Terapia kangur, e njohur ndërkombëtarisht si Kangaroo Care, është një praktikë e thjeshtë por tepër e fuqishme që mund t’u shpëtojë jetën foshnjave të lindura para kohe. E rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), kjo metodë përmirëson rritjen, ushqyerjen me gji dhe zhvillimin neurologjik, duke reduktuar stresin, infeksionet dhe rrezikun e vdekjes. Një përqafim që shpëton jetë.
Terapia kangur konsiston në vendosjen e foshnjës direkt mbi gjoksin e nënës apo të babait, në kontakt të drejtëpërdrejtë lëkurë më lëkurë. Nuk është thjesht një gjest dashurie, por një ndërhyrje terapeutike e njohur globalisht për efektet pozitive që ka në shëndetin e foshnjës. OBSH e rekomandon këtë si trajtim standard për çdo të porsalindur para kohe ose me peshë të ulët, duke këshilluar fillimin sa më të hershëm dhe zbatimin për të paktën 8 orë në ditë, në sesione jo më pak se dy orëshe.
Studime të shumta kanë treguar se kjo qasje ul ndjeshëm vdekshmërinë neonatale, rrit gjasat për ushqyerje me gji dhe ndihmon në shtimin e peshës së foshnjës. Por përfitimet nuk ndalen këtu. Sipas profesor Massimo Agosti, kryetar i Shoqatës Italiane të Neonatologjisë, kërkimet e fundit tregojnë gjithashtu se terapia kangur ka një efekt mbrojtës në zhvillimin e trurit, me ndikim pozitiv në aftësitë njohëse dhe marrëdhëniet sociale të foshnjës deri në moshën 12 muajshe.
Përfitimet e provuara të terapisë kangur
Terapia kangur ndikon në disa aspekte njëkohësisht: fizikisht, neurologjikisht dhe emocionalisht. Kontakti lëkurë më lëkurë ndihmon në reduktimin e stresit, rregullimin e temperaturës trupore dhe stabilizimin e parametrave jetësorë të foshnjës. Në nivel truri, ajo stimulon zhvillimin neurokognitiv, falë rritjes së hormonit të oksitocinës dhe uljes së kortizolit tek nëna – efekte të dukshme edhe pas lindjeve me prerje cezariane emergjente.
Përfitime vërehen edhe tek nëna dhe familja në tërësi: praktika përmirëson qëndrueshmërinë psikologjike të nënës, ul ndjeshëm infeksionet tek të porsalindurit dhe ndihmon në shkurtimin e qëndrimit në spital. Një tjetër e mirë që po evidentohet nga studimet e fundit është transferimi i mikrobiomës së dobishme nga nëna tek foshnja, gjë që kontribuon në mbrojtjen nga bakteret e dëmshme.
Vijimi i kujdesit: nga terapia intensive në shtëpi
Vlera e terapisë kangur nuk mbaron në ambientet spitalore. Ekspertët këshillojnë që ajo të vazhdohet edhe pas daljes nga spitali, sidomos për foshnjat e lindura para kohe. Dëshmitë tregojnë se vazhdimi i praktikës në shtëpi ndihmon në rritje më të mirë fizike dhe rrit konsumimin e qumështit të gjirit. Metoda është efektive edhe për foshnjat që lindin në kohë, duke parandaluar hipoterminë dhe zbutur dhimbjet që mund të shkaktojnë disa procedura mjekësore.
Sot, 15 maj, me rastin e Ditës Botërore të Terapisë Kangur, mesazhi është i qartë: “Në krahët e mi, ti rritesh.” Një thirrje për të vlerësuar fuqinë e kontaktit njerëzor – një përqafim që sjell mirëqenie, siguri dhe stabilitet për të porsalindurin. Një gjest i thjeshtë që shpesh ka më shumë ndikim sesa shumë teknologji të avancuara në kujdesin mjekësor.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.