Mirëqenie

January 16, 2021 | 8:03

Terapia e artit, imagjinata, dhe teknologjia post-moderne!

Qamil Gjyrezi, lektor i psikologjisë aplikative dhe terapisë së artit

Imagjinata ka një rëndësi të veçantë për artin dhe shkencën. Nëpërmjet të imagjinuarit, artistët, muzikantët, kompozitorët, instrumentistët, piktorët, shkrimtarët shprehin, transmetojnë imazhe të cilat kthehen në simbole, tinguj, nota muzikore, ngjyra, hapësira, fjalë dhe fjali që transmetojnë mesazhin tek lexuesit dhe shikuesit. Në të gjithë historinë e artit dhe dijes ka patur një debat për rolin që ka imagjinata në të dy fushat.

Edhe në fushën e dijes imagjinata lot një rol të rëndësishëm për studimet empirike dhe të thelluara në fusha të caktuara të shkencës dhe teknologjisë. Nëpërmjet imagjinatës, arsyes, logjikës dhe metodave të kërkimit arrijmë në përfundime me të dhëna cilësore dhe sasiore. 

Imagjinata ka një rol të rëndësishëm edhe për degën e psikologjisë. Sot në botën post-moderne kërkohet reformimi i disa disiplinave shkencore siç është psikologjia. Profesor Fadil Citaku shkruan: “Tani me avancimin e teknologjisë kompjuterike është e mundur të shikojmë qelizat e vetme të trurit dhe si funksionojnë ato në situata të ndryshme, prandaj duhet reformuar psikologjia, dhe të fokusohemi më shumë në të dhënat faktike nga Neuroshkenca. (F. Citaku “Psikologjia duhet të reformohet sa më parë” Revista Psikologjia 2021).

Në vitin 2008 kam shkruar në Venezia një punë me titull: “Hyrje në epistemologjinë e imagjinatës dhe terapia e artit”. Sot me zhvillimet moderne në fushën e teknologjisë së informacionit kemi mundësi të mëdha, që krahas imagjinatës njerëzore të përdorim edhe imagjinatën e teknologjisë. Por përsëri imagjinata njerëzore luan një rol të madh për artin dhe shkencën. 

2

Çfarë është termi imagjinata? 

Imagjinata dhe të imagjinuarit është proces njohës, i cili nuk manifestohet në mënyrë të izoluar por, është derivat i proceseve tjera njohëse, veçanërisht ndijimit dhe perceptimit si format më të thjeshta përmes të cilave arrihet kontakti i drejtpërdrejtë me ambientin, qoftë me atë jashtëm apo atë te brendshëm, qoftë me atë energjik, material apo shpirtëror të njeriut.

Imagjinata si proces njohës, ndihmon që individi ta pasurojë diapazonin e tij trunor me sekuenca imagjinare, të cilat realisht përbëjnë një gjimnastike trunore, e cila e provokon trurin në formë pozitive dhe ndikon jo vetëm në cilësinë funksionale por edhe materiale të tij.

Është një thënie shkencore se, truri inteligjent është ai që ka më shumë rrudha në koren e tij cereberum. Kjo dukuri arrihet përmes vetënxitjes personale në zhvillimin e trurit qoftë përmes punës aktive, si p.sh. të lexuarit, të vepruarit, pse jo edhe të menduarit. Puna apo aktiviteti fizik i njeriut ndikon në rritjen e aktivitetit mendor të njeriut.

Gjuha e imazheve, Gaston Baschelard dhe Albert Ajnshtajn

Gjuha e imazheve është lartësisht thirrëse dhe në lëmin multimedial kjo gjuhë dhe komunikimi viziv, marrin një rol themelor. Të imagjinuarit është një metodikë e përfaqësimit sipas koordinatave hapësinore të pavarura nga një objekt ose nga një skenë. Gaston Bachelard theksoi tensionin dialektik ndërmjet dy burimeve të një vepre, krijimit shkencore dhe imagjinatës poetike të qenies. 

 

Imagjinata është aftësia për të ndryshuar imazhet.

-Imagjinata nuk prodhon imazhe, por rrjeta, kalime, transformime, të cilat mundësojnë që të kalohet nga një shfaqje te një tjetër.

-Të imagjinuarit tregon përhershmërinë e një tendence të kundërt me ruajtjen në kujtesë.

-Është një prirje novatore se shkon më tej se sa njohuritë. Fizikani i madh Albert Ajnstain deklaronte për temën imagjinata: “Imagjinata është më e rëndësishme se njohuria, sepse njohuria është e kufizuar, ndërsa imagjinata përqafon gjithçka në botë, stimulon progresin dhe është burimi i evolucionit të saj. Duke folur në mënyrë rigoroze, imagjinata është faktor real në kërkimin shkencor” (Wiki 2020).

3

Imagjinata aktive e Carl Jung.

Carl Jung ka studime me rëndësi të madhe për imagjinatën dhe imagjinatën aktive, arketipet dhe studimi i artit, pikturës.

Imagjinata aktive është një metodë e veçantë për të përdorur fuqinë e imagjinatës, të zhvilluar nga Jung në fillim të këtij shekulli. Përkundër faktit se kjo metodë është përdorur nga shumë njerëz dhe vlera e saj e madhe praktike është provuar mirë, pak njerëz e dinë për këtë, me përjashtim të pasuesve të hipotezës së Jungut. Dhe shumë nga ata që kanë dëgjuar për të besojnë se nuk e kuptojnë aq mirë sa ta bëjnë atë në praktikë.

Së pari duhen shqyrtuar konceptet themelore të imagjinatës aktive dhe duhet të shihen shembujt për ta mësuar imagjinatën aktive fazë-pas-faze dhe pastaj për ta praktikuar imagjinatën aktive vetë studiuesit dhe këshilluesit psikologjik. Në thelb, imagjinata aktive është një dialog me veten, që ju keni me pjesë të ndryshme të “Unit” tuaj që jetojnë pa ndjenja. Në një kuptim, është e ngjashme me një ëndërr. Në vend që të bini në gjumë, lejoni që imazhet e pavetëdijshme të ngrihen në nivelin e imagjinatës suaj, siç bëjnë në ëndrrat që ju vizitojnë gjatë gjumit. Në imagjinatën tuaj, ju filloni të flisni dhe të ndërveproni me imazhet tuaja. Ata ju përgjigjen. Ju do të habiteni kur mësoni se ato shprehin pikëpamje që janë saktësisht të kundërta me ato në mendjen tuaj të ndërgjegjshme.

Ata ju tregojnë për gjëra për të cilat nuk keni qenë të vetëdijshëm deri më tani, dhe ju tregojnë mendime që janë ende të panjohura për mendjen tuaj të ndërgjegjshme.

Shumica e njerëzve në procesin e imagjinatës aktive kanë biseda të gjalla, shkëmbejnë mendime me figura të brendshme, përpiqen të pajtojnë pikëpamjet e kundërta, madje kërkojnë këshilla nga të urtët që jetojnë në pa ndjenja. Por jo të gjitha bisedat zhvillohen përmes fjalëve. Bisedat mund të zhvillohen edhe nëpërmjet gjuhës së simboleve dhe shenjave artistike, tingujve dhe ngjyrave dhe elementëve të tjerë që përdorën në gjuhën e artit.

 

Bibliografia: Burime interneti: Imagjinata. Gaston Bachelard dhe Carl Jung 2021.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top