Shumë njerëz kërkojnë imazhin e përsosur te një person tjetër, një pasqyrë të potencialit të tyre të paplotësuar, një pasqyrim të asaj që dëshirojnë të jenë, por kanë frikë të marrin përgjegjësinë për të eksploruar. Kështu, ky imazh bëhet një pol tërheqës. Jo sepse përfaqëson lidhjen e vërtetë, por sepse krijon iluzionin se përmes anës tjetër do të jenë të plotë, do të gjejnë atë që u mungon. Dhe kjo, sado e natyrshme të duket, është një kurth që të çon në një rrugë pa krye.
Thelbi i vërtetë nuk gjendet në imazhin e idealizuar të tjetrit, por në thelbin e të qenit i pranishëm. Të jesh në gjendje të qëndrosh pranë një personi tjetër, jo vetëm në momente lumturie dhe harmonie, por edhe në vështirësi e stuhi, është prova e vërtetë e një marrëdhënieje që ka thellësi. Është romantike, por edhe thellësisht njerëzore, të shohësh dikë që me vetëdije zgjedh të qëndrojë. Të qëndrosh kur është e vështirë, të durosh provën e bisedave të sinqerta, të dhimbshme, të mos kesh frikë të zbulosh pjesët më të papërsosura dhe më të brishta të vetes.
Një marrëdhënie e vërtetë është ajo që bazohet në reciprocitetin, barazinë dhe pranimin se askush nuk është i përsosur. Është një bashkim i dy njerëzve të papërsosur që zgjedhin të piqen së bashku. Të cilët e shohin njëri-tjetrin si një bashkëudhëtar në jetë, dikë që i’a vlen të përmbahesh, edhe kur jeta të vë në provë kufijtë. Rëndësia nuk qëndron në faktin nëse personi tjetër është i përsosur, por në atë se ai është i vendosur të jetë aty, të dashurojë, të vlerësojë, të provojë me veprimet e tij se marrëdhënia juaj është e rëndësishme.
Ky është thelbi i dashurisë: gjetja e një mënyre për të njohur bukurinë në papërsosmëritë dhe krijimi i një hapësire ku të dy mund të lulëzojnë. Është të zgjohesh me mendimin e personit tjetër dhe të flesh me mirënjohje që ekziston për të. Ka të bëjë me mbajtjen fort në stuhi, të investosh në lidhje, të zgjedhësh të duash çdo ditë, edhe kur dashuria kërkon sakrificë, durim dhe forcë mendore.
Duhet forcë, në të vërtetë, për të lënë pas nevojën fëminore për iluzionin e përsosmërisë. Duhet guxim për të ndjekur marrëdhënie të bazuara në komunikim të vërtetë, të thellë, reciprocitet dhe respekt. Është një proces i vazhdueshëm: ndërtimi i urave që lidhin ju dhe personin tjetër në një rrugë emocionesh, ku “unë” dhe “ti” bëhen “ne”.
Sepse në fund të fundit, thelbi i një marrëdhënieje nuk është një pamje perfekte. Është ndarja e vërtetë. Vendimi për t’u lidhur me dikë me ndershmëri, përgjegjësi dhe besim në vlerën e marrëdhënies suaj. Ka të bëjë me maturimin së bashku, gjetjen e vetes përmes syve të njëri-tjetrit dhe të qenit prezent – plotësisht, vërtetë, njerëzisht.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.