Në fokus

February 6, 2016 | 6:40

Tipat e personalitetit në festa!

fleuraNga: Fleura Shkëmbi

Festat janë shumë pranë dhe disa njerëz kanë filluar të ndihen të stresuar, disa të tjerë shijojnë blerjen e dhuratave, e një pjesë i çmend fakti se duhet të festojnë, disa duhet me patjetër të kenë kaposhin e detit të pjekur mirë dhe çdokush duhet të jetë në vendin e caktuar duke ndjekur një program me pikë e me presje gjatë ditës së festës. Disa ulen të shikojnë televizor duke lënë të tjerët të merren me gjithçka…. Dr. Adam Frase thotë se ka disa tipa personaliteti gjatë periudhës së festimeve dhe sa më mirë ta njihni veten dhe personalitetin tuaj, aq më të lehtë do ta keni për të minimizuar stresin që mund të krijohet përreth nesh gjatë festave.

-Ata që kontrollojnë gjithçka – Krishtlindje do të thotë se gjithçka do ketë orën e vet: në 09.00 do jetë gjithçka gati në tavolinë, në 11.30 do këndohet kënga, në 12.30 duhet të shërbehet ëmbëlsira. Kush prej nesh nuk e ka patur rastin të festojë në një mënyrë të tillë, por në fund të fundit askush nuk i do posesivët dhe kontrolluesit. Askush nuk mund të festojë i drejtuar deri në detaje dhe gjithkush do gjente arsye për të shpëtuar herën e dytë nga ky kontroll dhe drejtim i përjetimit dhe shijimit të festës, situatës, njerëzve, atmosferës dhe mbi të gjitha ushqimit.

-Ata që kujdesen për festimin tuaj – Disa njerëz janë të obsesionuar me faktin që t’i kënaqin të gjithë njerëzit të cilët kanë rreth vetes, por fatkeqësisht i acarojnë të gjithë me superkujdesin dhe bezdinë e të pyeturit se sa mirë po kalohet dhe sa shumë po kënaqen. “U kënaqe xhan” , “Ha edhe pak nga kaposhi i detit”, “Të pëlqeu salca e kosit me arra?”… e pyetjet pafund, dhe tregimet e odisesë së tyre së si kanë bërë pazaret, ku i kanë blerë të freskëta dhe të veçanta posaçërisht për atë ditë, se sa shumë jua kanë pëlqyer gjithmonë gatimin. Njerëzit që vijnë për të festuar do të kënaqeshin dhe shijonin gjithë atmosferën sikur këta “obsessive” të mund ta kontrollonin pak më shumë ankthin e tyre.

-Tipat që nuk festojnë – këta tipa mendojnë se Krishtlindjet i pengojnë në punët që bëjnë dhe në angazhimet që kanë. Këta tipa ndonjëherë më mirë mos t’i kesh në tavolinë sepse shumicën e kohës i ke duke parë diçka të rëndësishme të Iphone, duke dërguar sms apo duke dalë shpesh nga dhoma për të folur në telefon. Nëse dikush diskuton diçka dhe i pyet për mendim ata bëjnë një gjysmë buzëqeshje disi nervoze sepse vëmendjen e kanë diku larg. Këta tipa janë vetëm fizikisht të pranishëm, ndërsa mendërisht dhe emocionalisht të shkëputur dhe shumë larg prej aty. Një pjesë e tyre mendojnë se janë ndryshe prej të tjerëve të cilët festojnë dhe bëjnë zhurmë kot, prandaj nuk është ndonjë çudi që shpesh mund t’i gjesh në ndonjë dhomë tjetër.

-Njerëzit që nuk bëjnë asgjë – Këta tipa mendojnë se festat janë për të qëndruar shtrirë dhe nuk ndihmojnë askënd me asgjë. Duke përdorur përgjegjësinë që mund të ndjejnë të tjerët për organizim, këta vetëm sa qetësohen dhe nuk e vrasin mendjen për asgjë. Të afërmit mund të nevrikosen, ndoshta edhe nxehen nga indiferentizmi i tyre, por kjo nuk shërben për asgjë. Në anën tjetër këta tipa mund të shijojnë gjithçka në tavolinë dhe t’i bëjnë organizatorët të ndjehen mirë.

*Tipa të pastër e vështirë gjejmë, por me përafërsi kemi shumë të tillë po të mendohemi dhe të kujtohemi për të gjithë miqtë dhe të afërmit tanë, të cilët shpesh na e kanë zbukuruar ditën e festës ose na e kanë mërzitur. Ndoshta kur lexojmë gjejmë edhe veten se cilit tip i afrohemi më tepër, se si me posesivitetin tonë i kemi larguar njerëzit. Për sa i përket festimit në familje do kemi gjithmonë në mendje, se cilët pjesëtarë të familjes kanë tendencë ekstraverti dhe cilët introverti. Nëse do të festojmë me një rreth të ngushtë të familjes atëherë është më e lehtë, ndërsa vendosim të thërrasim familjen e madhe atëherë duhet të mendohemi mirë, sepse në fund ia hedhim fajin atyre që nuk u kënaqën ( pa përjashtuar faktin që disa njerëz kanë gjithmonë dëshirë të prishin atmosferën festive dhe të tërheqin vëmendjen e të gjithëve. Këta tipa nuk kanë aftësinë dhe dëshirën për të qenë pjesë e grupit).

*Individët që janë ekstravertë do të harlisen në ambientet me shumë njerëz, me familje të madhe. Ata kënaqen dhe entuziazmohen pa masë kur janë në një grup të madh, duke qenë të bindur se edhe gjithë të tjerët do jenë po aq entuziastë sa edhe ata, duke mos i kuptuar introvertët që janë më të tërhequr dhe të distancuar. Nëse jeni vetë tip introverti përpiquni të kuptoni edhe grupin tjetër duke mos i etiketuar menjëherë si të zhurmshëm, autoritarë apo intruzivë, sepse në fund të fundit këta tipa do t’i japin pak më shumë gjallëri festës.

*Nëse jeni introvert dhe dikush prej familjes ju pyet sesi ndiheni, me mirë të thoni të vërtetën se do preferonit një grup më të vogël, sesa të thoni se po kënaqeni shumë dhe në anën tjetër të zieni brenda vetes duke pritur me padurim largimin. Ka zgjidhje në varësi të situatës duke filluar komunikimin me dikë që është i ngjashëm si ju. Një tip tjetër që do të hasni gjatë festimit janë ata që gjatë gjithë kohën vetëm gjykojnë, japin mendime dhe sugjerime krahasuar me ata që duan vetëm të marrin kënaqësi nga atmosfera. Këta të parët do t’i dalloni sapo të hyjnë dhe të fillojnë nga vërejtjet ose do fillojnë nga informimi me detaje që nga momenti që marrin ftesën se kur duhet të mbërrijnë, kur fillon festa duke acaruar të tjerë që mund të shijojnë edhe procesin e mbërritjes së gjithsecilit.

*Nëse doni të festoni bukur ndajini preferencat tuaja me të ngjashëm me ju, sepse edhe reagimet do t’i keni më pozitive për gjithçka. Në fund i gjithë impenjimi bëhet për të kaluar këndshëm, për të qenë bashkë dhe për t’u gëzuar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top