Sipas studimeve kombëtare mbi shëndetin e fëmijëve nga Departamenti i Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimet Humane, nënat me shëndet të shkëlqyer ose të mirë raportojnë lindje të fëmijëve me shëndet të shkëlqyer ose shumë të mirë. Për këtë arsye, mjekët rekomandojnë fuqishëm dhe theksojnë rëndësinë e dietës së shëndetshme ushqimore, aktivitetit fizik, kujdesit ndaj ambientit dhe njëri-tjetrit.
Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.LARTI
Qëndroni larg kimikateve
Toksinat e ambientit janë rreziqe serioze për shëndetin e fëmijëve. “Truri në zhvillim i fëmijëve dhe sistemet hormonale janë shumë të cenueshëm nga kimikatet toksike, dhe trupat e tyre nuk i proçesojnë toksinat njësoj si trupat e të rriturve” thotë Jane Houlihan, Zv. Presidente e projektit kërkimor të Grupit Ambientalist të Punës në Uashington.
Një raport i vitit 2008 rreth BPA (Bisfenol), derivat i naftës i cili imiton estrogjenin në organizëm, gjendet në shumë produkte plastike që ne përdorim çdo ditë. Programi Kombëtar i Toksikologjisë listoi shqetësimet reale rreth efekteve potenciale në zhvillimin e trurit, gjëndrave të prostatës dhe sjelljen e fetuseve, foshnjave dhe fëmijëve të cilët ekspozohen së tepërmi ndaj këtij përbërësi kimik; fatalitet gjenden në produkte si lodrat e fëmijëve, produktet kozmetike, farmaceutike dhe produktet e pastrimit janë lidhur me kancerin e mëlçisë dhe gjirit dhe dëmtimin e sistemeve riprodhuese femërore dhe mashkullore.
Ju mund të mos jeni në gjendje t’i shmangni toksinat në tërësi, por mund të limitoni ekspozimin ndaj tyre nëpërmjet disa hapave të rëndësishëm.
Shikoni me vëmendje përbërësit e produkteve të sipërpërmendur dhe shmangni blerjen dhe përdorimin e produkteve që përmbajnë triklosan, BHA, aromë dhe oksibenzon, blini produkte organike dhe natyrale dhe fruta e perime ku nuk janë përdorur pesticide, shmangni shishet plastike të tejdukshme ku shikoni të shënuar “7” ose “PC”, shmangni lodrat plastike me shenjën “3” ose “PVC”.
Nxirrini fëmijët jashtë
Fëmijët e ditëve të sotshme shpenzojnë rreth 7 orë në ditë para ekraneve elektronike.
Faktet tregojnë se loja e fëmijëve në ambiente të jashtme shoqërohet me nivele të ulëta të obesitetit të fëmijëve, nivele optimale të Vitaminës D, simptoma më të ulëta të ADHD, përmirësim të shikimit në distanca të largëta dhe inteligjencë të shtuar. “Duke shpenzuar kohë në natyrë, fëmija zhvillon vetë-besim dhe aftësi ripërtëritëse për të përballuar problemet dhe sfidat e jetës”, thotë Marilyn Wedge Ph.D., M.F.T., terapiste e linçensuar familjare në Westlake Village, Kaliforni. Aktivitetet në natyrë i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë gjithashtu vlerësim për ambientin natyral ku jetojmë.
Inkurajoni dhembshurinë
Sipas një studimi të prezantuar në takimin vjetor të Shoqatës së Shkencës Psikologjike në 2010, nga Universiteti i Miçiganit, ndjeshmëria nuk është pika e dobët e studentëve të sotshëm të universiteteve. “Shumë njerëz i referohen këtij grupi studentësh si një prej grupeve më narsicistë, egocentrikë, konkurrues, individualistë dhe plot vetëbesim, në historinë e dekadave të fundit”, thotë Sara Konrath, e cila thekson se grupi me më pak ndjeshmëri për të tjerët është grupi i studentëve që kanë studiuar pas vitit 2000. Studentët e sotshëm janë 40 % më pak altruistë se studentët para 20 apo 30 viteve, sipas testeve standarde të karakteristikave të personalitetit”, shton ajo.
Ç’mund të bëjmë? Përveç inkurajimit të fëmijëve për të bërë shërbime komunitare në mënyrë vullnetare, fëmijët duhen inkurajuar që të ndihmojnë njëri-tjetrin, të mësohen që të mos krijojnë stereotipizime rreth racës, gjinisë dhe orientimit seksual, duke diskutuar pozitivisht ndryshimet.
