Në fokus

October 6, 2017 | 8:00

Nga dr. Ermioni Cekani: Edukimi gjinor në arsimin parashkollor

Disa psikologë dhe sociologë, zhvillimin e  njeriut, nga dita që lind e deri sa vdes, e krahasojnë me një ndërtesë dhjetëkatëshe, ku tetë katet e para hidhen deri në moshën gjashtë vjeç.[1] Ky krahasim domethënës na bën të kuptojmë rëndësinë e madhe që ka mosha parashkollore për formimin dhe rritjen e individit të lirë dhe të përgjegjshëm, sepse duhet ta kemi të qartë që fëmijëria e hershme nuk mund të shkëputet nga i gjithë procesi i arsimimit të individit në vitet që pasojnë.

Dr. Ermioni Cekani Drejtoreshë e Arsimit, Bashkia Kamëz

Dr. Ermioni Cekani
Drejtoreshë e Arsimit, Bashkia Kamëz

Arsimi parashkollor është një shërbim që u ofrohet fëmijëve të moshës 3-6 vjeç dhe ka si objektiv kryesor socializmin e tyre, duke mbështetur, mundësuar e lehtësuar zhvillimin e këtyre fëmijëve. Kopshtet, si niveli i parë i arsimimit, përbëjnë një objekt të rëndësishëm për kërkime të ndryshme shkencore, ku fëmijët konsiderohen si individë që janë pjesë e një sistemi edukativ kompleks. Thënë ndryshe, procesi i edukimit në arsimin parashkollor ka si qëllim të realizojë një përvojë dhe mënyrë edukimi të veçantë e personale për çdo fëmijë dhe për çdo grup fëmijësh.

Konferenca e Jomtienit, që u mblodh në vitin 1990, arriti në përfundimin se, nëse bota dëshiron të realizojë objektivat e Arsimit për të Gjithë, fëmijëria e hershme (3-6 vjeç) është pikërisht mosha më kritike për të ndërhyrë. Duke pasur parasysh aftësitë e jashtëzakonshme të të nxënit në këtë moshë, fëmijëria e hershme vlerësohet si guri i themelit për reformën arsimore dhe aktualisht përbën objektivin e parë në kuadrin e 6 objektivave të përcaktuara në Nismën Botërore Arsim për të Gjithë. Ka ardhur koha që arsimi parashkollor të mos ketë vetëm një rol ndihmës, sepse ndërhyrja cilësore në fëmijërinë e hershme ka një normë të lartë kthyeshmërie në gjithë sistemin e arsimit të detyrueshëm dhe për të gjithë personat që përfitojnë nga kjo ndërhyrje.[2]

1Një studim i bërë në SHBA, ka treguar se në moshën 27-vjeçare, për çdo dollar të investuar në arsimin parashkollor, kthyeshmëria e përllogaritur sipas disa  aspekteve është 7.16 USD dhe në moshën 40-vjeçare shkon deri në 12.90 USD.

Përvoja botërore e dekadave të fundit ka demonstruar rëndësinë e viteve të para të jetës (a) në aspektin e zhvillimit optimal fizik, psikologjik dhe social të fëmijës, (b) në aspektin e përfshirjes së potencialit të femrës në zhvillimin e shoqërisë dhe (c) për faktin se kombinimi i këtyre dy faktorëve ka ndikim të pazëvendësueshëm në luftën kundër varfërisë.

Kjo parashtresë synon të vlerësojë ndryshimet që ka pësuar arsimi parashkollor në vite, analizohet mënyra si është realizuar deri tani dhe si mund të bëhet ndryshe edukimi gjinor në arsimin parashkollor. Me këtë rast, do të përpiqemi të bëjmë një analizë të modeleve alternative të edukimit për të parë se si realizohet edukimi gjinor gjatë veprimtarisë mësimore-edukative, rolet gjinore dhe trajtimi i fëmijëve nga edukatoret, mjetet didaktike dhe materialet mësimore që përdoren në arsimin parashkollor, përbërja e personelit mësimor dhe ndihmës, si dhe ndikimi i tyre në krijimin e stereotipave gjinore.

