Në një botë gjithnjë e më të lidhur, gjithnjë e më shumë të rinj po marrin një vendim befasues: të shkëputen përkohësisht nga telefonat inteligjentë dhe rrjetet sociale, për të rikthyer qetësinë mendore dhe përqendrimin. Një studim i fundit me mbi 20 mijë pjesëmarrës nga 18 vende zbulon se 40% e adoleshentëve të moshës 12–15 vjeç kanë vendosur të bëjnë “pushime dixhitale” për t’u distancuar nga lidhja e pandërprerë me botën online.
Ky fenomen, që dikur do të dukej i pamundur për një brez të konsideruar i varur nga teknologjia, po dëshmon një vetëdije të re: të rinjtë nuk janë më thjesht konsumues pasivë të përmbajtjeve digjitale, ata po eksperimentojnë me mënyra për të krijuar një marrëdhënie më të shëndetshme me teknologjinë.
Brezi që po mëson të ngadalësojë
Sipas të dhënave nga GWI, që nga viti 2022 ka pasur një rritje me 18% të fëmijëve që zgjedhin të bëjnë pushime nga pajisjet dixhitale. Shifra aktuale – 40% e të rinjve – tregon se nuk kemi të bëjmë me një trend kalimtar, por me një reflektim serioz për pasojat e kohës së tepërt online. Të rinjtë po kuptojnë se prania e vazhdueshme në internet mund të ndikojë negativisht në shëndetin e tyre mendor dhe po ndërmarrin hapa konkretë për ta kufizuar këtë ndikim.
Strategji të reja për mirëqenien dixhitale
Profesorja Sonia Livingstone nga London School of Economics, e cila është pjesë e ekipit që drejton këtë kërkim, vëren se të rinjtë po zhvillojnë në mënyrë të vetëdijshme strategji për t’u përballur me presionin e jetës online. Disa heqin dorë përkohësisht nga rrjetet sociale, të tjerë kufizojnë ndjekjen e përmbajtjeve negative, e madje ka edhe nga ata që fshijnë fare llogaritë e tyre.
“Fëmijët e kanë kuptuar – falë prindërve, mediave, por edhe përvojës së tyre – se shumë nga rrjetet sociale nuk i ndihmojnë, por shpesh i dëmtojnë”, thotë Livingstone.
Daisy Greenwell, bashkëthemeluese e lëvizjes Childhood Without Smartphones, thekson se gjithnjë e më shumë të rinj po vënë në dyshim idenë se jeta online është domosdoshmëri. “Shumë adoleshentë janë të rraskapitur nga presioni për të qenë gjithmonë të lidhur,” shpjegon ajo. “Dhe vendosin vetë të marrin një hap prapa – si një akt rebelimi për mirëqenien e tyre.”
Prindër të papërgatitur për një botë dixhitale
Një tjetër aspekt që sjell ky studim është ndjesia e një hendeku brezash. Të rinjtë e moshës 18–25 vjeç deklarojnë se prindërit e tyre shpesh nuk e kuptojnë sa e vështirë është të rritesh me një telefon në dorë. Disa prej tyre tani thonë se, kur të kenë fëmijë, do të vonojnë dhënien e një telefoni inteligjent sa më gjatë që të jetë e mundur. Kjo ndjenjë shqetësimi nuk është vetëm te të rinjtë. Sipas të dhënave të GWI, varësia nga rrjetet sociale është tashmë një nga tre shqetësimet më të mëdha të prindërve, përkrah ndryshimeve klimatike dhe luftës. Madje, 8% e tyre thonë se janë bërë më të rreptë me kufizimet ndaj teknologjisë pasi kanë parë dokumentarin “Adolescence” në Netflix, i cili trajton rreziqet e abuzimit online dhe mizogjinisë dixhitale.
Ndryshim nga brenda: vetëdija e re digjitale
Profesori David Ellis nga Universiteti i Bath-it thekson se fëmijët shpesh mësojnë më shpejt se prindërit sesi të menaxhojnë kohën para ekranit – por efektet afatgjata të teknologjisë janë ende të paqarta. Sidoqoftë, tendenca për të reduktuar kohën online është pozitive, veçanërisht kur kjo kohë zëvendësohet me aktivitete fizike, shoqëri reale dhe pasione jashtë botës digjitale.
Në thelb, ky brez – që ka lindur dhe është rritur me teknologji në dorë – po sfidon pritshmëritë dhe po kërkon të rikthejë një ekuilibër të munguar. Ndryshe nga paragjykimet, ata nuk janë vetëm përdorues të pakontrolluar të teknologjisë: janë gjithashtu ata që mund të rishkruajnë rregullat dhe të ndërtojnë një marrëdhënie më të shëndetshme me botën digjitale.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.