen se: nuk është e rëndësishme nëse i riu do të jetë i suksesshëm në sytë e të tjerëve, por nëse do të jetë i aftë që vendimet për jetën t’i merr për kënaqësinë e tij personale. Këto vendime do t’i japin jehon gjithë jetës së tij të mëvonshme.
Nëse duam, deri diku, t’i kuptojmë të rinjtë, përherë duhet të kemi parasysh jo vetëm sjelljen e tyre të jashtme, por edhe lëvizjet e brendshme që kanë shkaktuar ato. Sepse edhe ata vetë nuk e kanë krejt të qartë se pse i bëjnë disa veprime qe nuk mirëpriten.
Nëse duam të ndihmojmë në zhvillimin e tyre, në ecjen e rrugës drejt pjekurisë, së pari -duhet t’i kuptojmë. Kjo përqasje do të na ndihmojë që reagimet tona mos të jenë shprehje e problemeve të pazgjidhura dhe frustrimeve, por një provë e vetëdijshme e atij dialogu që ka filluar ndërmjet prindërve dhe fëmijëve nga momenti i lindjes dhe të mos shuhet gjate ecurisë moshore, kjo duhet te ece nëpërmjet kërkimeve rinore dhe pa tjetër të kalojë në dialog ndërmjet personave të pjekur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.