o

Elemente të edukimit gjinor në arsimin parashkollor

Ashtu siç kemi thënë edhe më lart, vitet e fëmijërisë së hershme – që përmbledhin periudhën nga 0-6 vjeç – përbëjnë njërën nga periudhat më të rëndësishme për zhvillimin e njeriut. Gjatë këtyre viteve fëmija formon personalitetin e tij, zhvillon aftësitë sociale, zhvillon të folurit, të menduarit etj. Këto realizohen si në familje, në komunitetin ku fëmija bën pjesë, por sidomos nëpërmjet programeve që zhvillohen në arsimin parashkollor. Nga mënyra se si paraqiten rolet gjinore në programet e këtyre grupmoshave, varet në një masë të madhe edhe përfytyrimi që do të krijojnë fëmijët për të ndërmarrë rolin e tyre në shoqëri në të ardhmen. “Përgjithësisht është pranuar se socializimi i roleve gjinore fillon në familje dhe se kopshti dhe shkolla nëntëvjeçare e vazhdojnë këtë proces duke luajtur një rol të rëndësishëm për ndërtimin e përkatësisë gjinore përmes mënyrave të organizimit të praktikave të tyre… Njëkohësisht, media dhe ndërveprimi me fëmijë të tjerë kontribuojnë në mënyrë të dukshme në procesin e socializmit.”[3]

Nëse do t’i bënim një analizë çastit të parë kur diskutohet për ekzistencën e një fëmije ende pa u bërë i qartë seksi i tij, që këtu vihen re ndarjet gjinore. Ndërsa, po t’u referoheshim zakoneve dhe traditave në vendin tonë, do të vërenim se që në fillim bëhet urimi: “Me një djalë!” Edhe pse mendësia e të pasurit të një djali për trashëgimtar tanimë duket se ka pësuar një lloj përthyerjeje, gjithsesi ajo vijon të mbetet ende një ide e ngulët. Prirja për nga mashkullorësia, që më së shumti ka ardhur si rrjedhojë e faktorëve historikë, ekonomikë dhe socialë, haset edhe në krijimtarinë gojore të popullit, kur bëhet fjalë për fëmijën që pritet të lindë. U ndalëm jo rastësisht te parapëlqimi gjinor në shoqërinë dhe familjen tradicionale, por për të nënvizuar idenë se edhe në ditët e sotme kanë një ndikim të dukshëm forca dhe inercia e “normave kulturore” të trashëguara nga e kaluara. Natyrisht, ka shumë norma të tilla në shoqërinë shqiptare, të cilat, ngaqë kanë ndikim të fortë, marrin edhe trajtën e rregullit apo të masës kur bëhet fjalë për përkatësinë mashkull-femër, duke filluar me sjelljen, mënyrën e veshjes, marrëdhëniet me të tjerët, paraqitjen në publik etj.

Si rregull, këto “norma kulturore” ushtrojnë trysni dhe kërkojnë të bëhen të detyrueshme për t’u zbatuar në jetën sociale dhe në stereotipat gjinore të përditshme. Shpesh, për fat të keq, falë mjedisit familjar apo mikromjedisit, ato zënë vend edhe në psikologjinë, vetëdijen dhe mentalitetin e fëmijëve. Pra, që herët ushqehet ideja e dallimit thelbësor lidhur me përkatësinë gjinore. Po sjellim një shembull. Që në çastin kur merret vesh seksi i fëmijës, prindi përgatitet për një lloj ndryshimi apo dallimi që nis me ngjyrën e rrobave që do të përgatiten: rozë për vajza dhe bojë qielli për djemtë. Por dallimet midis meshkujve dhe femrave vijnë duke u theksuar me kalimin e viteve dhe varen në një masë të madhe nga qëndrimet që mbajmë ndaj të dyja sekseve, nga toleranca në lidhje me sjelljen e tyre etj. Këto probleme krijohen dhe vijnë duke u thelluar akoma më shumë në vitet e kopshtit, duke qenë se këto janë vitet kur “zë rrënjë” formimi i tyre, pa anashkaluar këtu edhe familjet dhe mjedisin social ku rriten këta fëmijë.  Përvoja na tregon se pabarazia gjinore shfaqet edhe në arsimin parashkollor. Dhe nuk vërehet vetëm te mënyrat e sjelljes dhe këndvështrimit të fëmijëve të këtyre grupmoshave, por edhe në përmbajtjen e programeve që zbatohen apo edhe te mësueset.

