“Çelësi i një mjekimi të suksesshëm qëndron në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve tumorale”.
Kështu shprehet prof. dr. Arvin Dibra, mjek pranë Shërbimit të Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT. Por përballja me shenjat e para dhe neglizhimi i tyre bën që pacientët të paraqiten atëherë kur sëmundja ka përparuar. Në këto kushte, pohon mjeku, bëhet më e vështirë deri edhe e pamundur beteja për ta mposhtur.
“Simptomat në stade të ndryshme bëjnë fatkeqësisht që pjesa më e madhe e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje të vijnë në vëmendjen e mjekut relativisht vonë. Kjo është dhe arsyeja themelore e rezultateve të varfra në shërimin e këtyre pacientëve. Është shumë e rrallë që të hasësh në pacient me kancer të stomakut në stad të parë”.
Në intervistën dhënë për gazetën, Dibra pohon se shenjat e para që manifestohen nga kanceri i stomakut janë rënia nga pesha, probleme të lidhura me të ushqyerit, që shkojnë nga neveria për disa lloje ushqimesh deri në pamundësinë e të ushqyerit, të vjella dhe dhimbje në pjesën e sipërme të barkut.
Por, ky mbetet vetëm një aspekt, pasi kujdes duhet treguar edhe me menaxhimin e faktorëve të riskut. Stili i jetesës, thekson më tej doktori, shërben si akt për uljen e probabilitetit të prekjes nga kanceri i stomakut. Ndaj rekomandohet që të reduktohet konsumimi i kripës, ushqimeve të tymosura, i mishit dhe duhanit.
Një nga patologjitë e shumta që ju trajtoni janë edhe tumoret e stomakut, le të ndalemi pak te kjo sëmundje. Sa e përhapur është në vendin tonë dhe cilat mosha prek më tepër?
Në fakt nuk disponoj të dhëna të sakta për Shqipërinë, por mund të them që opinioni im është se jemi diku në linjë me vendet e Europës Perëndimore, ku statistikat flasin për 15-20 raste në 100.000 banorë në vit. Me një prekje më të madhe të meshkujve (rreth 20 në 100.000) se të femrave (rreth 15 në 100.000). Në një studim shqiptar të para pak viteve, tumoret malinje të stomakut përbëjnë rreth 5% të të gjithë tumoreve malinje në vendin tonë. Në një tjetër studim të realizuar në qendrën tonë, rreth 60% e pacientëve të prekur janë mes moshës 50 dhe 70 vjeç, ndonëse shtrirja është shumë e madhe, duke prekur si mosha shumë të reja, në dekadën e tretë të jetës deri dhe shumë të moshuar. Duke bërë një projeksion të studimeve tona pjesore, mund të themi që në Shqipëri trajtohen rreth 200–250 raste të reja çdo vit.
Ju pohuat se kanceri i stomakut prek më shumë meshkujt se femrat. Pse kjo predispozitë?
Është statistikisht e vërtetuar që kanceri i stomakut prek më shume meshkujt se femrat, por, përveç ndonjë interpretimi përgjithësues të lidhur me stilin e jetesës, nuk do të veçoja të dhëna shkencore që të shpjegojnë saktësisht këtë fakt.
Cilat janë disa nga simptomat e kancerit të stomakut?
Kanceri në përgjithësi, dhe gjithashtu ai i stomakut, shfaqet me simptoma në varësi të stadit ku ai ndodhet. Kuptojmë me stad dimensionet dhe shkallën e përhapjes në indet trupore të tumorit. Në rastin e tumorit të stomakut, stadet e para janë thuajse pa shenja, ndërkohë që, me kalimin e kohës, pacientët ndiejnë lodhje, rënie në peshë, probleme të lidhura me të ushqyerit, që shkojnë nga neveria për disa lloje ushqimesh deri në pamundësinë e të ushqyerit, të vjella etj. Dhimbja e pjesës së sipërme të barkut është një shenjë shpesh prezente dhe gjithashtu shpesh e nënvlerësuar nga pacientët. Shpesh pacientët humbin sasi të vogla gjaku, që sjell dhe zbehje progresive, apo në raste disi më të rralla, humbjet e gjakut janë më të mëdha dhe shfaqen me ngjyrimin e zi të jashtëqitjes, apo të vjella me përmbajtje gjaku. Duhet thënë që, rol në llojin e simptomave që shfaqen të parat dhe që bëjnë pacientin të shkojë te mjeku e kushtë- zon edhe zona e stomakut ku shfaqet tumori.
Mjekësia njeh disa lloje të tumoreve të stomakut. Janë të gjithë të rrezikshëm për jetën?
