Mirëqenie

May 23, 2017 | 9:03

Të rrisim kulturën e dijes

kidsreading2

Fillimi i mbarë, gjysma e punës… Është shumë e vërtetë që një punë e nisur mirë do të ecë mirë. Por, çështja e edukimit të fëmijës është një çështje që nis që në bërthamë e deri kur rriten, e bëhen madhorë. Gjithmonë fëmija për prindin mbetet fëmijë. Edukimi është më i vështirë se lindja, ndaj dhe kjo thënie bëhet më se e vërtetë. Një prind i mirëinformuar për çështjet e mirërritjes së fëmijës së tij e di mirë se fëmija ushqimin bazë duhet të ketë edukimin.

bardhaBaza e edukimit fillon qysh herët

Kujdesi për fëmijët në mënyrë të vazhdueshme është detyrë jo vetëm e prindërve, por edhe e shkollës, si dy hallka të pandara deri në suksesin e shumëpritur. Secila nga këto institucione, duke marrë përgjegjësitë e duhura për edukimin e fëmijëve, do të çojnë në rezultatin e pritur drejt suksesit. Pushimet verore janë një pjesë e rëndësishme e çdokujt, sidomos për fëmijët, të cilët ndihen të lirë dhe argëtohen pafund gjatë sezonit. Por pushimet krijojnë dhe një lloj çorientimi për fillimin e vitit të ri shkollor, duke nisur që nga gjumi që zgjohen vonë, prishja e orareve. Gjendja e lirë që na krijojnë pushimet sjell problematikë për t’u futur në disiplinën që kërkon fillimi i një viti të ri shkollor. Për pasojë, nevojitet që prindërit, të cilët e kanë kaluar këtë fazë, të jenë të kujdesshëm me fëmijët e tyre dhe t’u qëndrojnë atyre pranë, jo për t’i diktuar, por për t’i ndihmuar që ata të kapin këto ndryshime dhe të përgatiten për fillimin e vitit të ri shkollor. Ka fëmijë që hyjnë për herë të parë në çerdhe, kopsht, shkollë apo universitete. Për secilin, këto ndryshime sjellin dhe çrregullime emocionale, si pasiguri, frikë, dëshirë apo droje. Pra, është detyrë e jona t’ju qëndrojmë pranë me këshillat prindërore, dashurinë dhe përkujdesjen familjare.

Kujdesi prindëror, më bashkëpunues

Ndryshimet tek individë të ndryshëm përcillen në mënyra të ndryshme, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrën si do t’i trajtojmë. Një familje, e cila e luan mirë rolin prindëror dhe i kushtohet fëmijës së vet me përkushtim dhe dashuri, e ndihmon atë të kapërcejë vështirësitë që vijnë nga këto ndryshime. Prindi duhet t’i plotësojë kushtet për në shkollë me të gjithë bazën materiale, por më e rëndësishmja mbetet afeksioni, dashuria e përkushtimi emocional. Kujdesi prindëror në bashkëpunim me mësuesin, duke qenë si dy hallka kryesore, bëjnë të mundur që fëmijët të vijnë me dëshirë në institucionin e dijes dhe të jenë të përqendruar në detyrat që ka shkolla, duke e treguar atë me rezultate të shkëlqyera dhe me një sjellje shembullore. Për këtë nevojitet bashkëpunim. Përgjegjësia nuk është vetëm e familjes, por ajo është e përbashkët, ashtu si dhe suksesi. Shoqëria jonë është ende një shoqëri tranzicioni, e cila ka pësuar ndryshime në rrugën e arsimit me reformat e njëpasnjëshme, por që ka pasur si progres ashtu edhe regres. Interesi për arsimim, për shkak të ndryshimeve politike-demografike, pësoi edhe ndryshime negative. Për një periudhë gati u hoq dorë nga arsimimi, pasi po merrte prioritet biznesi. Por, pasi u pa se po rritej numri i analfabetëve, filloi të rritej dhe interesi për arsimin jo aty ku duhet, por hyri në rrugën e zhvillimit. Kohët e fundit arsimi ka hyrë në fazën e shkollave profesionale, ku të rinjtë do të formohen dhe integrohen në jetë. Pra, nuk mund të kuptohet një shoqëri pa arsim dhe pa njerëz të ditur, por që ta arrijmë këtë, duhet që të rrisim nivelin e edukimit dhe të mbjellim kulturën e dijes.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top