Mirëqenie

August 16, 2017 | 11:16

Temperaturat e larta, si të shmanget rreziku tek të sëmurët me zemër

Temperaturat e larta janë një rrezik i shtuar, veçanërisht për të sëmurët me zemër dhe hipertension. Sipas mjekut kardiokirurg Endri Harja, valët e të nxehtit shoqërohen me rritje të vdekshmërisë e sëmundshmërisë dhe kjo është e lidhur pashmangshmërisht me moshën, çka do të thotë se në moshat e treta risku është edhe më i lartë.

Endri Harja Kardiokirurg

Endri Harja
Kardiokirurg

Përmes një interviste dhënë për gazetën, doktori ndalet edhe te shenjat klinike, të cilat duhet të na shqetësojnë në momentin e parë që nisin të shfaqen. “Dhimbje koke, lëkurë e lagësht dhe e ftohtë, marrje mendsh, të përziera e të vjella, dobësi e theksuar trupore dhe urinë e errët. Janë disa nga shenjat klinike te pacientët kardiakë. Nëse ndieni ndonjë nga këto simptoma, duhet të gjeni sa më shpejt një vend të freskët në hije. Në disa raste mund të jetë e nevojshme ndihma mjekësore”, pohon Harja, i cili na njeh edhe me listën e këshillave të nevojshme për të përballuar pikun e të nxehtit që ka mbizotëruar përgjatë gjithë ditëve të gushtit.

Jemi në sezonin veror dhe temperaturat e larta kanë bërë të vetën përgjatë këtyre ditëve. Por si ndikon moti i nxehtë te të sëmurët me zemër?

Është e ditur prej kohësh se temperaturat e larta dhe sëmundjet kardiovaskulare nuk janë bashkudhëtarë të këndshëm të njëri-tjetrit. Kjo, sepse në fund të fundit, gjithç- ka shpjegohet me efektet anë- sore të mekanizmave kompensatorë që aktivizon organizmi për uljen e temperaturës së trupit. Në pacientët me sëmundje kardiovaskulare këta mekanizma mbrojtës janë deficitarë për shkak të medikamenteve, që merren në terren të situatës shëndetësore të individit, efekteve kardiovaskulare të këtyre mekanizmave ose kombinimit të tyre. Rritja e fluksit të gjaku në lëkurë dhe djersitja janë dy mekanizmat primarë të shkëmbimit të nxehtësisë në qeniet njerëzore, të cilët na mbrojnë nga dëmtimet e shkaktuara nga i nxehti. Këto dy mekanizma kanë nevojë për punë të shtuar kardiake në mënyrë që të arrijnë efektin e tyre të dëshiruar, uljen e temperaturës trupore. Një rrjetë mjaft e ndërlikuar ndërveprimesh të sofistikuara vihet në veprim pas rritjes së temperaturës, por është jashtë diapazonit të kësaj interviste për t’u shpjeguar. Ajo që mund t’ju them është se valët e të nxehtit shoqërohen me rritje të mortalitetit e sëmundshmërisë, sidomos tek ata individë me gjendje të mëparshme shëndetësore si për shembull, insuficienca kardiake ose hipertensioni arterial. Ndër disa raste klasike të tyre mund të përmendim valën e të nxehtit në Chicago, në vitin 1995, ku u raportuan 700 raste të humbjes së jetës për shkak të temperaturave te larta. Në 2003 u shënua një tjetër valë në Europë, e cila shkaktoi mijëra humbje apo në Kaliforni, në 2006. Në të gjithë këto raste, u vu re se risku i mortalitetit nga i nxehti rritej proporcionalisht me moshën.

1Cilët janë individët më në risk?

Praktikisht të gjithë janë të rrezikuar. Më të rrezikuar janë ekstremet e moshave, d.m.th fëmijët e vegjël, të sapolindurit dhe të moshuarit. Fëmijët nuk i kanë ende të pjekur mirë mekanizmat mbrojtëse të rregullimit trupor e mund të dehidrohen mjaft lehtë. Të moshuarit janë më në risk për shkak të sëmundjeve shoqëruese, kryesisht atyre kardiovaskulare si insuficienca kardiake (pamundësia e zemrës për të pompuar gjak mjaftueshëm), sëmundja ishemike (mosfurnizimi me gjak i zemrës për shkak të ngushtimeve koronare) apo hipertensioni arterial, si dhe ulja e refleksit të etjes. Të rinjtë dhe mesomosha e kanë më të gjerë diapazonin e tolerancës ndaj të nxehtit, por edhe ata kanë një limit, përshembull gjatë një aktiviteti fizik të shprehur në temperatura të larta.

