Sipas një hulumtimi të fundit, truri i femrave është dukshëm më aktiv në shumë regjione sesa truri i meshkujve. Këto hulumtime ndoshta mund të ndihmojnë edhe në shpjegimin e faktit se përse shumë femra janë më të prira të vuajnë nga ankthi, depresioni, pagjumësia dhe çrregullimet e ushqimit.
Studimi është kryer nga shkencëtarët e klinikës ‘Amen’ në Kaliforni, ku janë krahasuar 46,000 skanime të trurit nga nëntë klinika dhe kanë analizuar dallimet mes trurit të mashkullit dhe të femrës.
Kështu, shkencëtarët zbuluan se femrat janë më të prira të diagnostikohen me sëmundjen e Alzheimerit, me depresion, çrregullime të ankthit, etj.
Përveç këtyre, studimi i cili ishte publikuar edhe në revistën ‘Journal of Alzheimer’s Disease’, ka zbuluar se truri i femrave është dukshëm më aktiv në shumë zona sesa ai i meshkujve, e posaçërisht në korteksin parafrontal i cili përfshihet në përqendrim, kontroll impulsiv, etj.
Femrat gjithashtu kanë qarkullim më të madh të gjakut në korteksin parafrontal, gjë e cila mund të shpjegojë faktin se përse femrat kanë tendenca të jenë më të forta në aspektet e mëshirës, intuitës apo bashkëpunimit.
Burimi / shendeti.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.