Atmosfera festive është një moment special kur prindërit bëjnë të mundur transmetimin e vlerave të tyre dhe të njohjes së traditave tek fëmijët. Gjatë përçimit të këtyre elementëve pozitivë të shoqërisë përfitojmë:
Zemërgjerësinë: Është momenti kur ne shkëmbejmë dhurata me njëri-tjetrin. Presim dhurata nga babagjyshi e nga ata që na duan dhe gjithashtu presim reagimet e të dashurve tanë për dhuratat e shkëmbyera.
Zhvillojmë ndjenjën sociale: Në ditë festash, kudo dhe kushdo përgatitet për një qëllim të njëjtë, festat e fundvitit. Në shtëpi, në qendra tregtare, në restorante, në qendrat e punës, në shkolla e në kopshte… Të gjithë, për një qëllim të përbashkët.
Kënaqësia e të qenit sërish bashkë: Të mblidhesh me njerëzit të cilët gjatë vitit nuk mundesh t’i takosh shpesh, si dhe rikujtimi për ata që nuk janë më është një rizgjim i ndjenjave pozitive.
Stimulojmë dëshirën: Është momenti për të shprehur gjithçka që duam të na bëhet realitet në vitin që do trokasë. Dëshira, urime midis njëritjetrit, shpresa për të realizuar dëshirat tona dhe ato të njerëzve tanë më të dashur.
Nxitja e durimit dhe e pritjes: Edhe përgjatë vitit ne bisedojmë në lidhje me festat e fundvitit. Në fakt, një ritual i përvitshëm është zbukurimi i qytetit dhe dyqaneve, të cilat fillojnë që në muajin nëntor. Më pas familjet fillojnë të angazhohen edhe në ndryshimin e atmosferës familjare. Pritja e festave në mënyrë pozitive i ndihmon fëmijët t´i jetojnë normalisht pritjet e tjera më të vështira që jeta mund t’i ofrojë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.