Psikofakt

October 26, 2016 | 7:02

Thinjat dhe rrudhat e para

Cili apo cila nga ne është gëzuar kur ka vënë re thinjën e parë në flokët e vet? Me gjithë mungesën e statistikave në këtë drejtim, përgjigjja imagjinohet pa ndonjë vështirësi të madhe: Ajo apo ai, por, me gjasë, më së shumti ajo, ka përjetuar një ndjenjë habie disi të pakëndshme të përzier me pak trishtim dhe, po me aq gjasë, ka menduar: “Ah, rinia po më lë shëndetin”, sidomos nëse kjo thinjë e parë shfaqet në vjeshtë, kur bien gjethet.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Pas këtij mendimi, ndoshta dora i ka shkuar thuajse vetvetiu te flokët. Atje ka veçuar, përpara pasqyrës mospërfillëse, me një lëvizje të ngadalshme atë fije të argjendtë ndoshta me idenë që mund ta shkulte, ku i dihet, ajo mund të mos mbinte sërish ose mund të rishfaqej pas shumë kohësh. Sidoqoftë, ka nga ato apo nga ata që e shkulin menjëherë thinjën e pafajshme, të tjera ose të tjerë e tërheqin lehtas, pastaj e lënë në vend, duke tundur lehtë kokën me një buzëqeshje melankolike. E njëjta pyetje mund të shtrohet edhe për ato apo ata, por, me gjasë, më së shumti ato, që vërejnë rrudhat e para në fytyrë: e njëjta ndjenjë, i njëjti trishtim, i njëjti mendim, sigurisht, i shoqëruar nga një lëvizje të ankthshme duarsh, ato e kanë fërkuar fort lëkurën ose ia kanë hedhur fajin pagjumësisë, lodhjes, ndoshta edhe pasqyrës, anipse nuk vuajnë nga kompleksi i njerkës së Borëbardhës. Në epokën e sotme, me krijimin e kushteve dhe të mundësive fantastike që mjekësia dhe tregu farmaceutik u ofrojnë femrave dhe meshkujve për t’i vonuar, duke i maskuar thuajse përsosurisht pasojat mjerisht të pashmangshme të plakjes, thinjat e para, rrudhat e para nuk përbëjnë më, për asnjërën e për asnjërin, një moment aq tronditës sa dikur para disa dekadash. Nga ana tjetër, jo vetëm për ato e ata që, për arsye financiare, nuk e kanë mundësinë t’i drejtohen mjekësisë plastike, estetike apo restauruese për ta zgjatur rininë e tyre, por edhe për ato e ata që e kanë atë mundësi, një gjë është thelbësore: përjetimi psikologjik apo, më saktë, shpirtëror, i shfaqjes së thinjave e rrudhave të para. Plakja është pjesë e jetës njerëzore, shenjat e gjurmët e saj të pashlyeshme duhen konsideruar si tonat, pra, ato duhen perceptuar pozitivisht, si dëshmi, ndër të tjera, të viteve që kemi kaluar, me të mirat e të këqijat e tyre, si firma që kemi hedhur për investimet tona ekzistenciale, si provë që ne po i qëndrojmë kohës, duke humbur jo pak në pamjen tonë të jashtme, por duke fituar shumë në pamjen tonë të brendshme. Në këtë pikëpamje, nuk ka e nuk mund të ketë thinja e rrudha të shëmtuara, sepse ato janë gjithashtu dëshmi e përvojës sonë jetësore, ato janë brazdat jetëdhënëse ku fëmijët, bijat e bijtë, mbesat e nipërit tanë mund e duhet të mbjellin kureshtjen e tyre të dëlirë për të korrur frytet e përvojës së më të vjetërve në mënyrë që të mos përsëritin gabimet e brezave të mëparshëm, përballjes së tyre me të papriturat e jetës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top