Mirëqenie

August 25, 2016 | 8:51

Thjeshtësoni jetën duke gjetur ekuilibrin

Ndiheni të stresuar dhe “të humbur” në vështirësitë e jetës së përditshme? Ndiqni sugjerimet tona dhe do të jetoni në mënyrë më të thjeshtë dhe më të relaksuar…

 

Ndoshta ndikon fakti se gjërat po ju ecin mbarë kur përfshiheni personalisht në zgjidhjen e tyre. Secili prej nesh ka limitet e veta (nuk mund të bësh gjithçka vetë). Nëse do ta mundoni shumë veten, ka gjasa që në një moment të dorëzoheni. Hidhuni një sy këtyre pohimeve dhe shikoni se në sa prej tyre e gjeni veten…

• Jam gjatë gjithë kohës e zënë, por nuk ia dal të bëj ndonjë gjë dhe s’shoh rezultate konkrete

• Shpeshherë nuk di se me çfarë duhet të filloj

• Çdo mbrëmje ndihem e rraskapitur

• E kam të vështirë të refuzoj dikë që më kërkon një nder

• Asnjeri nuk më ofron ndihmë

• Kam përshtypjen sikur jeta kalon afër meje Nëse një prej këtyre pohimeve u përshtatet, do të thotë se po e mundoni veten më shumë sesa mundësitë që keni. Prandaj, nuk është për t’u habitur pse ndiheni të pafuqishëm. Është mirë të keni një jetë të mbushur. Mirëpo, në rast se keni ndjesinë se shumë gjëra jua vështirësojnë ekzistencën dhe disa prej tyre i keni jashtë kontrollit, do të thotë se duhet të ndryshoni stilin e jetesës duke organizuar kohën dhe jetën në mënyrë sa më eficente. Më poshtë po ju ofrojmë një guidë, e cila do t’ju ndihmojë të bëni hapat e parë drejt një jete sa më të thjeshtë!

 

Përdorni spontanitetin

Rutina ju ndihmon t’i zgjidhni problemet në mënyrë të organizuar, por pak spontanitet nuk prish punë. Lërini punët e planifikuara sot për një ditë tjetër dhe ndryshojeni rrënjësisht programin ditor. Dilni jashtë qytetit për ajër të pastër dhe mendoni se çfarë mund të bëni për një jetë më të thjeshtë dhe më të gëzueshme.

 

Shpëtoni nga gjërat që nuk u jepni më kuptim

Shpeshherë e komplikojmë jetën pa arsye, duke u rrethuar nga persona dhe gjëra për të cilat nuk kemi nevojë. Herë pas here është mirë të bëni “pastrim” të përgjithshëm.

 

Mos i spostoni detyrat që keni

Nëse lini që parregullsia të marrë përmasa të mëdha, ose do të mësoheni të jetoni kështu, ose do të ndiheni të pafuqishëm përballë përmasave që ajo mund të marrë. Në qoftë se rrëmuja zotëron në shtëpinë tuaj, programoni një fundjavë për t’u marrë me sistemimin e gjërave. Pasi të mbaroni, si shpërblim për punën e bërë, dilni për një darkë në qytet.

 

Filloni me hapa të vegjël

Filloni me hapa të vegjël, nëse detyra që i keni caktuar vetes është shumë e madhe dhe ndiheni se po i tejkaloni mundësitë që keni. Përzgjidhni mes revistave të vjetra, vini rregull nëpër rafte. Gradualisht do të gjeni kurajën dhe dëshirën të bëni detyra më të vështira.

 

Hidhni çdo gjë që nuk përdorni më

Zakonisht përdorim vetëm 20% të gjërave që mbajmë. Të tjerat janë veçse gjëra të padobishme dhe pa asnjë vlerë, të cilat duhen hedhur. Në rast se midis tyre gjenden dhe gjëra për të cilat nuk jeni të sigurt (nëse ju duhen ende), mbajini ato në një kuti për një kohë të limituar. Në qoftë se gjatë kësaj kohe nuk i përdorni, do të thotë se është rasti të hiqni dorë prej tyre pa asnjëlloj pendese.