Pra, si padashur, krijohen “standarde” dhe “norma” të sjelljes dhe qëndrimit femëror, të sjelljes gjinore që, së bashku, përbëjnë “idenë” dhe “modelin” mbizotërues që shoqëria ka për femrën dhe femëroren. Më pas, këto “norma” apo “zakone” përcaktojnë një ndikim të fortë në deformimin e realitetit social, që e marrin fillesën e vet te mënyra e sjelljes që në shtëpi apo në kopsht, që në rastin tonë përbën mjedisin social.

  1. Kësisoj, do të ishte mirë që mësueset e arsimit parashkollor vazhdimisht të reflektonin dhe ta vlerësonin pozicionin e tyre në punë përmes qëndrimit që duhet të mbajnë në lidhje me fëmijët në kopsht. Por, gjithsesi, ende nuk mund të pritet shumë prej tyre, nisur nga fakti i thjeshtë se ato kanë pak njohuri për integrimin gjinor në sistemin arsimor në përgjithësi e për sistemin parashkollor në veçanti. Megjithëse përfshirja e elementeve të përkatësisë gjinore në arsimin parashkollor paraqitet më mirë se në nivelet e tjera të arsimit, përsëri ka ende punë për të bërë. Ndaj dhe kërkohet shumë më tepër ndërhyrje si në nivel politikash, institucionesh, botimesh, por edhe një lloj vetëdijesimi i të gjithë aktorëve që kanë rol dhe ndikim te fëmijët e kësaj moshe. Është fakt se edukatoret e kanë të vështirë ta pranojnë ndryshimin e rolit dhe pozicionit të tyre. Ndërkaq, të gjithë e dimë që figura e mashkullit (ashtu si dhe e femrave) është e pazëvendësueshme për këtë grupmoshë, por në arsimin parashkollor nuk gjejmë asnjë burrë në rolin e mësuesit. Dhe jo vetëm mësues, por as drejtues, kuzhinier etj. Për fëmijët, në këtë periudhë vendimtare të formimit të tyre do të ishte mirë edhe përvoja dhe angazhimi i një mësuesi. Përderisa në ciklin e ulët ka pasur dhe ka mësues, atëherë kjo mund të korrigjohet dhe të vendosen mësues edhe në arsimin parashkollor. Pra, nuk ka pse të mos themi se ardhur koha që edhe në arsimin parashkollor të zërë vend figura e mësuesit ose drejtuesit.

Nëse do t’i referoheshim Raportit Vjetor Statistikor të Arsimit,  MASH, do të vinim re se në arsimin parashkollor japin mësim dhe janë në role drejtuese vetëm edukatore (femra) dhe asnjë edukator (mashkull).

Pra, e veçanta në arsimin parashkollor është se 100 % e edukatoreve janë femra, raport ky që nuk vihet re në asnjë nga nivelet e tjera të arsimit.

        Nëse do të kishim të dhëna të sakta për numrin e popullsisë në përgjithësi dhe për numrin e fëmijëve të moshës 3-6 vjeç, të ndarë në femra dhe në meshkuj, atëherë do të mund të analizonim (duke u bazuar në shifra), frekuentimin apo regjistrimin e vajzave dhe djemve në arsimin parashkollor, si një element i edukimit gjinor në arsimin parashkollor. Por edhe për shkak të emigrimit apo migrimit të popullsisë, nuk mund të kemi një shifër të saktë të frekuentimit të këtij niveli arsimi nga vajzat dhe djemtë. Kjo e dhënë, për arsimin parashkollor, mungonte edhe në Raportin Vjetor Statistikor të MASH.

