FB

July 8, 2022 | 8:45

Të rritur, kur do të hiqni dorë nga shakatë gjymtuese me fëmijët?

Kënaqësia që ndjen një i rritur kur nervozon një fëmijë, për shembull duke e puthur me forcë, apo duke e penguar nga loja që po realizon, apo duke e marrë pa e pyetur nga nëna apo zëvëndësuesi i saj/tij, është kënaqësi që duhet evituar pasi bën vetëm dëm.

Nga Lira GJIKA, psikologe

Fëmija kur preket pa u përfillur përjeton panik. Ai ndihet i pafuqishëm të kuptojë se çfarë po ndodh. Qan, nervozohet, bërtet, gërvisht dhe nganjëherë arrin edhe të gjuajë me duart e tij të vogla. Të gjitha këto skena që përshkrova, provokojnë te këta të rritur një kënaqësi të atillë që i çon në mospërfilljen e fëmijës si njeri, por si një send kënaqësie. Askujt nuk i shkon në mendje që fëmija përjeton ankth, pasi ndihet i vetmuar, i braktisur dhe i pambrojtur. Dhe kulmi arrin, kur i drejtohesh këtyre të rriturve se “çfarë bën kështu”, përgjigjet me habi: “shaka po bëja”. A i shkon në mendje këtyre të rriturve se si e përjeton fëmija këtë “shaka” të të rriturit. Mirë i rrituri e përjeton si shaka dhe kënaqësi, po fëmija si e përjeton këtë sjellje të të rriturit? Apo është fëmijë dhe nuk merr vesh. Fëmija ndërsa qan, bërtet, gërvisht dhe gjuan, duket që nuk e shijon, por përkundrazi ka frikë. Ashtu si të rriturve që nuk u pëlqejnë të gjitha shakatë, madje edhe armiqësohen me njerëz që u bëjnë shaka të rënda, po i njëjti mekanizëm vepron edhe te fëmija. Fëmija nuk i duron dot shakatë e rënda, pasi për atë, këto lojra provokojnë frikë dhe pasiguri. Ju prindër që keni detyrë mbrojtjen dhe qetësinë e fëmijës tuaj, përpiquni të ndërhyni në mbrojtje të fëmijës dhe jo të qeshni me shakanë e të rriturit që nuk merr në konsideratë fëmijën.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top