Mirëqenie

June 28, 2016 | 9:14

Trup i SHËNDETSHËM me antioksidantë!

Detoksifikimi është një proces fiziologjik në trupin tonë, ku marrin pjesë mjaft organe me qëllim që të largojnë lëndët e dëmshme të ashtuquajtura toksina. Ky proces bëhet çdo ditë në trupin e njeriut nga organet si: veshkat, hepari (mëlçia), sistemi enderal etj. Toksinat largohen nëpërmjet urinimit, feçes dhe djersës.

Çfarë janë toksinat?

Toksinë mund të jetë çdo lëndë në trupin tonë kur është në sasi të tepruar. Gjithashtu prodhohen dhe organikisht nga njeriu, nga mbetjet e çdo reaksioni biokimik. Madje në trupin tonë mund të futen nga jashtë përmes ushqimeve, duhanit, ujit apo dhe ajrit. Ushqimet mjaft të përpunuara janë shumë të pasura në toksina. Ajri në qytet është edhe më i pasur me këto mbetje si detergjentet, ilaçet por dhe shumë pajisje shtëpiake mund të shtojnë sasinë e toksinave që mund të hyjnë lirshëm në trupin tonë. A kemi nevojë për dietë detoksifikimi? Përgjigjja është jo. Detoksifikimi më i mirë për njeriun është të furnizojë trupin gjithmonë në mënyrë të rregullt me produkte të shëndetshme. Cilat janë ato? Sigurisht që ushqimet janë ato që e mbrojnë organizmin për të mos u rrezikuar nga toksina. Sa i takon dietave detoksifikuese qoftë edhe për 1-2 ditë, ato nuk janë të vlefshme pasi pastrimi i toksinave nuk mund të bëhet menjëherë. Nëse për vite me radhë trupi është pasuruar keq me ushqime të varfra në vlera antioksiduese dhe ushqyese, atëherë do të duhet një regjim i gjatë ushqimor për të rikthyer ekuilibrin e organizmit. Por nëse jemi të kujdesshëm atëherë mund të shtojmë disa zakone që ndihmojnë në mirëqenien e trupit. Së pari është shumë e rëndësishme për të përmendur hidratimin. Mesatarisht duhet të konsumojmë 1,5 deri në 2 litra ujë në ditë. Hidratimi ndihmon në largimin e toksinave, gjithashtu dhe të disa kilogramëve të tepërt. Ekspozimi në diell tani në pranverë, ku rrezet nuk janë shumë të forta, është i dobishëm për imunitetin e njeriut. Sepse jo vetëm e forcon atë por rrit ndjeshëm forcimin e masës kockore dhe ndikon në gjendjen e humorit. Mjafton 10 minuta në ditë të ekspozojmë pjesë të trupit si: fytyra, qafa ose duart dhe ato do të marrin vitaminën D (burimi i së cilës është dielli), shumë e dobishme për aktivitetin njerëzor. Vitamina D ndihmon në përthithjen më të mirë të kalciumit, ndihmon për dobësim, kuron depresionin, si dhe në metabolizmin e karbohidrateve, tejet të nevojshëm për diabetikët. Kujdes nëse ekspozoheni në diell, para xhamit ose në makinë. Atëherë trupi nuk mund ta marrë këtë ushqyes. Edhe nëse kemi përdorur një krem me faktor të lartë mbrojtës, vitamina D nuk mund të depërtojë. Kontakti i drejtpërdrejtë me diellin është veprimi më i mirë.

Antioksidues

Antioksidues janë lëndët të cilat ngadalësojnë dhe ndalojnë oksidimin, i cili njihet si procesi i degradimit që ndodh në trupin tonë. Me pak fjalë, antioksiduesit na mbrojnë nga efektet negative të nivelit të lartë të toksinave. Ndaj sa më shumë ushqime të pasura me vlera antioksiduese të konsumojmë, aq më shumë mbrojmë çdo qelizë të trupit nga plakja.

Fruta të stinës me fuqi antioksiduese

Shega: është shumë e pasur me acid folik, vitaminë A, E dhe C, hekur, kalium dhe mjaft fibra. Një shegë plotëson deri në 40% nevojat tona ditore në vitaminë C dhe 25% në acid folik. Është e pasur në tre tipe antioksiduesish, taninën, antiokianinën dhe acid elagik. Mendohet se fuqia antioksiduese është 2-3 herë më e lartë nga vera e kuqe dhe e çajit jeshil. Gjithashtu parandalon oksidimin e LDL, kolesterolit (kolesteroli i keq) duke parandaluar arterosklerozën.

Portokalli: shumë i njohur për vitaminën C, gjithashtu është i pasur me fibra dhe betakaroten. Portokalli ndihmon në përthithjen e hekurit. Parandalon arterosklerozën duke ulur nivelin e kolesterolit dhe përforcon imunitetin tonë ndaj virozave. Është i pasur në kalium që ndihmon personat me hipertension. Kivi: ka nivel të lartë të vitaminës C. Përmban gjithashtu mjaft fibra të cilat ndihmojnë personat me konstipacion, si dhe ka efekte parandaluese nga tumori i kolonit, pasi fuqia antioksiduese, vetitë kundër mikrobeve dhe fibrat e pasura ndikojnë në detoksifikimin e kolonit. Një kivi rreth 70gr. ose 2 të vogla plotëson 100% nevojat ditore në vitaminë C.

Mandarina: është e pasur në vitaminë C edhe pse jo sa portokalli. Përmban betakaroten dhe vitaminë A. Mandarina ndihmon në uljen e tensionit dhe të stresit. Lëkura e mandarinës është shumë e pasur me antioksidues ndaj dhe rekomandohet të përdoret në çaj, e thatë ose e njomë.

Molla: përmban vitaminë A dhe C, por ajo që e bën të veçantë është fuqia antioksiduese pasi ndihmon në uljen e kolesterolit. Ka veti qetësuese, ul temperaturën, ndihmon konstipacionin, tretjen si dhe ndikon në normalizimin e sheqerit në gjak. Është fryt shumë i domosdoshëm për personat me diabet, probleme kardiovaskulare, me konstipacion. Gjatë virozave të stinës apo nëse jemi duke ndjekur një diete, gjithmonë të kombinuar me një ushqim tjetër molla jep vetitë e saj pozitive.

Banane: fryt i pasur në karbohidrate dhe shumë e përshtatshme për personat që merren me sport.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top