  1. Po të analizonim me hollësi programin që zbatohet gjatë veprimtarisë mësimore-edukative në arsimin parashkollor, mjetet dhe materialet që përdoren gjatë zhvillimit të saj, do të vinim re se këto transmetojnë “mesazhe” të dukshme ose të padukshme, duke iu krijuar idenë vajzave dhe djemve se ka fusha ku ata mund të jenë ose mund të mos jenë të suksesshëm. Dhe kjo vetëm për shkak të përkatësisë së tyre gjinore. Gjatë analizës, hasen elemente që tashmë janë bërë stereotipa dhe janë të pranishme në arsimin parashkollor. P.sh., dita në kopsht fillon me ngrënien e mëngjesit dhe, zakonisht, si kujdestare të ushqimit mësueset zgjedhin vajzat, të cilat kanë për detyrë të shtrojnë tryezën, ta pastrojnë atë, të vendosin çdo gjë në vendin e vet pas përfundimit të ushqimit etj.

Dhe po ashtu, djemtë zakonisht zgjidhen “komandantë”. Për të vijuar më tej: te këndi i konstruksionit luajnë djemtë, ndërsa këndi i kuzhinës dhe ai i kukullave është “pronë” e vajzave. Nëse ndonjë djalë do të tentojë të luajë me kukulla, shpesh mësueset janë të parat që i thonë: “Ti je djalë dhe një djalë nuk luan me kukulla”. Këto dhe të tjera si këto, të përsëritura shumë herë në familje, në mjedisin social ku fëmijët jetojnë dhe në kopsht, krijojnë një stereotip gjinor të caktuar dhe ndikojnë në zgjedhjet e mëvonshme, qoftë të djemve apo të vajzave. Stereotipat gjinore formohen te fëmijët që në moshën 3-5-vjeçare, sepse të gjithë e dimë që fëmijët 3, 4 apo 5-vjeçarë përpiqen ta modelojnë sjelljen e tyre në përshtatje me atë të të rriturve me të cilët jetojnë dhe reagojnë në përshtatje me atë se çfarë presin prindërit nga ata. Çdo ditë, në jetën e përditshme, ata ndeshen me dukuri të tilla, si: vajzat shpesh nxiten të mësojnë të bëjnë punë shtëpie dhe të kujdesen për të tjerët duke ndihmuar nënat, ndërsa djemtë në të njëjtën kohë nxiten të merren me sporte apo aktivitete të tjera, të shoqërojnë baballarët jashtë shtëpisë etj. Pra, në këtë moshë e më tej vajzat nxiten të jenë më pasive se meshkujt, si në shtëpi ashtu dhe në kopsht. Shpesh dëgjojmë mësuese që thonë: “Mos u hidh ashtu, se nuk je çun”. Apo “Kështu veprojnë vajzat?” Ky pasivitet që kultivohet te vajzat, më vonë mund të shfaqet si mungesë aktiviteti, si varësi ndaj të tjerëve apo si mungesë interesi. Dhe kështu krijohet përshtypja se femrat janë më pasive se meshkujt e kjo ndikon pastaj gjatë gjithë jetës së tyre. Megjithëse vajzat ndryshojnë nga djemtë që në gjene, këto ndryshime thellohen më shumë gjatë viteve të para të jetës. Shpeshherë, si në familje, po ashtu dhe në kopsht, agresiviteti i djemve justifikohet me fjalët: “Fundja, ai është djalë”. Ndërkaq, frika te një djalë nuk mund të tolerohet dhe atij i thuhet: “Ti nuk je vajzë!” Pra, që në këtë moshë djemtë nxiten që të jenë të fortë emocionalisht, dhe kur një djalë i shpreh emocionet e tij duke qarë, menjëherë ndërhyn edukatorja duke i thënë: “Ti nuk je qaraman si vajzat”. Në të kundërt, nëse nja vajzë i shpreh emocionet e çastit duke qarë, kjo është e pranueshme, ngaqë vajzat janë më të buta, “nuk dinë gjë tjetër veçse të qajnë” etj. Kësisoj, sjelljet e djemve modelohen drejt veprimeve të rrezikshme e të pallogaritura, për të treguar se nuk janë frikacakë. Ndërsa e kundërta duhet të ndodhë me vajzat, të cilat, kur munden, do të tërhiqen, sepse ato “janë vajza”.

2

Këto devijime në sjellje ndikojnë në formimin e personalitetit të fëmijëve, çka sjellin edhe ndryshime në fushën e komunikimit. Dhe të gjitha këto për shkak të edukimit të diferencuar gjinor, të nxitur që në kopsht.

