Në fokus

October 6, 2017 | 7:55

Trauma në fëmijëri? Ju shpjegoj një nga metodat më të shpejta për ta trajtuar

Përse fëmijët janë më të rrezikuar nga traumat se të rriturit? Si mund ta dimë që fëmija ka përjetuar një traumë? Kujt t’i drejtohemi dhe si ta trajtojmë siç duhet?

Traumat mund të prekin këdo, por fëmijët janë më të rrezikuar

lediona-braho

Lediona Braho, psikologe klinike

Një ndodhi që na e kërcënon jetën dhe mirëqenien quhet traumë. Fjala “traumë” përdoret për të emërtuar edhe ndodhinë, edhe mënyrën sesi ajo përjetohet. Jo të gjithë kanë përjetime të njëjta ndaj të njëjtave ndodhi. Për shembull, dikush mund ta përballojë më mirë një humbje, duke iu rikthyer shpejt normalitetit, krahasuar me dikë tjetër, që mund të vuajë për javë, muaj ose vite.

Askush nuk është i paprekshëm nga traumat. As fëmijët. Që në muajt ose vitet e para, jeta e një fëmije mund të vihet në rrezik nga ngjarje tronditëse: një katastrofë natyrore, një aksident, ndarja e prindërve apo humbja e një prindi. Krahas këtyre ngjarjeve episodike (që ndodhin vetëm një herë), një fëmijë mund të tronditet edhe nga ngjarje kronike (që ndodhin në mënyrë të përsëritur): dhuna në familje, keqtrajtimi dhe neglizhimi, vizitat në spital dhe ndërhyrjet mjekësore. Janë të shumta ngjarjet që mund t’i trondisin fëmijët, por e përbashkëta është se ato lënë gjurmë të thella në psikikën e tyre dhe nuk mund të zhduken vetvetiu.   

femije

Për fat të keq, shoqëria jonë e ka shpërfillur rëndësinë e traumave në fëmijëri. Ende, edhe sot, shumë njerëz besojnë se fëmijët “harrojnë” apo se “e marrin veten shpejt” nga ngjarjet e dhimbshme. E vërteta është krejtësisht ndryshe. Gjatë viteve të para, fëmijët janë shumë më të ndjeshëm se në çdo periudhë të jetës dhe sa më e vogël mosha, aq më i madh rreziku. Në vitet e para, truri zhvillohet më shpejt se në çdo fazë tjetër: formohen lidhje të reja dhe komplekse mes neuroneve, prej të cilave varet mësimi i të gjitha aftësive të nevojshme për jetën (fizike dhe mendore). Me kaq shumë ndryshime që ndodhin në këtë moshë, një traumë fizike ose emocionale mund ta ndërpresë zhvillimin neurologjik. Fëmijët nuk e kujtojnë dot ngjarjen (sepse shumica nuk kujtojnë dot shumë gjëra para moshës 5 vjeç), por efekti i ngjarjes vazhdon deri në moshë të rritur.

Në Shtetet e Bashkuara, pothuajse gjysma e fëmijëve kanë përjetuar një ose më tepër trauma dhe më shumë se një e katërta e fëmijëve të abuzuar ose të neglizhuar, janë më të vegjël se tre vjeç (DAP, 2006). Në Shqipëri, më shumë se gjysma e fëmijëve rrihen nga një anëtar i familjes dhe më shumë se tre e katërta e tyre bëhen dëshmitarë të dhunës në familje (MMSR, 2013).

Lajmi i mirë është se fëmijët mund ta rifitojnë ekuilibrin e humbur. Trauma mund të trajtohet. Mirëpo, para se të mbërrijmë deri te trajtimi, duhet të kuptojmë nëse fëmija ka përjetuar një traumë. Kjo kërkon t’u përgjigjemi dy pyetjeve me rëndësi:

E para: Si ta kuptojmë nëse fëmija ka përjetuar traumë?

Të gjithë duhet të dimë të “lexojmë” në kohë shenjat e traumatizimit te fëmija. Shenjat më të zakonshme janë: ndryshimet në oreks, vështirësia për të fjetur, makthet, ndjenjat e zemërimit, frika e jashtëzakonshme dhe reagimet e alarmit. Fëmijët e përsërisin shpesh skenën e ngjarjes në lojë. Këto janë sinjale që tregojnë se fëmija mund të ketë përjetuar një traumë. Pra, ka disa aspekte të përgjithshme që mund t’i shohim tek të gjithë fëmijët (edhe pse, duhet të mbajmë në mendje se, çdo fëmijë reagon ndryshe ndaj një traume nga një tjetër) dhe reagimet varen nga mosha.

E dyta: Kujt t’i drejtohemi nëse kemi dyshime?