 

Vendosni rregull në jetën tuaj

Hiqni dorë nga çdo gjë që ju shkakton stres dhe nuk ju jep më asnjë kënaqësi. Veproni në këtë mënyrë jo vetëm me gjërat e panevojshme, por edhe me personat ose detyrat që ju bëjnë të palumtur. Hiqni dorë nga çdo gjë e tepërt ose e panevojshme dhe jeta juaj do të jetë më pak e komplikuar dhe më cilësore.

 

Zgjidhje të menjëhershme

Teknologjia moderne jua lehtëson jetën, por njëkohësisht ajo mund t’ju “vjedhë” energjinë. Celularët ju mbajnë në kontakt me gjithë botën, përfshirë persona dhe situata stresuese. Interneti dhe posta elektronike ju mbajnë të informuar me informacione të fundit, por ju mbajnë larg disa gjërave që detyroheni t’i lini pas dore. Televizori ju fton të relaksoheni, por njëkohësisht të shpenzoni shumë kohë me të mund të rezultojë deprimuese, për shkak të uljes së nivelit energjetik. Kështu që e nesërmja mund të konsiderohet “plot me energji” kur fik të gjithë telekomandat dhe i gëzoheni jetës…

 

Më shumë kohë për veten

Kur keni aq shumë gjëra për të planifikuar dhe për të zgjidhur, nuk do të habiteni se harroni ato që realisht ju sjellin kënaqësi.

 

Zgjohuni herët në mëngjes

Ndoshta tingëllon dekurajuese (sidomos nëse nuk jeni njeri i orëve të para), por një orë e fituar në mëngjes mund t’ju ndihmojë ta filloni ditën më të relaksuar. Një çast vetëm për vete, përpara se të përgatitni mëngjesin për fëmijët. Lexoni revistën e preferuar, konsumoni diçka qetësisht, qëndroni më shumë në dush, admirojeni lindjen e diellit…

 

Shëtisni në pushimin e drekës

Gjatë gjithë ditës jeni në shoqërinë e kolegëve të punës, kështu që nëse zgjidhni të qëndroni vetëm, nuk keni çfarë humbisni. Bëni një shëtitje, dëgjoni muzikë dhe do të jeni pjesën tjetër të ditës me forca të reja.

 

Caktoni prioritetet

Hartoni një listë me gjërat më të rëndësishme dhe filloni me atë që është më e lehtë dhe më e realizueshme. Do të habiteni kur të shihni se sa pak rëndësi që kanë ato gjëra që i keni lënë në fund të listës.

 

desk2Organizohuni

Kur filloni t’i shkruani në letër detyrat që keni për të përmbushur, ju vjen ndër mend një listë shumë e gjatë. Ndaj, hiqni nga lista detyrat më të panevojshme dhe do të ndiheni të qetësuar, do të kurseni kohë. Gjithashtu, në rast se i merrni problemet me radhë, do t’i shpëtoni stresit dhe do të mënjanosh panikun për t’u dhënë zgjidhje të shpejtë të gjithave.

 

Kërkoni ndihmë

Kërkoni ndihmë nëse e keni të nevojshme. Mos prisni që njerëzit t’ju ofrohen vetë. Asnjë njeri nuk është aq i disponueshëm apo bujar. Gjithashtu, duhet të keni parasysh se miqtë dhe kolegët e kanë të pamundur t’jua lexojnë mendimet që ju vërtiten në kokë…

 

Mësoni të relaksoheni

Duke gjetur mënyra se si të relaksoheni, jeta do t’ju duket më e bukur dhe më pak e komplikuar. Më poshtë po ju japim disa shembuj:

• “Kur nuk arrij ta përballoj energjinë e pafundme të birit tim dyvjeçar, hipim në makinë dhe shkojmë diku. Unë ndihem më e lirë dhe ai kënaqet me udhëtimin”, – thotë Elena (29 vjeçe).

• “Kur ndiej se nuk mund të përballoj një situatë, ngre volumin e muzikës dhe filloj të këndoj dhe të kërcej. E bëj këtë gjë deri kur ndihem ‘e gjallë’ dhe plot energji”, – pohon Gerta (34 vjeçe).

• “Për t’u qetësuar, hyj në kuzhinë dhe gatuaj ëmbëlsira, pasi kënaqësia se po bëj diçka të mirë më qetëson. Gjithashtu më largon mendimet e zymta dhe më bën të ndihem krenare për gjithçka kam arritur të realizoj”, – shprehet Manjola (35 vjeçe).

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top