Për të parë se si veprohet në arsimin parashkollor dhe se si realizohet edukimi gjinor, do të përpiqemi të analizojmë programin që zbatohet në kopshte, si dhe praktikën e përditshme të aktiviteteve mësimore-edukative. Më poshtë po japim një vjershë që mësohet në grupin e dytë me fëmijë të moshës 4-5 vjeç për zhvillimin e tyre gjuhësor:

Një të diel në mëngjes,/ lau Albana sytë e zes,/ lidh shaminë, vë një futë,/ ngjan tamam si një mama./ Si një flutur punët nis,/ bën pastrimin e shtëpisë,/ lan, fshin e shkund, / s’lë një pluhur asgjëkund. /Hyn dhe Beni me nxitim, /me këpucët mbi qilim,/ vjen e shkon e shkon e vjen,/ kërkon topin por s’e gjen./ I thotë motra: – “Ki kujdes, / eja merr dhe ti një fshesë”,/ Qeshi Beni: ha,ha,ha,/nuk më sheh? Unë jam baba.

Në këtë vjershë duket qartë roli i destinuar gjinor i Albanës (të fshijë, të lajë, të marrë pluhurat, madje duke vënë edhe shaminë e përparësen: ngjan tamam si një mama) dhe i Benit (të luajë me top, të shkelë me këpucë mbi qilim dhe, si përfundim, ai është… një baba).

Ose një këngë për fëmijët e grupit të tretë, që thotë: “Të shoh në ekran,/ të shoh në stadium,/ forca babi im, /me ty mburrem unë…”

Po vazhdojmë më tej me programin e zhvillimit gjuhësor të fëmijëve të grupit të parë: “Kush tha se jam e vogël,/ dhe s’ditkam të bëj punë,/ ja prisni të lidh flokët, / të vë përparësen unë./ Kur nis të fshij kuzhinën, /te çezma fshesën laj,/ pastaj me një leckë, /gjithë pluhurat i marr. /Mbi tavolinë kurrë,/ s’harroj të ve dhe lule, /kush tha se jam e vogël/ dhe s’ditkam të bëj punë?“

Këto janë elemente të stereotipave në përkatësinë gjinore, të cilat formohen pak e nga pak që në grupmoshat 3-6 vjeç.

Por, përveç vjershave (dhe të tjera si ato) që përmendëm më sipër, në arsimin parashkollor fëmijëve u mësohen edhe vjersha të këtij lloji: “Unë dhe motra në shtëpi,/ punët kurrë nuk i ndajmë,/ bashkë krevatet rregullojmë,/ edhe enët bashkë i lajmë. /Unë me fshesë fshij shtëpinë, / ajo me leckë pastron,/ kur unë lyej këpucët,/ ajo mamin e ndihmon.” Ashtu siç kuptohet nga teksti i kësaj vjershe, rolet gjinore nuk janë të ndara, të përcaktuara.

Ndërsa, po të analizonim figurat e fletoreve që përdoren në arsimin parashkollor, vihen re pak dallime gjinore. Në përgjithësi rolet gjinore të djemve dhe vajzave janë të shkrira, por përsëri, nëse do të shikonim me vëmendje, “Libri i parashkollorëve” për grupin e dytë, në faqen 4, tek tema “Miq të rinj”, në të dyja figurat lodrat janë ndarë: djemtë kanë në dorë topa, ndërsa vajzat kukulla. Kjo e thekson dallimin gjinor midis tyre, përveç veshjes, që e bën të qartë se cilët janë djemtë në figurë e cilat janë vajzat. Ndërsa e njëjta fletore, por për grupin e parë, në faqen 8, tek tema “Mjetet e komunikacionit, lëvizja drejtvizore” shoferi i makinës është burrë, ndërsa pasagjerët janë edhe djem, edhe vajza. Ndërsa te fletorja për parashkollorët e grupit të tretë, “Veprimtari gjuhësore”, në faqet 8-9, tek tema “Sa na pëlqejnë lojërat me top!”, të gjitha figurat që ilustrojnë këtë temë tregojnë djem që luajnë me top lojëra të ndryshme.

