Në fokus

October 11, 2017 | 12:22

“Trendi” i të rinjve, mungesë etike në shoqëri

A po shuhen vlerat morale dhe etike tek të rinjtë ditët e sotme? Si po ndikon globalizimi dhe “individualizmi perëndimor” i përkthyer keq në një shoqëri, që nuk i largohet dot kolektivizmit? Cili është paradoksi i kësaj shoqërie moderne në të cilën po jetojmë?

Ilda Goxhaj, studente e "Psikologjise"

Ilda Goxhaj, studente e “Psikologjise”

Etika dhe morali kanë një rëndësi të madhe në përcaktimin e natyrës së një shoqërie apo kulture. Shpesh morali dhe etika përdoren si terma të njëjtë, por ato kanë kuptime të ndryshme. Morali i referohet besimeve që një person praktikon, kur ndërvepron në marrëdhënie personale dhe sociale. Morali identifikon mënyrën si jeton një person. Etika, nga ana tjetër, janë standarde ose kode sjelljeje që përcaktohen nga grupi në të cilin jeton dikush. Me fjalë të tjera, etika është seti i parimeve ose teoria që përcakton vlerat morale të dikujt. Etika sociale dhe vlerat morale janë përkeqësuar me kalimin e kohës. Si rezultat, numri i krimeve si vrasjet, vjedhjet, rrëmbimet dhe praktikat ilegale si terrorizmi, abuzimi me drogën etj., kanë pësuar rritje të shumëfishtë në vetëm pak vite. Prakticiteti dhe zgjuarsia kanë marrë forma të lakmisë, xhelozisë, konkurrencës negative dhe tundimit për të fituar sa më shumë para, gjë që është plotësisht e dëmshme për një jetë sociale të lumtur dhe të shëndetshme. Njerëzit kanë humbur durimin dhe janë bërë egoistë në motivet e tyre. Për rrjedhojë etika dhe morali e kanë humbur vlerën e tyre vitet e fundit.

1

Moderniteti ka ndikuar negativisht shoqëritë në shumë mënyra, sidomos shoqëritë e shteteve perëndimore. Erozioni i vlerave tradicionale dhe rënia e moralitetit në “jetët komunitare” është një çështje shqetësuese kudo. Më së shumti, fëmijët e shekullit XXI rriten dhe edukohen në mënyrë të tillë që të qëndrojnë në këmbët e tyre të palëkundur që herët në jetë. Këta bëhen të rinj të pavarur politikisht dhe ekonomikisht, shumë më herët se sa brezat e mëparshëm, por e gjitha kjo ka edhe koston e saj. Pavarësisht ekspozimit kaq të madh ndaj njohurive dhe zhvillimeve teknologjike, kompleksiteti në shoqërinë moderne vazhdon të rritet. Konkurrenca për të qenë në avantazh ndaj tjetrit “vret” vlerat njerëzore të përkujdesjes, ndarjes me të tjerët, dhe pranimin e tyre me zemër. Duket sikur gjithçka është transformuar në një “luftë pa rregulla” për fitime materiale. Duket sikur të rinjtë i kanë harruar disa rregulla sociale që duhen zbatuar. Rrallë shoh të rinj që thonë “Faleminderit” për shërbimet që marrin, qoftë edhe nëse ky falënderim shkon për kamerierin që u shërben atyre kafen e mëngjesit. Më së shumti ankohen se duan gjithmonë “më mirë” se kaq, duke harruar se ndryshimi nis nga vetja.

1

Paradoksi i modernitetit

George Carlin, komedian, kritik social, aktor dhe shkrimtar, e ka përshkruar shumë bukur modernitetin e shekullit XXI dhe stilin e jetës së kohëve moderne. Paradoksi i kohës sonë është se ne kemi ndërtesa më të larta, por durim më të shkurtër, rrugë më të gjera, por pikëpamje më të ngushta. Shpenzojmë më shumë, por kemi më pak, blejmë më shumë, por e shijojmë më pak. Kemi shtëpi më të mëdha, por familje më të vogla. Kemi më shumë diploma, por më pak kuptim, më shumë njohuri, por më pak gjykim, më shumë ekspertë, akoma më shumë probleme, më shumë ilaçe, por më pak mirëqenie. Ne pimë shumë, tymosim shumë, shpenzojmë në mënyrë të pakujdesshme, qeshim pak, ecim shpejt, inatosemi shpejt, qëndrojmë zgjuar deri vonë, zgjohemi shumë të lodhur, lexojmë pak, shohim TV shumë dhe lutemi rrallë. Kemi shumëfishuar pasurinë, por kemi reduktuar vlerat. Ne flasim shumë, duam rrallë dhe urrejmë shpesh. Kemi mësuar si të bëjmë një jetesë, por jo një jetë. I shtojmë vite jetës, jo jetë viteve. Kemi bërë gjithë rrugën për në hënë e jemi kthyer, por e kemi të vështirë të kalojmë rrugën për të takuar një komshi të ri. Kemi pushtuar hapësirën e jashtme, por jo hapësirën e brendshme. Kemi bërë gjëra më të mëdha, por jo më të mira. Kemi pastruar ajrin, por kemi ndotur shpirtin. Kemi ndarë atomin, por jo paragjykimet tona. Shkruajmë më shumë, por mësojmë më pak. Planifikojmë më shumë, por realizojmë më pak. Kemi mësuar të nxitojmë, por jo të presim. Ndërtojmë më shumë kompjuterë që të mbajnë më shumë informacion, të prodhojnë më shumë kopje se kurrë më parë, por komunikojmë gjithmonë e më pak. Është koha e ushqimeve të shpejta dhe tretjeve të ngadalta, njerëzve të mëdhenj dhe karaktereve të vogla, përfitimeve të thella dhe marrëdhënieve të cekëta. Është koha e dy të ardhurave, por më shumë divorce, shtëpi të zbukuruara, por familje të shkatërruara. Është koha ku ka shumë në dritaren e ekspozitës, dhe asgjë në magazinë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.117

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top