Të gjithë duhet të veprojmë për ta adresuar traumën. Të parët, prindërit, duhet ta çojnë fëmijën për një vlerësim psikologjik te një profesionist i shëndetit mendor. Më tej, vijnë njerëzit e njohur deri te stafet e institucioneve të kujdesit dhe edukimit, të cilët duhet të raportojnë te psikologu, punonjësi social ose mjeku i institucionit, shpesh edhe te organet e rendit. Pas vlerësimit të fëmijës nga një psikolog i licensuar, prindërit dhe aktorët e tjerë në jetën e fëmijës duhet të bashkëpunojnë me psikologun/psikoterapistin e fëmijës në çdo hap gjatë procesit të terapisë.

Pasi i kemi hedhur këto dy hapa, shkojmë te hapi i tretë:

Si mund të trajtohet fëmija?

Trauma mund të trajtohet me disa metoda. Disa prej tyre janë: Terapia Kognitive-Bihevjorale e Fokusuar te Trauma (TF-CBT), Ndërhyrja për Stresin Traumatik te Fëmija dhe Familja (CFTSI), Terapia Bihevjorale Dialektike (DBT), Ripërpunimi dhe Desensibilizimi me Lëvizje të Syve (EMDR) dhe metoda të tjera. Të gjitha metodat e ndihmojnë fëmijën të përpunojë përjetimet pas një ngjarjeje (ose disa ngjarjeve) traumatike që i kanë ndodhur dhe të fuqizohet së brendshmi. Duke respektuar të gjitha metodat e trajtimit të traumës, në këtë shkrim do të përpiqem të tregoj efikasitetin e trajtimit që e kam përmendur (jo pa qëllim), në fund.  

Disa prej jush mund të kenë dëgjuar kohët e fundit për EMDR. Them “kohët e fundit”, pasi EMDR është një teknikë e re për vendin tonë. Nëse keni dëgjuar për EMDR, me siguri ju ka mbetur në mendje se ajo trajton përmes “lëvizjeve të syve”. Megjithëse nuk është kaq e thjeshtë, unë do të përpiqem t’ua thjeshtoj dhe do të ndalem në mënyrë specifike te mënyra sesi kjo teknikë përdoret me fëmijët.

Për kuriozitetin tuaj, EMDR është një metodë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH, 2013) për trajtimin e traumave. E është për Eye (Sy), M është për Movement (Lëvizje), D është për Desesitization (Desensibilizim) dhe R është për Reprocessing (Ripërpunim). E krijuar nga psikologia amerikane, Francine Shapiro, në fund të viteve ’80, ajo cilësohet si metoda më e mirë për trajtimin e të rriturve që kanë përjetuar trauma.

childhoodstress

Si vepron EMDR?

Për të krijuar një ide, le të shohim si funksionon me të rriturit. Trajtimi me EMDR respekton një protokoll standard dhe kalon në tetë faza. Në fazën e Desensibilizimit, ne i kërkojmë klientit të zgjedhë një kujtim traumatik dhe të përqendrohet te imazhi më i keq i këtij kujtimi. Më pas, fillojmë të lëvizim gishtat majtas-djathtas dhe ai e ndjek këtë lëvizje me sy. Klienti mund ta ripërjetojë kujtimin ashtu siç e ka përjetuar në të shkuarën. Nëse ripërjetimi është i fortë, ai ka të drejtë të thotë “NDAL”. Po duke qenë klientët ndihen të sigurt në terapi për ripërpunimin e ngjarjes, pothuajse askush nuk ndalon. Procesi drejtohet nga klienti, ndërsa ne shërbejmë si udhërrëfyes që e drejtojmë në këtë udhëtim, duke inkurajuar kalimin e tij në shtigje të vështira..

Po pse zgjedhim një kujtim traumatik? Organizimi ynë është ndërtuar në atë mënyrë që t’i asimilojë informacionet e reja duke u rikthyer në një gjendje adaptive (në ekuilibër). Ne jemi të pajisur me një sistem që quhet Sistemi i Përpunimit Adaptiv të Informacionit. Mirëpo, nëse një ngjarje na shqetëson aq sa nuk mund ta përballojmë, ky sistem natyror dëmtohet. Ngjarja traumatike mbetet e papërpunuar, në një gjendje “të ngrirë”, nuk integrohet në rrjetin e kujtesës në tru dhe e ndikon vazhdimisht jetën tonë. Prandaj, në terapinë me EMDR, ne ndihmojmë që ngjarja traumatike të integrohet në kujtesë. Kjo rivendos gjendjen natyrore të ekuilibrit.

Po me fëmijët?

Për klientët e vegjël, metoda është përshtatur nga shumë kërkues dhe psikologë klinikë në botë. Në fazën e parë, ne njihemi me historinë e fëmijës dhe vlerësojmë aspekte si mosha, niveli i zhvillimit, kontekstin ku jeton, përvojat e jetës, aftësinë për të toleruar emocionet, stabilitetin e tanishëm dhe ngjarjet traumatike që ka përjetuar. Më pas, intervistojmë prindërit dhe pasi kemi njohur perspektivën e prindërve, në takimet e ardhshme, ne punojmë me fëmijën.  