Minimizoni mjekimet
Raportet e kohëve të fundit deklarojnë se fëmijët janë demografia kryesore në rritje e industrisë farmaceutike, ku 1 në 4 fëmijë marrin medikamente me recetë mjeku për kondicione si ADHD, diabeti i tipit 2 dhe depresioni. Është vërtetuar se mjekimet e ADHD kanë efekte anësore tek fëmijët si çrregullimet e gjumit, ndryshime të gjendjeve emocionale dhe probleme gastrointestinale, dhe më e keqja është se përdorimi i ilaçeve antidepresive tek fëmijët lidhet edhe me rrezik të shtuar mendimesh vetëvrasjeje. Edhe përdorimi i tepërt i ilaçeve pa recetë, si psh ilaçet kundër gripit dhe ftohjes, kanë efekte anësore.
Sigurisht që mjekimet mund të jenë të nevojshme, dhe të domosdoshme, por nëse fëmija vuan nga një kondicion i lehtë, qoftë mendor, apo fizik, medikamentet nuk janë gjithmonë opsioni më i mirë. Në rastin e problemeve me sjelljen, eliminoni problemet e mundshme fizike para se të pranoni diagnozën ADHD. Dhe në rast se çrregullimet e sjelljes këmbëngulin, provoni terapinë psikike para se ti jepni fëmijës suaj ilaçe me recetë.
Nuk është për tu nënvlerësuar as trajtimi me bimë dhe produkte natyrale, për shqetësimet fizike dhe emocionale të fëmijës suaj.
Familja e zgjeruar
Megjithëse lidhjet teknologjike në kohën moderne mundësojnë kontaktet ndër-njerëzore, izolimi social është një çështje problematike për fëmijët e sotshëm. Shumë familje nuk kontaktojnë me familjen e zgjeruar, për shkak të mungesës së kohës e distancave të largëta, dhe shumë fëmijë thuajse nuk i njohin gjyshërit dhe motrat e vëllezërit e prindërve të tyre.
Por, sipas Wedge, të afërmit i shtojnë shumë vlerë jetës së fëmijëve. “Ata mund të zbulojnë se kanë shumë gjëra të përbashkëta me të afërmit. Rrëfimet e historive të përvojave fëmijërore të të afërmve, i bëjnë fëmijët të ndjehen se janë pjesë e një familje të madhe me një histori unike” sipas Ungar.
Gjithashtu njohja e fqinjëve, miqve, dhe prindërve të fëmijëve të tjerë, i bëjnë fëmijët të krijojnë ndjenjën e përkatësisë. Gjithashtu, mësojini fëmijët tuaj të jenë miqësorë me të tjerët, e ti ndihmojnë ata në rast nevoje, për arsye se kjo i ndihmon të krijojnë ndjesinë e përgjegjësisë dhe lidhjes. I bën të kuptojnë se janë të rëndësishëm, se kanë ç’të kontribuojnë, dhe se janë pjesë e një botë që vërtet i vlerëson dhe ka nevojë për ta.
Ushqejini mirë
Ushqimi i proçesuar nuk është i mirë për askënd, por është shpesh e vështirë ti rezistohet, për shkak të mungesës së kohës dhe mundësisë për të gatuar çdo herë ushqim të freskët. Sheqeri i shtuar është një tjetër çështje shqetësuese, pasi përbën 16% të kalorive në ushqimet e sotshme. Sipas studimeve të fundit, problemet dietike përfshijnë rrezik të rritur për obesitet, mungesë gëzimi dhe koeficient më të ulët inteligjence. Edhe ushqimet e freskëta, janë ndonjëherë të mbushura me kimikate të cilat komprometojnë shëndetin e fëmijës.
Zgjidhja më e mirë është blerja e ushqimeve organike dhe natyrale, dhe zhvillimi i zakoneve të shëndetshme të të ngrënit, duke filluar nga vetja. Rekomandimet e zakonshme për fëmijë 2 vjeç e lart theksojnë një dietë të pasur me fruta, perime, drithëra integrale, bulmet me nivel të ulët yndyre, peshk, bishtajore dhe mish pa dhjamë. “Sigurohuni gjithashtu se fëmijët tuaj marrin nivelin e mjaftueshëm të fibrave dhe kaliumit në ditë” thotë Eileen Behan, mjeke dietologe në Exeter, (autore e shumë librave për ushqimin e fëmijëve dhe krijuese e projektit “For the Love of Food” fortheloveoffood.org). Ajo thotë se fëmijët shpesh nuk i marrin ushqyesit e duhur, pasi nuk konsumojnë fruta, perime dhe drithëra. Burime të mirë ushqimore janë bananet, pjepri,luleshtrydhet, patatet e ziera ose të pjekura, dhe buka integrale. Sigurisht, ndonjëherë fëmijët mund ti trajtoni me ëmbëlsira ose akullore, por baza ushqimore duhet të jetë e shëndetshme.
