Në fokus

December 14, 2020 | 8:22

T’i zëvendësojmë fjalët pandemi, Covid… me përqafim, falje, buzëqeshje, mirënjohje…

Shqipëria, ashtu si shumë vende të globit, përveç gripit stinor përballet dhe me sfidën e pandemisë. Ne jemi të gjithë bashkë në këtë betejë të re. Është normale të ndihemi të stresuar, kur përgjithësisht nuk ndjehemi të sigurt. Qeniet njerëzore kanë nevojë për siguri.

Blerina Hima Mërtiri Mësuese në shkollën “Andon Xoxa”, Fier

Blerina Hima Mërtiri
Mësuese në shkollën “Andon Xoxa”, Fier

Fjalët më të përdorshme të këtij viti

Shumë pak të njohura ose të padëgjuara më parë, por tani më të përdorshmet dhe qendra e çdo bisede janë fjalët, karantinë pandemi, virus, koronavirus.

Fjala “karantinë” vjen nga dialekti venedikas, që në italisht nënkupton “quaranta giorni” e në shqip 40 ditë. Ky emër iu vendos procesit të izolimit që iu bëhej anijeve dhe njerëzve para se të futeshin në Venedik gjatë periudhës së prekjes së botës nga murtaja apo “Vdekja e Zezë”, e cila shfarosi 30 për qind të popullsisë së Europës dhe një përqindje të popullsisë së Azisë.

Një dokument i arkivave të Dubrovnikut në Kroaci, i cili daton në vitin 1377 urdhëronte se para se të lejohej hyrja në qytet, të ardhurit e rinj duhej të kalonin 30 ditë (a trentine) në një vend të izoluar, për të parë nëse shfaqnin simptoma të sëmundjes.

1

Në vitin 1448 shteti venedikas e zgjati periudhën e pritjes (izolimit) në 40 ditë, duke i dhënë kështu emrin karantinë ose quarantina. Ky afat rezultoi se ishte një formulë e mirë për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Me fjalën Pandemi (nga greqishtja πανδημία ) kuptohet përhapja e një sëmundjeje e cila i kalon kufijtë e shteteve dhe kontinenteve. Ndryshe nga epidemia, pandemia nuk është e kufizuar në një pjesë të caktuar. Viruset janë organizma kaq të vegjël, saqë mund të shihen vetëm me lente tepër të veçanta që përdoren për të parë gjëra mikroskopike. Duke qenë se janë shumë të vegjël, ato mund të hyjnë lehtësisht në trup.

Coronavirus është një familje virusesh që mund t’i bëjë njerëzit të mos ndihen mirë. Koronavirusi e ka marrë emrin nga fjala ‘‘korona’’ që do të thotë ‘‘kurorë’’, kjo pasi duket se ky virus ka një kurorë në krye. Koronaviruset kanë ekzistuar për shumë vite, por kohët e fundit në familjen e koronavirusit është shtuar një anëtar i ri i quajtur “Covid 19”, për të cilin askush nuk kishte dëgjuar më parë, por për të po flasim shumë.

Të lodhur nga kjo e kaluar, të gjithë dëshirojmë të largohemi nga ky realitet. Mënyra më e mirë është t’i harrojmë këto fjalë dhe t’i zëvendësojmë me ato fjalë që na japin lumturi, të vlerësojmë jetën si dhuratë, të ndjejmë dhimbje për fatkeqësinë e tjetrit, të mos i lëmë vend dëshpërimit e depresionit, por të angazhohemi për lumturinë e vetes dhe të të tjerëve. Në prag festash kemi mundësinë të ndihemi më të lumtur me fjalët: Krishtlindje, Vit i Ri, fat, dashuri, mirënjohje…, të falim dashuri dhe të japim çfarë kemi falas, përqafim, falje, buzëqeshje, mirënjohje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top