Po kështu, në arsimin parashkollor përdoren edhe kartolina për zhvillimin gjuhësor të fëmijëve sipas grupmoshave. Në bazë të figurave që paraqiten atje, bisedohet midis edukatoreve dhe fëmijëve dhe përveç zhvillimit të të folurit, krijohen koncepte të reja. Nëse do t’i analizonim me kujdes kartolinat, do të vinim re se në to janë të ndara në mënyrë të qarta rolet gjinore. P.sh., vetëm gra duke vjelë rrushin ose domate; një gjysh që lexon gazetën ose që ngrohet; një gjyshe që bën triko ose gatuan gjellën; një babi marangoz ose traktorist; një vajzë që shtron tavolinën; një mami që kujdeset për beben etj.

2

Në modelin edukativ të Rexhio-Emilias, analizuam projektin “Ne dhe toka”, të realizuar me fëmijët e grupit të tretë, 5-6-vjeçarë, në njëri prej kopshteve në Tiranë. Një nga pikat e projektit ishte: Identiteti i planetit tonë. Shumë interesante janë këndvështrimet e fëmijëve, që ndryshojnë nga djemtë te vajzat dhe ndihet ndikimi i stereotipave gjinore të krijuara në familje, në kopsht ose në mjedisin social ku jetojnë. Ja si shprehen ata për tokën – shoqëruar me vizatimet përkatëse:

Fabio: Ngaqë toka është më e madhe, ajo është gjysmë djalë e gjysmë vajzë.

Mateo: Është djalë, se ka ngjyrat e djemve.

 Laurenti: Është çun, se ka dete e male.

Dea: Mund të jetë edhe vajzë, se ka lule.

Fertili: Toka është djalë, sepse rrotullohet, nuk rri në vend.

Po të analizojmë me kujdes përgjigjet e tyre, djemtë mendojnë se toka është djalë meqenëse ka më shumë dete e male (ngaqë detet e malet janë të forta si djemtë). Ndërsa vajzat, meqë në tokë ka edhe lule (që janë të buta si vajzat) atëherë mund të jetë edhe vajzë.

Këtu shihet qartë ndikimi i edukimit gjinor edhe në arsyetimin e fëmijëve të kësaj grupmoshe.

3

Nga kjo analizë e programeve dhe e materialeve didaktike që përdoren në arsimin parashkollor, dalim në konkluzionin se: prindërit dhe edukatoret kanë nevojë të mësojnë t’i trajtojnë fëmijët mbi bazën e dallimeve individuale dhe jo mbi bazën e dallimeve gjinore të paragjykuara. Kjo gjë vjen nga mungesa e njohurive të prindërve dhe edukatoreve për çështje të përkatësisë gjinore. Për të ndryshuar këtë situatë duhet të ndërtojmë strategji duke vlerësuar më parë situatën, duke bërë trajnime të edukatoreve dhe prindërve për probleme të edukimit gjinor, duke shpërndarë informacion nëpërmjet fletëpalosjeve, posterave, literaturës etj. Më tej, edukatoret duhet të qartësojnë dhe të thellojnë kuptimet e koncepteve themelore në lidhje me përkatësinë gjinore dhe zhvillimin në arsim. Po ashtu, të vetëdijesohen në lidhje me integrimin gjinor në arsim duke ofruar metoda dhe strategji për të lehtësuar përfshirjen e perspektivës gjinore në programet mësimore-edukative. Dhe, që të realizohen të gjitha këto, edukatoret kanë nevojë për më shumë informacion, të cilin, përveç literaturës përkatëse, mund ta plotësojnë me trajnime nga specialistë të fushës së edukimit gjinor.

 

[1].  Standardet e Përmbajtjes në Arsimin Parashkollor, ribotim, Tiranë 2005, botim i Institutit të Kurrikulës dhe Standardeve, f. 3.

[2]. Shtojcë e Strategjia Kombëtare e Arsimit për zhvillimin e integruar të fëmijërisë së hershme në Shqipëri, A. 6.2 – Rëndësia e fëmijërisë së hershme, faqe 2.

[3]. Measor dhe Sikes, 1992 – Integrimi gjinor në arsim, Botim i qendrës “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, Tiranë 2004.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top