Të hakmerresh do të thotë të mos kesh të zhvilluar inteligjencën emocionale dhe sociale. Hakmarrja provokohet nga një fyerje që dikush bën në drejtim të një individi tjetër. Kur një njeri hakmerret nuk demostron gjë tjetër veçse kompleksin e thellë të inferioritetit ndaj vetes dhe të tjerëve.
Nga Lira Gjika, psikologe
Hakmarrja ushqen harresën ndaj vetes dhe bën që keqbërësi të bëhet më i rëndësishëm se jeta. Aty ku kultivohet hakmarrja, respekti për jetën dhe tjetrin nuk ka qenë principi i edukimit. Ndaj një njeriu që sillet keq apo që fyen mund t’i qëndrohet larg, por jo t’i kundërpërgjigjesh në të njëjtën mënyrë, pra të imitosh atë.
Fëmijët duhen edukuar që të shmangin reagimet apo kundërpërgjigjet nëpërmjet forcës fizike, dhunës apo fyerjeve. Që të kultivohet kjo mënyrë sjelljeje, pra që të shmanget hakmarrja, prindërit, gjyshërit, mësuesit nuk duhet t’i krahasojnë, t’i etiketojnë, të mos ndërhyjnë me fyerje dhe sharje kur fëmijët grinden. Ata duhet t’i japin të drejtë në mërzinë e tyre, por që nuk kanë gjetur mënyrën e duhur për të zgjidhur konfliktin.
Prindër, mësues, mos nxisni fëmijët të kundërpërgjigjen me dhunë. Nxitja juaj bëhet mënyrë sjelljeje për fëmijën, kujdes! Shpesh dëgjoj prindër që i nxisin fëmijët të reagojnë keq. Ata harrojnë që fëmija i tyre vendoset midis “dy zjarresh”, turpi nga prindi dhe frika nga “kundërshtari”.
Prindër, mos mendoni që fëmija juaj bëhet trim kur ju e nxisni, sepse ta nxisësh të sillet keq apo të hakmerret është njësoj si ta lësh vetëm apo ta braktisësh.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.