Në fokus

August 25, 2016 | 8:38

Dëshmi/Saimir Kumbaro: Të gënjesh është në modë!

Në vorbullën e zhvillimeve sociopolitiko-ekonomike në vend, tranzicionit të gjatë e të pafund, siç e percepton ai, këndvështrimi personal që ka për gjithë këtë është i hapur dhe pa kurrfarë mëdyshjesh. E ka të qartë dhe të ngulitur fort në mendje se shoqëria është ajo që e vuan. Por, kësaj lodhjeje, ai i shton edhe ndikimin apo përjetësimin më thellë të një vesi të shëmtuar, i cili ka marrë hov në jetën tonë duke e shndërruar atë në një trend të kohës.

 

Kjo tendencë, sipas regjisorit Saimir Kumbaro, figurë e njohur në kinematografinë shqiptare, është kthyer në një modë, ku çdokush e trajton sipas rastit të sjellë dhe që në shumicën e herëve bëhet e dëmshme. Për t’u ruajtur janë ata që vishen nga pushteti ekonomik e politik, pasi sipas Kumbaros: Të bëjnë hatanë!

“Gënjeshtra është trendy sot. Sipas meje, gënjejnë frikacakët. Ka dy lloje gënjeshtarësh. Me zarar dhe pa zarar. Kemi pasur në shoqërinë tonë gënjeshtarë ose mitomanë, të cilët ia kalonin baronit Mynahase. Ky lloj gënjeshtari nuk bën dëm. ‘Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra’, – thotë një fjalë e urtë. – Ajo një ditë zbulohet dhe vërteton se je me karakter të dobët. Zakonisht gënjejnë ata që nuk kanë kurajë civile, ata që janë rritur nën terrorin e prindërve dhunues, që kanë përdorur dhunë ndaj fëmijëve.

Sot gënjeshtra është modë. Gënjeshtra si tipar i njeriut hibrid po e dëmton seriozisht shoqërinë në këtë tranzicion të lodhshëm. Sipas meje, do të duhen katër breza që shoqëria shqiptare të kthehet në normalitet. Gjithashtu mendoj se gënjeshtra është binjake e mashtrimit. Sot, numri i mashtruesve po rritet dhe kjo kategori po e dëmton rëndë shoqërinë.

Njeriu po dyzohet. Brezi ynë vjen nga një sistem ku secili nga ne ishte dy. Njëri i vërtetë, tjetri i shtirur. Ky dyzim ka infektuar edhe brezin e rritur pas diktaturës. Gënjeshtari duhet t’i regjistrojë ato që thotë, ndryshe i harron dhe diskrediton veten. Ka njerëz që gënjejnë pa pushim, gënjejnë aq shumë sa një ditë i besojnë vetë shpifjet e tyre. Populli ka një shprehje: ‘Gënje, gënje, se diçka do të mbetet’. – Fajin që fëmijët gënjejnë, e kanë prindërit. Oliver Uendell Holms ka thënë: ‘Njerëzit që përpiqen të jenë të vërtetë, realisht janë më pak kontradiktorë se ata që tentojnë të shtiren’. – Budallenjve gënjeshtra u del më shpejt. Intelektualëve ose njerëzve të ditur u zbulohet me vështirësi. Gënjeshtarët më të rrezikshëm janë ata që kanë pushtet ekonomik dhe politik. Këta të bëjnë hatanë!”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.83

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top