Vaktet duhet të jenë kuptimplota
75% e fëmijëve hanë vakte me familjet e tyre rreth 4 herë në javë. Sipas Anketës Kombëtare të Shëndetit të Fëmijëve –dhe një rishikimi të 17 studimeve të publikuara në Qershor 2011 në revistën Pediatrics), rezulton se fëmijët që hanë vakte familjare 3 herë ose më shumë në javë, janë më pak të rrezikuar të shtojnë peshë se të tjerët. Gjithashtu kërkimi rezultoi se fëmijët që hanë darkë rregullisht me familjet e tyre, janë gjithashtu emocionalisht më të qëndrueshëm dhe më pak të prirur të përdorin droga, duhan dhe alkool.
“Në rast se pengesa për të ngrënë darka familjare është koha apo preferencat e ndryshme ushqimore, mund ti gatuani vaktet në fundjave e ti shërbeni të ngrohura gjatë javës”, sugjeron Behan.
Përfshini të gjithë familjen në planifikimin ushqimor, gjithashtu, dhe gatuani së bashku, duke përfshirë fëmijët në të gjithë procesin e gatimit e shërbimit. Vaktet e ngrëna së bashku ofrojnë gjithashtu mundësinë perfektë për të riforcuar konceptin e familjes, dhe traditës kulturore.
“Këto ritual u japin fëmijëve ndjesinë e identitetit dhe parashikueshmërisë, që në kthim ofron më shumë vetëbesim dhe siguri”, thotë Carter. “Është gjithashtu mundësi për të shprehur mirënjohje, gjë që i bën njerëzit më të gëzuar, të interesuar, entuziastë, të sjellshëm, të vendosur, e të fortë”.
Dëgjoni nga zemra
Për arsye se jemi të ngarkuar, jemi skeptikë apo cinikë rreth aftësisë së fëmijëve për të komunikuar qartë nevojat e tyre, shumë prej nesh i injorojmë kërkesat e fëmijëve tanë.
“Të dëgjuarit, mund të jetë çuditërisht i vështirë”, thotë Rodrigues. “Si prindër ne hidhemi menjëherë në konkluzione, ose mendojmë se e kuptojmë dhe e dimë situatën. Kur fëmija thotë që është i uritur, ne themi “Jo nuk je, sapo ke ngrënë”. Kur fëmija thotë “Jam i lodhur”, ne themi “Po, sigurisht, ka kaluar orari i gjumit”. Dhe kur ndonjëherë fëmija ankohet se është sëmurë, ne mendojmë se ai thjesht nuk dëshiron të shkojë në shkollë.
Të gjitha këto reagimet tonat kanë kostot e veta. “Një fëmijë që refuzohet në mënyrë të vazhdueshme, dorëzohet ose bëhet indiferent”, thotë Ungar. “Por, kur shpresat, mendimet, frikërat dhe ëndrrat e një fëmije vlerësohen, fëmijët frymëzohen që të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre, dhe ofrojnë në kthim kontribute të fuqishme dhe të vlefshme. Pra, nëse fëmija juaj ankohet për sëmundje, uri, lodhje apo çfarëdolloj gjëje tjetër, bëjini me dije se kërkesa e tyre dëgjohet. Dhe kushtojini po aq vëmendje mënyrës se si shprehet, sa edhe fjalëve që thotë, duke kërkuar më shumë informacion, nëse është e nevojshme”, këshillon Rodrigues. “Gjithashtu, duhet ti besoni intuitës suaj dhe të reflektoni për arsyen e mundshme të shqetësimit të fëmijës suaj. Vetëm duhet të dëgjoni me vëmendje. Në rast se jeni të vëmendshëm, dashuria, zgjuarsia dhe forca juaj do jetë në gjendje të gjejë zgjidhjen e përshtatshme për situatën.
Ajo çka fëmijët përjetojnë me prindërit dhe të rriturit e tjerë, ndikon shumë në të ardhmen e tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.