Cilat janë disa nga simptomat e lodhjes nga i nxehti te personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës?

Dhimbje koke, lëkurë e lagësht dhe e ftohtë, marrje mendsh, të përziera e të vjella, dobësi e theksuar trupore dhe urinë e errët. Janë disa nga shenjat klinike tek pacientët kardiakë. Nëse ndjeni ndonjë nga këto simptoma, duhet të gjeni sa më shpejt një vend të freskët në hije. Mundohuni të freskoheni duke përdorur shami të lagura dhe rrini pranë një ventilatori apo kondicioneri. Në disa raste mund të jetë e nevojshme ndihma mjekësore.

I njëjti kujdes duhet treguar edhe nga ata që janë operuar…

Për pacientët e operuar më parë nga zemra, këshillat janë të njëjta me sa më sipër. Nuk kanë ndryshime me pacientët e tjerë kardiakë. Në profesionin e kardiokirurgjisë e të kirurgjisë, në përgjithësi ekziston miti i shtyrjes apo shmangies së interventeve kirurgjikale gjatë stinës së verës apo ndonjëherë edhe dimrit. Ky mentalitet është i përhapur në komunitetin e pacientëve, mjekëve e në shoqëri në përgjithësi, sidomos në vendet në zhvillim. Kjo gjë ka qenë e vërtetë para shumë vitesh, kur nuk ekzistonin sistemet e kondicionimit në strukturat spitalore apo shëndetësore dhe kur njeriu ishte në mëshirën e tekave të natyrës. Sot, në shekullin e XXI, fatmirësisht nuk jemi më si në vitet e kaluara. Koha e kryerjes së procedurës apo interventit kirurgjikal përcaktohet vetëm nga faktorë mjekësorë shkencorë, jo nga stina apo moti.

Sa i takon trajtimit me medikamente, çfarë rekomandohet?

Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon në rastet kur jeni pacient kardiak mbi 50 vjeç të merrni masa të veçanta gjatë motit të nxehtë. Sa i takon trajtimit me medikamente, çfarë rekomandohet? Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon në rastet kur jeni pacient kardiak mbi 50 vjeç të merrni masa të veçanta gjatë motit të nxehtë. Disa medikamente të zemrës si betabllokuesit (metoprolol, atenolol, bisoprolol), ACE inhibitorë (enalapril, ramipril, etj), bllokues të kanaleve të kalciumit (amlodipinë, nifedipinë, lercanidipinë etj) dhe shkarkues (furosemide, torasemide etj) mund të ekzagjerojnë ose dëmtojnë përgjigjen trupore ndaj të nxehtit. Gjithsesi është e rëndë- sishme që këto medikamente të vazhdohen sipas këshillës së mjekut. Me kalimin e viteve, sidomos mbi moshën 50 vjec, refleksi i etjes nuk funksionon më si më parë dhe individi mund të mos e kuptojë se është i etur e trupi i tij ka nevojë për ujë

Në këto kushte, cilat janë këshillat që mund t’u vinë në ndihmë?

Këshillohet që të shmangen orët më të nxehta, sidomos nga ora 12 deri në 15, pasi rrezatimi diellor është më i fuqishëm gjatë kësaj periudhe duke rritur riskun për situatat shëndetësore të lidhura me të nxehtin. Në qoftë se dilni për të shëtitur, rekomandohet të jeni të shoqëruar me një mik pasi është më e sigurt dhe më kënaqësi të kesh dikë pranë. Vishni kë- pucë të lehta sportive, pasi këmba është një nga pjesët e trupit që djersit më shumë, mbani veshje të lehta, me ngjyra të hapura, material pambuku. Mbani kapele e syze dielli si edhe pini ujë mjaftueshëm. Pini disa gota ujë para se të dilni, gjatë shëtitjes e pas saj, edhe nëse nuk ndieni etje. Evitoni pijet me kafeinë ose ato alkoolike./Panorama

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top