Në fokus

May 23, 2017 | 8:57

Dëshmi/ Arlinda Morava:Femra me vlera është për mua më e bukur

Shenjtërimi i Nënë Terezës ishte një kulminacion i rëndësishëm historik edhe për mbarë botën artistike shqiptare që na përfaqëson denjësisht në botë. Gjaku shqiptar i Nënë Terezës u ndje përmes ceremonish po kaq të veçanta, zërave të mrekullueshëm operistikë dhe takimeve e aktiviteteve të ndryshme. Arlinda Morava, sopranoja e njohur lirike, e cila prej 20 vitesh jeton dhe ndërton karrierën e saj operistike në Rumani, vjen me të njëjtat emocione dhe ndjesi pas eventit të organizuar me këtë rast në rrugëtimin më të fundit artistik. Arlinda pohon se: “Janë emocione që të rrisin profesionalisht dhe të japin kënaqësi shpirtërore”. E kur shikon dhe ndjen që puna nga viti në vit e lartëson, kjo është e gjithë merita që një artisti i takon ta gëzojë. Përtej profesionalizmit, Arlinda na zbulon dhe disa sekrete që përkufizojnë profilin e saj edhe jashtë petkut artistik.

Arlinda Morava, soprano lirike

Arlinda Morava, soprano lirike

I keni arritur ju ato pritshmëri që i kishit vënë vetes dhe cili është rezultati i përkthyer në çmime, tituj?

Unë mendoj se po. Publiku është kritiku më i fortë, por janë edhe aktivitetet e mia që më kanë dhënë kënaqësinë t’i gëzohem me vlerësime, medalje dhe çmime që më janë dhuruar. Ky për mua është sadisfaksion i madh.

Ju jeni ndër artistet që përfaqësoni Shqipërinë në skena të ndryshme botërore. Cili është ndryshimi nëse ka një të tillë?

Unë jam një artiste që përfaqësoj vendin tim, duke u ndier krenare që jam shqiptare. Nuk rresht për asnjë moment pa futur kudo repertorin e muzikës së vendit tim, sepse vendi im ka me çfarë të prezantohet. Kjo më jep shumë emocione dhe kënaqësi.

Le të flasim për performancat tuaja artistike. Sa ndikon aspekti psikofizik, tjetërsimi përmes portretesh, personazhesh të ndryshme? A jua ndryshojnë ata gjendjen emocionale? Ndikojnë te ju?

Po, sepse çdo personazh ka karakterin e stilin e tij dhe, duke njohur personazhin, hyn nën “lëkurën” e tij. Në ato momente nuk je më ti, sepse je personazhi që po interpreton dhe ti e përjeton të gjithë gjendjen. Në të kundërtën nuk ke si dërgon emocione te publiku.

Të shfaqeni ndryshe në look, ju jep kjo një ndjenjë më të lartë vetëvlerësimi?

Jo, kjo më bën të hyj edhe më lehtë në rol, pasi look-u ka atë ndikimin e tij psikologjik, por jo se më jep mua më shumë forcë vetëvlerësimi.

A ka ndikim, sipas jush, kurimi estetik i trupit në vlerësimin si artiste e kompletuar?

Tani, siç e dimë, të kesh kujdes për trupin tënd është kulturë dhe vlerësim, sidomos kur je artist. Sytë janë tek ai, por jo gjithmonë mund ta mbash veten nën kontroll për shumë arsye, qofshin shëndeti, qofshin neglizhence. Idealja do ishte pa diskutim kujdesi, sepse me të vërtetë ka një ndikim shumë të madh për publikun.

Sa e rëndësishme është për ju paraqitja e jashtme?

Paraqitja e jashtme është e interpretueshme për mendimin tim, por është një aspekt i rëndësishëm, ku në fushën tonë lidhet edhe me profesionalizëm, pasi atëherë quhet perfeksionizëm.

Cili është opinioni juaj për njerëzit që kryejnë ndërhyrje estetike në imazh?

Mendimi im është që secili në këtë botë është i lirë të veprojë ashtu siç e ndjen. Jeta e tij i takon vetëm atij dhe, në qoftë se kjo gjë e mbush dhe e kompleton, duke hequr komplekset e veta, nuk më duket gjë e gabuar të veprojë ashtu. Secili nga ne është unik, ka një jetë dhe e shikon atë sipas komplekseve dhe kënaqësive të veta. I respektoj dëshirat e secilit e nuk më duken të gabuara kur estetika të bën të ndihesh si individ më të bukur e më të realizuar.

Pro apo kundër? Pse?

Unë nuk jam as pro, as kundër. Personalisht, për momentin, nuk do të bëja asnjë ndërhyrje, sepse nuk jam dakord për veten time t’i hyj bisturisë, por kurrë nuk mund them jo për asgjë, pasi ne njerëzit jemi të paparashikuar dhe nuk e di si mund të më ndryshojë mendja.

Për ju është i rëndësishëm imazhi i jashtëm te një femër apo vlerat njerëzore që ajo ka? Si e gjejnë këto dy elementë ndërthurjen te ju?

Vlerat e njeriut nuk kanë çmim dhe femra me vlera është për mua femra më e bukur, pasi shpirti e rrezaton bukurinë. Në ditët e sotme nuk është e vështirë të bëhesh e bukur, por është vështirë të mbetesh zonjë. Bukuria e ndërthurur me zgjuarsi dhe mirësi ka aq shumë vlera sa tregon fisnikëri.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.112

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top