Në fillim të terapisë, vendosim “vendin  e sigurisë”. Për fëmijët, vendi i sigurisë është një kujtim shumë i bukur që ata kanë. Më pas, fëmijës i shpjegohet EMDR me një gjuhë të thjeshtë dhe në përputhje me moshën e zhvillimin. Për shembull, mund t’i themi: “Kur ne na ndodhin gjëra të shëmtuara, na përzihen ndjenjat dhe mendimet. Ne nuk ndihemi mirë: mendja, zemra dhe trupi ynë nuk ndihen mirë. Sikur mbajmë një çantë të rëndë në shpinë. Kur mbajmë një çantë të rëndë, ne nuk kemi vend as në mendje, as në zemër, as në trup, për ndjenja dhe mendime të mira. Por EMDR i ndihmon fëmijët duke e pakësuar peshën e çantës, madje fëmijët mund ta heqin qafe fare çantën dhe të bëjnë vend për ndjenjat dhe mendimet e mira. Kur ndodh një ngjarje e shëmtuar, truri e ka të vështirë t’i bashkojë ngjarjet me ndjenjat dhe mendimet, por EMDR e ndihmon trurin. Kështu, gjërat e shëmtuara largohen prej nesh, truri ‘i përtyp’ si çamçakëz ndjenjat dhe mendimet e këqija dhe ne mësojmë gjëra të mira e bëhemi më të fortë.”

Fëmijët që flasin mund t’i emërtojnë këto “ngjarje të shëmtuara”, por ka fëmijë që e kanë të vështirë të shprehen. Një fëmije që nuk shprehet dot, ne i kërkojmë të vizatojnë një pjesë të “ngjarjes së shëmtuar” dhe e nisim punën nga ai vizatim. E pyesim për të kuptuar ngjarjen dhe i kërkojmë të mendojë për atë ngjarje. Më pas, mund të përdorim lëvizjen e syve majtas-djathtas, trokitjet e lehta mbi duar ose gjunjë ose një tingull që e lëvizim nga njëri vesh në tjetrin. Duke vepruar kështu, brenda tre seancave, gjendja e fëmijës mund të përmirësohet. Natyrisht, për probleme më të ndërlikuara, nevojiten më shumë seanca. E rëndësishme është që mjedisi ku fëmija e ripërpunon traumën të jetë i sigurt dhe gur themeli për këtë siguri është besimi i fëmijës tek terapisti.

Ndonjëherë, puna me fëmijët ka sfida, jo sepse fëmijët nuk ndërtojnë dot besim tek ne si terapistë, por sepse ata nuk duan të përballen me ndjenja të dhimbshme. Prandaj, ne punojmë që fëmijët të krijojnë besim dhe të përballen të sigurt në terapi. Bashkëpunëtorët tanë më të rëndësishëm janë prindërit, të cilët mund të jenë të pranishëm gjatë seancave të terapisë. Shpesh, edhe prindërit kanë nevojë për terapi për të trajtuar traumat e tyre.

Fakte shkencore

Kërkimet shkencore tregojnë se EMDR është e suksesshme me fëmijët. Në një përmbledhje me 16 studime të publikuara për trajtimin e fëmijëve të moshave 4 deri në 17 vjeç, vlerësimet e fëmijëve pas trajtimit dhe kohë pas trajtimit, kanë treguar se numri i simptomave ka rënë ndjeshëm dhe fëmijët kanë shfaqur aftësi më të mira përballimi. Po ashtu, të dhëna botërore nga praktika klinike me fëmijë 2 deri në 10 vjeç, kanë treguar se shumica e fëmijëve, të trajtuar me 3 deri në 12 seanca (gjysmë ore deri në një orë) janë përmirësuar ndjeshëm. Pas trajtimit me EMDR, fëmijët kanë treguar reziliencë kur kanë përjetuar një traumë të dytë.

EMDR, jo vetëm për traumat

EMDR mund të përdoret edhe me fëmijë që përjetojnë ankth dhe frikë, me fëmijë që bien pre e talljeve dhe bullizmit, me fëmijë që nuk menaxhojnë dot zemërimin ose që kanë vetëvlerësim të ulët. Me EMDR, fëmijët ia dalin të përballojnë më mirë frikërat (dhe fobitë) e tyre, të kenë një vetëvlerësim më të lartë dhe sjellje të përshtatshme, të mos kenë më probleme me gjumin ose makthe, të mos kenë më vështirësi në të nxënë e me radhë. EMDR përdoret me sukses edhe për trajtimin e çrregullimeve, si: vonesa zhvillimore, Autizmi, Sindroma Doën dhe ADHD (Çrregullimi i Vëmendjes me Hiperaktivitet).

Kërkimet e mëtejshme me fëmijët premtojnë krahasimin e trajtimit me EMDR dhe trajtimeve me barna.  EMDR ka arritur të ndryshojë jetën e miliona fëmijëve në të gjithë botën. Nëse EMDR me fëmijët bëhet një standard, ajo mund të ndryshojë jetën e shumë fëmijëve në të ardhmen, edhe në Shqipëri, me qëllim që, kur ne të themi “Bëjmë EMDR me fëmijët”, të jemi të sigurt se po flasim me të njëjtën gjuhë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top