Dua Lipa performoi në “Brit Awards 2021”, duke sjellë disa pjesë nga albumi i saj “Future Nostalgia”. Këngëtarja shqiptare me famë botërore tërhoqi vëmendjen e të gjithëve teksa ecte në tapetin e kuq të teatrit “Arena” të Londrës, shkruan “Daily Mail”.
25-vjeçarja, e nominuar për tre çmime, shkëlqeu ndërsa u bashkua me Maya Jama, Mabel dhe Sheridan Smith në ceremoninë që ka mbledhur me dhjetëra personazhe të njohur. “Brit Awards 2021” është ngjarja e parë e madhe në Angli që nga fillimi i pandemisë.
Dua u shfaq e veshur me një fustan të verdhë, të stiluar nga Vivienne Westwood Couture, me një dekolte të theksuar ngjyrë lejla, që kombinohej edhe me takat e larta të artistes. Lipa dhe Griff ishin këngëtaret e para që performuan në këtë ceremoni të rëndësishme.
Këngëtarja e “Levitating” dhe fituesja e çmimit “Rising Star”, tha për ceremoninë se:
“Jam shumë e lumtur që do të kthehem duke performuar për të gjithë ju në BRIT këtë vit. Do të jetë shumë e veçantë të rikthehem në skenë në Britaninë e Madhe”.
Look-u që Dua kishte zgjedhur i kujtoi të gjithëve këngëtaren e ndjerë Amy Winehouse, e cila gjithashtu mori pjesë në “Brit Awards 2007” dhe mbante veshur një fustan të verdhë të shkurtër.
Dua fitoi çmimet “Këngëtarja më e mirë” dhe “Albumi më i mirë” për albumin e saj “Future Nostalgia”.
Ajo u shpreh shumë e lumtur për çmimet e fituara dhe falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e saj teksa u ngjit në skenë për të marrë kupën e fitores.
“Dua të them faleminderit çdokujt, sepse ky album më ka mësuar shumë, besim, fuqi dhe kurajo. Më ka dhënë shumë dashuri dhe miqësi dhe jam shumë mirënjohëse për të gjithë njerëzit që krijuan këtë album”, u shpreh Dua pasi fitoi çmimin “Albumi më i mirë”.
Burimi / Panorama Plus
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.