Një test i thjeshtë gjaku, që mund të zbulojë 10 lloje të ndryshme kanceri shumë vite para se dikush të sëmuret, është përshkruar si “graili i shenjtë” në kërkimet shkencore mbi kancerin.
Shkencëtarët në Amerikë kanë zbuluar se një test i thjeshtë mund të zbulojë shenjat e para të kancerit të gjirit, vezores, zorrës, mushkërive etj. Ky test funksionon duke marrë segmente nga ADN-ja e qelizave kancerogjene. Gjatë një studimi të kryer tek më shumë se 1400 njerëz, testi i trefishtë rezultoi 90% i saktë.
Autorët e studimit, të drejtuar nga Klinika Cleveland në Ohajo, do t’i prezantojnë rezultatet gjatë konferencës vjetore të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike në Çikago. Ata shpresojnë që ky test të jetë i disponueshëm brenda 10 vitesh.
“Ky është potencialisht graili i shenjtë në studimet mbi kancerin, që mund të zbulojë në faza të hershme lloje kanceri të vështira për t’u kuruar, dhe shpresojmë që ky test të mund të shpëtojë disa jetë njerëzish”, thotë autori kryesor i studimit, dr. Eric Klein.
Testi ka zbuluar shenjat e para paralajmëruese në gjak për 10 lloje të ndryshme kanceri, me një saktësi më shumë se 50%. Rezultate më të mira pati për kancerin e vezores dhe të pankreasit, ku u diagnostikuan 90% dhe 80% e njerëzve me këto sëmundje. 4 nga 5 njerëz u diagnostikuan gjithashtu saktësisht me kancer të mëlçisë dhe fshikëzën e tëmthit. Ndërsa për kancerin e gjakut, si limfoma dhe mieloma, saktësia ishte 77% dhe 73%, ndërkohë që 2/3 e njerëzve u diagnostikuan në mënyrë korrekte me kancer të zorrës.
Rezultatet për kancerin e gjirit ishin 58% të sakta, dhe testi zbuloi gjithashtu kancerin e mushkërive, të fytit, të kokës dhe të qafës me më shumë se 50% saktësi.
Burimi / shendeti.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.