Është diçka normale dhe na vjen natyrshëm për të treguar historitë e kaluara të jetës sonë kaotike, për të shpjeguar rendin e situatave të ndodhura, për t’i nxjerrë ekstraktin dhe, në fund të tregimit, t’i vendosim një përkufizim vetes. Historitë që i tregojmë vetes duhet të jenë sa më emocionalisht përshkruese të përvojës personale. Aftësia e çdo njeriu për t’u përshtatur dhe për të krijuar një domethënie nga kujtimet e kaluara
përcaktojnë çfarë mendojmë për veten dhe çfarë personaliteti jemi në shoqëri.
Mbi të menduarin: është një impuls i fuqishëm te ne, mendojmë se, sa më shumë qëndrojmë me mendimin te problemi, aq më mirë do të zgjidhet, por në fakt është sikur vendosja e një kafazi izolues, sepse jemi duke vlerësuar mendimet që vijnë nga përvoja e kaluar. Çdo ditë mendimet bëhen më të errëta dhe kanë tendencën të bëhen më të përgjithshme. Ato reflektohen në të gjitha hapësirat e jetës. Krijojmë një ndarje të madhe të vetes sonë mbi çfarë mendojmë dhe mbi atë çfarë kemi nevojë.
Emocionalisht: Ndonjëherë e gjykojmë aq shumë veten, që nuk kemi performuar aq mirë sa duhej, aq sa shoqëria do të vlerësonte intelektualist më e mirë duke dhënë “leje” për miratime dhe vlerësime për pozicionin tonë në shoqëri dhe për ta ndrequr personalitetin dhe sjelljen tonë. Njerëzit kanë nevojë për t’u kthyer mbrapa, në të kaluarën, për të memorizuar sa më mirë çdo skenar të asaj historie, duke ngritur pyetje: “po sikur të kishte ndodhur ndryshe; po sikur të isha sjellë ndryshe; po sikur të kisha bërë diçka më shumë; pse po më ndodh mua kjo gjë; pse nuk mund të harroj çdo gjë”. Kështu krijohet një vuajtje shpirtërore që manifestohet në ndjenjë faji ku frymëzohet frikë për të tashmen dhe të ardhmen. Nëse mbetemi të lidhur ngushtë pas së kaluarës, emocionalisht nuk do mund ta përpunojmë në mënyrë të shëndetshme për ta shëruar veten nga e kaluara jonë, por përkundrazi, do të bëhemi viktimë e saj. Është e vërtetë që mund të mësojmë nga e kaluara jonë, por nuk ju përcakton se kush jeni dhe, mbi të gjitha, nuk ju ndryshon dot vlerën se çfarë përfaqësoni. Shumë njerëz ndryshojnë nga situatat dhe, si pasojë, për t’i lënë hapësirën ndjenjës së fajit, për të ndëshkuar veten, drejtohen drejt sjelljeve abuzive dhe sjelljeve të varësisë si: alkooli apo mbingrënia, duke u përpjekur për të shpëtuar nga vetja.
Emocionalisht dhe psikologjikisht jemi të kufizuar, të dëmtuar për të pasur pritshmëri realiste të jetës, duke parë vetëm dështimet dhe jo përfitimet e situatave traumatike, ndjenjat e papërpunuara do vërshojnë si stuhi bllokuese dhe do të na drejtojnë gjithmonë e më shumë drejt shmangies së tyre. Psikologët mendojnë se realitetin mund ta njohësh vetëm nëpërmjet elementëve personalë, që i vendos edhe në bazë të pritshmërive që i tregon vetes. Është një histori që mund ta ndryshosh. Kujtimet që kemi të memorizuara në mendjen tonë dhe versioni që ia tregojmë vetes janë të krijuara në bazë të emocioneve personale që kemi përjetuar. Ato nuk janë fakte të datuara diku. Kujtesa emocionale përcakton si ndihemi dhe si i japim formë identitetit gjatë viteve të jetës. Zakonisht elementët emocionalë që u fusim historive tona personale janë stresuese, përjetime refuzimi, dështimi, mendime dhe sjellje shkatërruese, që lindin si sfida për të qenë sa më të mbrojtur të jetë e mundur.
E kaluara jonë bëhet gjithmonë edhe më e thellë gjatë adoleshencës, kur jemi më shumë emocionalë, kur hidhen hapat e para të strukturës së të menduarit dhe orientimit tonë emocional. Kujtimet bëhen më të fuqishme, ku duket se nuk kemi kontroll, mbi si na prekin, kur më vonë bëhemi më të përgjegjshëm për sensin e vetes së brendshmi dhe kur përfaqësohemi si të rritur. Pjesa më e vështirë bëhet kur kuptojmë se emocionalisht jemi më të maturuar për të kaluar shumë më shpejt disa situata, por në të vërtetë, të menduarit na e mban kokën prapa.
Si të konvertojmë të kaluarën në përvoja jetësore të nevojshme pozitive?
Lajmi i mirë është që tashmë e keni kaluar më të keqen. Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë mënyrën se si ndikojnë te ne. Si e përjetojmë të kaluarën, na orienton psikologjikisht dhe emocionalisht si ta shohim të ardhmen. Kur një përvojë përfundon, jemi në një stad emocional shumë “të keq”. Në këtë fazë krize evitoni reflektimin e historisë. Merrni pak kohë për veten para se ta rindërtoni atë me një stad emocional “neutral”. Në këtë fazë kemi nevojë për të rigjetur motivimin për të pranuar gabimet tona, duke u përqendruar në pjesën post-traumatike, duke rishkruar të kaluarën me një sy më largpamës emocionalisht, i cili shfaq atë që “kush do që të jemi në të ardhmen”. Kjo ndihmon në zhvillimin e ndjenjës së vetëpërmirësimit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.