Në ditët e sotme ndodh shpesh të flasim për të rinjtë, për problematikat që ata shfaqin çdo ditë, e kryesisht, për varësinë e tyre ndaj teknologjisë. Përveç se është e dëmshme për sytë, qëndrimi gjatë në telefon, tablet apo kompjuter, është i dëmshëm edhe në aspektin personal dhe ndërpersonal. Sigurisht ka efekte pozitive, por më tepër negative. Ashtu siç njihen njerëzit me anë të internetit, ashtu edhe i acarojnë apo përfundojnë marrëdhëniet e tyre. Sigurisht që jemi njëzëri dakord se, komunikimi në distancë nuk është fare i mirë.
Qëndrimi para kompjuterit apo përdorimi i tepërt i telefonit e rrjeteve sociale është varësi. Na largon nga aktivitetet tona primare, duke na shpërqendruar, por ka edhe dobitë e veta. Për mua ka ndikuar shumë pozitivisht. Nga faqet që kisha bërë like në Facebook, ku në thelb të tyre kishte tematika psikologjike dhe filozofike, jam frymëzuar dhe kam krijuar librin tim tre vite më parë. Por, gjithçka ka dy anët e veta të medaljes, atë të mirë dhe të keqe. Ka rëndësi të madhe se ku e përqendrojmë interesin tonë. Vërtet realiteti është ai që është për të gjithë, por perceptimet tona ndryshojnë, dhe ne mendojmë se ndryshon dhe realiteti. Por jo! Ne duhet të përqendrohemi te virtytet dhe ato të kthehen të shumëfishuara te ne. Ashtu siç veprova unë, ka dhe mjaft të tjerë që rrjetet sociale, teknologjinë në përgjithësi, e përdorin për dobinë e tyre dhe të njerëzve rrotull tyre. Por sa të varur janë realisht të rinjtë sot, kryesisht adoleshentët? Dhe, cilat janë pasojat që kjo gjë sjell? Së fundmi jam mësuese në gjimnaz. Është shokuese për mua tek i shoh të rinjtë gjithë kohën me telefona në duar, me kufje në vesh duke dëgjuar muzikë, duke luajtur me lojëra, duke bërë foto, duke nxjerrë video aspak të vyera në rrjete sociale. Këtu nuk shoh asgjë pozitive, përkundrazi, e shoh sa të varur janë adoleshentët ndaj teknologjisë dhe sa keq po ndikon kjo te secili prej tyre. Duke ua zhvendosur vëmendjen nga shkolla dhe mësimet edhe në rastet kur ata janë në klasë, realisht janë vetëm fizikisht, por mendërisht jo. Mendërisht ata jetojnë një jetë virtuale, imagjinare, të shkëputur nga realiteti i tyre. Duket se fokusimi i vëmendjes, energjia dhe koha që i kushtojnë kësaj “varësie” si pasojë sjell një qëndrim të papërshtatshëm të tyre para mësuesve. Ata shpjegojnë, pyesin për mësime, përpiqen të edukojnë, të këshillojnë dhe të kritikojnë, por më kot. Mësuesit po ndikojnë pak tek të rinjtë në kohët e sotme, të cilët mendojnë për çdo gjë tjetër përveçse për të investuar për veten dhe të ardhmen e tyre. Është një përqindje e vogël e të rinjve që shoh në përditshmërinë time, të cilat kanë sjellje të mirë dhe janë të përkushtuar ndaj mësimeve. Pjesa më e madhe janë të përqendruar në fenomenin “telefono mania”. Vërtet këtë diagnozë mund t’i vëmë kësaj varësie ndaj teknologjisë dhe shkëputje ndaj vlerave të vërteta. Mënyra për ta pakësuar këtë ndikim jo të pëlqyeshëm tek të rinjtë mund të jetë menaxhimi apo bashkëpunimi i prindërve dhe stafit të institucionit shkollor me të rinjtë, duke ua larguar telefonin apo dhe tabletin, kompjuterin a alternativa të tjera teknologjike atyre. Duke caktuar një kohë relativisht të mjaftueshme për ta, që t’i përkushtohen teknologjisë, të gjejmë një balancë e të kërkojmë bashkëpunim me të rinjtë dhe të mos i lejojmë më ata të shfaqin varësi në “telefonomani” apo “teknomani”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.