FB

October 11, 2024 | 1:07

Tri gjëra që mund të mësojmë nga fëmijët

Në rrugëtimin tonë të rritjes, disa nga mësimet më të rëndësishme nuk do t’i kuptojmë nga kurset dhe nga librat, por nga përvojat e jetës dhe nga takimet që bëjmë…

 web1

Fëmijët kanë shumë për të na mësuar. Duhet të jenë një pikë e rëndësishme referimi në jetën tonë. Janë shembulli më i madh që kemi për të mësuar disa sjellje thelbësore, të cilat i kemi harruar në përditshmëri dhe që na bëjnë të arrijmë suksesin dhe përsosmërinë.

Shpesh në rrugëtimin tonë të jetës, lëmë pas disa gjëra që në fakt duhet t’i rizbulojmë, duke mësuar pikërisht nga më të vegjlit.

Të jesh si një fëmijë, të mbash brenda vetes anën fëmijërore, mund të jetë burim shumë i madh për një sërë faktorësh. Le të shohim se përse shembulli i fëmijëve është mjaft i çmuar.

Të qenit kuriozë   

Karakteristika e parë e fëmijëve, që duhet ta rizbulojmë në çfarëdolloj moshe, është kurioziteti. Ju ka ndodhur ndonjëherë të dëgjoni stuhinë e pyetjeve që një fëmijë është në gjendje të bëjë mbi çdo argument të mundshëm? Është pikërisht një mënyrë e tyre e të qenit, një pyetje, pastaj një tjetër, dhe një tjetër përsëri. Është mënyra e tyre për t’u rritur, për të mësuar. Janë të stimuluar nga gjëra të shumta, vëmendja e tyre përthith jashtëzakonisht shumë. Kjo bën të mundur që përgjigjet të mos jeni asnjëherë mjaftueshëm për ta. Mund të përfshihen menjëherë e totalisht nga çfarëdolloj argumenti. Edhe kur u tregon një përrallë, kanë shpesh një kuriozitet që kalon përtej dëgjimit pasiv.

Ja, kjo është karakteristika e parë tipike e fëmijëve, të cilën duhet ta fitojmë. Ta shohim botën me tjetër sy; gjithçka që dimë, në fakt e dimë vetëm pjesërisht. Kjo është si për njerëzit që na rrethojnë, ashtu edhe për objektet e gjërat që bëjmë. Përse një i afërm apo një koleg i yni sillet në një mënyrë të caktuar? Për çfarë ka nevojë realisht? Përse jeta jonë ecën në një rrugë të caktuar? Janë mijëra pyetje që nuk duhet të harrojmë t’ia bëjmë vetes.

 

Të qenit entuziastë   

Një tjetër magji e madhe e të vegjëlve është aftësia e tyre për të qenë entuziastë. Entuziazmi i tyre është me të vërtetë përfshirës, së bashku me aftësinë që kanë për të provuar emocione. Si të rritur, duhet t’i evitojmë ato sjellje të tipit: “jam shumë i rritur për këto gjëra”. Me siguri ju ka ndodhur të takoheni me njerëz që prapsen e stepen përballë një përvoje të re, mbyllen përballë emocioneve. Ndërsa fëmijët kanë inat të shkojnë të flenë herët dhe çohen herët në mëngjes nga entuziazmi që i përfshin. Zbuloni entuziazmin e të vegjëlve! Është një burim i madh energjie. Aftësia e të entuziazmuarit është një aftësi thelbësore. Do të thotë të jeni të hapur ndaj propozimit të dikujt, ndaj gjërave të reja që mund t’ju ndodhin në jetë. Mirëpritini emocionet! Kjo është një karakteristikë e shkëlqyer e më të vegjëlve.

 

web2

Të pasurit besim   

Aftësia për të pasur besim është një karakteristikë tipike e fëmijëve. Besojnë, me pak fjalë. Ndërsa të rriturit preferojnë të mbyllen në skepticizmin e cinizmin e tyre. Kjo është një mënyrë për të larguar atë të mirë që ndodh në ditët tona. Skepticizmi i të rriturve i shtyn, për shembull, të mos besojnë se mund të fitojnë diçka, sepse konsiderohet jashtë pritshmërive më tipike. Përse të mos besojmë se mund të ndërmarrim e të realizojmë një punë e caktuar, në fushën profesionale apo atë personale? Një fëmijë ka besim se çdo gjë që dëshiron, mund ta realizojë.

Është shumë e rrallë të shohim një fëmijë që nuk beson, një shembull i madh për jetët tona si të rritur, të ngarkuar në botën e marrëdhënieve dhe të punëve. Pjesa më e madhe prej nesh, përgjatë jetës kalon dështime, por ato nuk duhet të na pengojnë të rigjejmë besimin te njerëzit. Vetëm duke u sjellë si fëmijët jemi të aftë të kthehemi pas në krahët e një personi tjetër. Kjo do të thotë që të dimë të rrezikojmë, të vihemi në lojë dhe të mbledhim frutet që na takojnë. Një sjellje besimi kundrejt të tjerëve, gjeneron po ashtu besim, pra do të thotë të gjenerojmë një rreth vicioz në jetët tona.

Përgatiti: Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top