Marrëdhënie

February 26, 2018 | 15:02

Teknika për lumturinë në çift

Ndërtimi i një marrëdhënieje të shëndetshme nuk është një gjë e lehtë. Shpesh, kur mendojmë për një lidhje ideale, mendja na shkon te princi i kaltër. Jemi në pritje të një princi, princeshe apo çdokujt që të zgjidhë si me magji të gjitha problemet tona. Përralla përfundon aty ku nis marrëdhënia e vërtetë. Të ndërtosh një lidhje të shëndetshme kërkon punë të madhe.

Cilat janë gjërat që duhet të kemi parasysh që një marrëdhënie në dy të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme? Në fazën e dashurisë është shumë e thjeshtë të anashkalojmë shumë gjëra që në të vërtetë janë probleme të mundshme. Por mjafton që pasioni i fillimit të zbehet pak dhe ja ku dalin në pah të gjitha: nga xhelozia te lënia pas dore.

Nëse është normale që të ketë disa fërkime, është po aq thelbësore që të gjejmë mënyrën e duhur për t’u përballur me to, sepse çdo gjë rregullohet, edhe pse asnjëherë si sot nuk ka qenë e vështirë të ruajmë ekuilibrin e një marrëdhënieje. Për t’ia dalë mbanë është e rëndësishme të mësojmë të joshim në mënyra të ndryshme dhe të efektshme, si dhe të vazhdojmë ta bëjmë gjithë kohës këtë gjë.

Më poshtë, po ju sugjerojmë disa hapa të thjeshta që ju ndihmojnë ta ruani të fortë marrëdhënien.

Evitoni kritikat

Kushti i parë për një marrëdhënie të mirë me partnerin është respekti reciprok; nuk do të thotë të jeni të sjellshëm dhe të edukuar çdo ditë, por kur grindeni duhet të evitoni ofendimet. Një fjalë shumë e rëndë apo një kritikë mund të ketë difekte të dëmshme edhe pas shumë kohësh.

Jini më tolerantë

Një dozë e mirë tolerance është thelbësore për një marrëdhënie afatgjatë. U ndodh të gjithëve të gabojnë ose të sillen në mënyrë jokorrekte, por e rëndësishme është të mësoni të kontrolloni reagimet tuaja përballë këtyre sjelljeve dhe të jeni më të kuptueshëm.

Flisni e dëgjoni në mënyrë reciproke

Nëse doni që marrëdhënia të rritet, është e domosdoshme t’i kushtoni partnerit më shumë vëmendje. Tregoni se po dëgjoni kur njëri nga të dy flet. Ta ndërprisni në atë që po bën, sepse keni ndjesinë se nuk po ju dëgjon, do ta bëjë partnerin të mbyllet përbrenda. Mos e ndërprisni kur flet, por herë pas here bëjini ndonjë pyetje.

A njiheni vërtet?

A e njihni realisht partnerin? E dini se çfarë i pëlqen atij? Duket banale, por sipas ekspertëve ta njohësh deri në detaje njeriun e zemrës është thelbësore për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë.

Mbani nën kontroll xhelozinë

Xhelozia e tepërt e shkatërron marrëdhënien, ndaj duhet të pyesni veten se çfarë fshihet pas frikës suaj. Ndodh shpesh që partnerët ta shprehin xhelozinë si një mënyrë për të kontrolluar tjetrin, por në fakt duhet të ndryshoni, duke mësuar si të mposhtni trysninë dhe kontrollin.

Ruani linjat

Sa më shumë të jeni në formë, aq më shumë jeni të kënaqur me veten dhe aq më e mirë do të jetë dhe jeta seksuale. Shumë studime konfirmojnë lidhjen mes një aktiviteti të rregullt fizik dhe përmirësimit të marrëdhënies së dashurisë.

Kultivoni misterin

Të ruani pak mister për vete është shumë e rëndësishme në një marrëdhënie, edhe sepse nëse mendoni se dini gjithçka për partnerin, rrezikoni të mërziteni. Keni nevojë për varietet, risi dhe mister për të ruajtur gjallë shkëndijën e joshjes. Mësoni çdo here të joshni, njësoj si të jetë diçka e re dhe thyeni rutinën.

Mos flisni gjatë gjithë kohës

Nuk është e rëndësishme të ndani çdo gjë në çift, por ndonjëherë është mirë të vini në veprim një komunikim me “rrezik të ulët”, pra që nuk vë në rrezik ekuilibrin e marrëdhënies. Me pak fjalë, nuk është e nevojshme të thoni gjithçka, të shpjegoni dhe të tregoni gjithçka, por më mirë kuptoni që disa sekrete të vogla janë pjesë e lojës dhe janë të paevitueshme.

Përgatiti: Manjola Ereqi  |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top