Në fokus

May 3, 2016 | 12:32

T’u mësojmë fëmijëve mirësjelljen

Në shoqëritë e sotme moderne respektohen shumë të drejtat dhe dëshirat e fëmijëve. Ata janë më të lirë se në shoqëritë e vjetra më tradicionale, për të qenë vetvetja, për të shprehur një mendim, për t’u respektuar e për të vepruar. E megjithatë, kjo liri e tepërt cenon atë që quhet “mirësjellje”, një karakteristikë aspak luksoze, por e domosdoshme, e dobishme për të tjerët dhe botën në tërësi, aq e rëndësishme në formimin e fëmijës.

Por ç’është mirësjellja? ËSHTË AFTËSIA PËR TË RUAJTUR EKUILIBRIN MIDIS EGOS SONË TË BRENDSHME DHE UNIT SOCIAL. Kur jemi foshnje, rritemi përmes principit të kënaqësisë dhe nuk na intereson ambienti i jashtëm social. Fokusi ynë i vetëm është vetvetja dhe jo interesat e të tjerëve. Gjatë rritjes, me ndihmën e familjes, prindërve dhe mjedisit tonë social zhvillohemi dhe brenda nesh krijohen aftësi të dobishme jo vetëm për të tjerët, por edhe për veten. Mirësjellja është aftësia për t’u bërë të shoqërueshëm, të edukuar dhe të respektuar nga mjedisi social. Raporti me mirësjelljen e fëmijës jo gjithmonë vërteton anëtarësimin në një klasë sociale “X” apo “Y”, por një njohje më të thellë të intelektit të tij, të emocioneve dhe mbi të gjitha për atë që ai përfaqëson.

SI TË VEPROJMË:

-Që në momentin që fëmija fillon të flasë, mos hezitoni t’i mësoni formulat më të përdorshme të mirësjelljes. Sa më herët në moshë, aq më shumë mundësi do të keni për ta edukuar fëmijën pa shumë mundim.

-Mos harroni t’i kujtoni fëmijës se një botë e qytetëruar është më e bukur sesa një botë pa rregulla e mirësjellje. Ngulitini shprehjen: Mos u bëj kurrë të tjerëve atë që nuk do të doje të ta bënin ty.

-Sigurohuni çdo ditë që fëmija i merr parasysh këto këshilla e rregulla (brenda shtëpisë dhe jashtë saj). Ndëshkimi vlen shumë nëse këto rregulla nuk zbatohen.

-Jini vigjilent në momentet kur fëmija duhet të artikulojë “fjalët magjike”: Faleminderit (gjyshes për shëtitjen)… Të lutem (para se të kërkojë një gotë ujë)… Mirëmëngjesi (në momentin kur hyn në kopsht)… Mirupafshim (kur ndahet më dikë).

-Nëse fëmija sillet ashpër me të tjerët, vërjani në dukje dhe qortojeni. Mësojeni të përdorë fjalën “më fal” pas kësaj, duke i sqaruar se sidoqoftë gjithkush bën gabime, mjaft të mos i përsërisë ato.

Mësojuni fëmijëve komplimentet

Mirësjellja përfshin edhe aftësinë për të dhënë e marrë komplimente. Që në hapat e parë që hedh fëmija, ne qeshim e kënaqemi nga gëzimi. Në këtë mënyrë ne e përgëzojmë për atë çka arriti. A rrezikojmë kësisoj që të zhvillojmë një fëmijë egocentrik, apo përkundrazi e ndihmojmë atë të fitojë ekuilibrin dhe vetëbesimin? Sipas psikiatrit Olivier Grignon: të rriturit duhet të inkurajojnë ndërtimi e egos. Mungesa e egos dhe e vetëbesimit është vuajtje për një fëmijë. Të bësh komplimente nuk do të thotë të bësh “lajka”. Edhe dhënia e stimujve dhe komplimenteve duhet në një formë të moderuar. Kur fëmija ka dalë keq me mësime, kur ka humbur një ndeshje futbolli… prindërit duhet ta dinë se nuk e ndihmojnë atë duke e lajkatuar. Tjetër është të përpiqesh të mos e bësh të ndihet keq. Kujdes: fëmijët kuptojnë dhe kur një kompliment nuk është i sinqertë dhe në këtë moment besimi i tyre lëkundet. “Si mund t’u besoj të tjerëve?”, – pyet vetë ai. Nga ana tjetër, “lajkat” janë si droga dhe krijojnë varësi tek fëmija. Prindi padashur i zhvillon mungesën e pavarësisë dhe nevojën që ta kërkojë gjithnjë mirënjohjen tek të tjerët. Nuk duhet t’u mësojmë fëmijëve që vetëm të marrin nga të tjerët, por edhe të japin. VËSHTIRËSIA PËR TË “MARRË” ECËN PARALEL ME PAAFTËSINË PËR TË “DHËNË”. Që të forcojë besimin te vetja, fëmija ka nevojë për dashuri, për vlerësim dhe mirënjohje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top