FB

March 18, 2021 | 8:20

Tradhtia me një koleg ju shkatërron reputacionin

 

 

Dashuria në zyrë është eksituese, por mund t’ju shkatërrojë reputacionin dhe besueshmërinë.

 

Të keni një marrëdhënie dashurie ose seksuale me një koleg ose më keq akoma, me eprorin është pa dyshim shumë eksituese, por edhe shumë e rrezikshme. Pa paragjykuar moralisht, por ajo që do të dëmtohet më shumë është besueshmëria profesionale, e cila rrezikon karrierën.

Po si të silleni, nëse tërheqja ndaj kolegut ose shefit është me të vërtetë e madhe? E thjeshtë, shndërrojeni shpërqendrimin në armën tuaj më të mirë.

Jeni në punë 5 ditë të javës: është normale që të ndjeni simpati për një koleg, edhe pse kjo nuk do të thotë se duhet të dilni bashkë.

Por nëse keni vendosur që kolegu është shumë tërheqës dhe dëshiron që të shiheni edhe jashtë punës, duhet të vlerësoni seriozisht nëse ia vlen apo jo.

Sepse, nëse keni qëllim vetëm të rrini bashkë në intimitet, atëherë është mirë që të merrni në konsideratë rreziqet që pasojnë.

 

Para se të filloni një marrëdhënie në zyrë, kujtoni se karriera vjen para së gjithash, ndaj qëndroni larg çdo thashethemi që mund të thuhet për ju.

Sipas një studimi të “BPAcademy” 73% e menaxherëve ka pranuar se do ta pushojnë nga puna një punonjës që ka marrëdhënie jashtëmartesore në zyrë. 55% e tyre janë shprehur se tradhtia në punë ul kreativitetin me 45% dhe kanë deklaruar se do ta ndajnë çiftin, duke i larguar në departamente të ndryshme.

Dhe me të drejtë, duke marrë në konsideratë se nga studimi i “Bp Academy” ka dalë në pah se kush ka marrëdhënie me një koleg, shpenzon të paktën një orë në ditë për të kontrolluar se çfarë bën i dashuri, duke u shpërqendruar kështu nga puna.

Ndaj, vlerësoni gjithmonë efektet negative nëse ju shkon ndërmend të tradhtoni me një koleg.

 

1. Të sigurt se doni të dilni me kolegun?

E dini mirë se gjëja më e mençur që duhet të bëni është të mos filloni një lidhje me një koleg, sidomos nëse e keni në një zyrë.

Por, përballë një fakti të tillë, kujdesi është thelbësor.

 

2. Mos bëni në zyrë atë që do të bënit me pushime

Ruani një marrëdhënie krejtësisht profesionale me eprorët dhe kolegët. Evitoni sjelljet që mund të krijojnë keqkuptime dhe trajtojini të gjithë kolegët njësoj, pa u tradhtuar nga ndjenjat. Mos u tregoni të brishtë kundrejt atij që ju pëlqen, pasi rrezikoni që të tjerët t’ju zbulojnë.

 

3. Çfarë të bëni nëse ju zbulojnë?

Pranoni ekzistencën e marrëdhënies dhe sigurojini të gjithë se do të ruani profesionalitetin tuaj. Mos gënjeni dhe mos tregoni gjysmë të vërteta. Shumë kompani kanë frikë se mos u del sekreti i informacioneve të rezervuara, sidomos nëse ekzistojnë lidhje të tilla. Thashethemet mes kolegëve, rënia e produktivitetit dhe dëmtimi i imazhit të kompanisë janë sjellje që ju vënë në qendër të vëmendjes.

Thënë këtë duhet të dini se:

  • Mund t’ju transferojnë në një departament tjetër;
  • Mund t’ju qortojnë formalisht;
  • Mund t’ju vëzhgojnë vazhdimisht;
  • Mund t’ju pezullojnë përkohësisht;
  • Mund t’ju pushojnë nga puna.

 

4. Mos dilni me eprorin ose vartësin

Të keni një histori me eprorin ose me një vartës, bën të mundur që të krijohet një konflikt interesi, si për ju, ashtu dhe për kompaninë ku punoni. Ndaj evitojeni me çdo kusht, sidomos nëse jeni të lidhur apo të martuar. Moralisht është e gabuar përkundrejt partnerit.

5. Informohuni mbi rregullat e kompanisë

Informohuni mbi faktin nëse ka apo jo rregulla që i përkasin marrëdhënieve mes kolegëve. Është thelbësore që ta bëni këtë gjë, para se ta marrin vesh pronarët.

Në fund, nëse marrëdhënia është mes një punonjëseje dhe një eprori, është e thjeshtë që lidhja të dëmtohet. Shefi, në një mënyrë ose një tjetër, do të përfitojë nga pozicioni i tij dhe punonjësja do të priret të shohë te përgjegjësi i saj cilësi që ndoshta ai nuk i ka në të vërtetë. Nuk funksionon as kur bie në dashuri me një koleg: mund të marrin jetë dinamika të çuditshme, të cilat nuk i bëjnë mirë as dashurisë, as seksit.

Përgatiti: Manjola EREQI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top