Tumoret ndahen në vija të trasha në beninjë (mashkull në zhargonin popullor) dhe malinjë (femër në zhargon). Baza e ndarjes qëndron në aftësinë e tumorit për t’u përhapur (malinjët) apo për t’u rritur thjesht aty ku kanë origjinën (beninjët), pa “shqetësuar” kësisoj organet e tjera. Në përgjithësi janë malinjët ato që përbëjnë një rrezik afatshkurtër për jetën e pacientit, ndonëse trajtimi është i nevojshëm edhe për tumoret beninje, që përveç rrezikut që mbartin në vetvete, në raste jo të rralla, mund të transformohen në malinjë. Fatkeqë- sisht, tumori i stomakut është shumë shpesh malinj dhe me një agresivitet veçanërisht të madh.
Nga se shkaktohet kanceri i stomakut, cilët janë faktorët?
Ndonëse çështja e faktorëve shkaktarë të kancerit të stomakut është një kapitull që mbart akoma shumë paqartësi, disa elementë mund të veçohen. Prania e një bakteri me emrin “Helokobakter Pylori”, që fillimisht shkakton një lloj gastriti (pezmatim) të mukozës së stomakut dhe që gradualisht mund të pësojë transformime malinjë, është një faktor veçanërisht i përmendur në studime serioze shkencore. Ndër studime, përdorimi gjithnjë e më masiv i ruajtjes së ushqimeve në frigorifer është ndër faktorët që kanë influencuar në reduktimin e sëmundjes në vende të zhvilluara. Konsumimi i nitrateve, substancë në prani të madhe në ushqimet me konservim të gjatë, konsiderohet një tjetër faktor risku. Konsumimi në sasi të mëdha e për kohë të gjatë i kripës, ushqimeve të tymosura, i mishit dhe duhanit hyjnë në ato faktorë që konsiderohen si të kontrollueshëm, përmes një stili të shëndetshëm jetese. Është parë edhe një lidhje mes obezitetit dhe tumoreve të stomakut. Ekziston gjithashtu një përqindje e vogël (rreth 5%) e trashëgueshmërisë, ndërkohë që prania e gastritit kronik atrofik, sëmundja Menetrier, ndë- rhyrjet e mëparshme kirurgjikale për heqjen e një pjese të stomakut etj., trajtohen si situata që kanë nevojë për një vëmendje të veçantë për potencialin që kanë për t’u shndërruar në kancer të stomakut.
Si bëhet diagnostikimi?
Kur mjeku ka përpara pacient me simptomat që përmendëm më parë, sot këshilla më e natyrshme është studimi i stomakut me endoskopi (gastroskopi). Bëhet fjalë për një sondë të pajisur me një sistem pamor elektronik dhe me mundësinë e marrjes së kampioneve, kur vërehen zona të stomakut që sugjerojnë për sëmundje. Diagnoza konfirmohet nga vrojtimi me mikroskop dhe me reagentë të ndryshëm i qelizave të marra me endoskopi. Pacienti u nënshtrohet gjithashtu ekzaminimeve radiologjike që njihen me termat ekografi, skaner apo rezonancë magnetike, si dhe kryen matje të vlerave të ndryshme në analiza të gjakut që informojnë mjekun për gjendjen e përgjithshme dhe sëmundjen. Në pjesën më të madhe të rasteve, me këto ekzaminime arrihet në diagnozën e sëmundjes dhe në marrjen e informacioneve për stadin që kjo sëmundje paraqet. Natyrisht, raste të veçanta mund të paraqesin nevojën e studimeve të tjera, për të cilat nuk më duket rasti të zgjatemi këtu (ndoshta në një artikull tjetër).
Sa të kurueshëm janë tumoret e stomakut?
Kur flasim për kurën e kancerit, duhet të konsiderojmë gjithmonë edhe stadin në të cilin kapet sëmundja. Fatkeqësisht, kanceri i stomakut ka një shkallë shërimi të ulët. Në Europë rreth 25% e pacientëve të diagnostikuar me kancer të stomakut mbijetojnë përtej 5- vjeçarit nga momenti i diagnostikimit. Studime të kohëve të fundit, që konsiderojnë sisteme shëndetësore që aplikojnë trajtimet më bashkëkohore, e çojnë këtë të dhënë në rreth 35%. Përkundrejt këtyre rezultateve në mbijetesë, duhet konsideruar dhe fakti që kura veç qëllimit shërues, ka dhe vlera të pamohueshme në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientit me kancer, në rritjen e jetëgjatësisë etj., dhe për pasojë, duhet konsideruar absolutisht me shumë seriozitet.
Cilat janë mënyrat e kurimit që ka mjeku sot për të trajtuar këtë sëmundje?
Në varësi të stadit të avancimit të sëmundjes, këshillohet dhe protokolli i trajtimit. Pjesa më e madhe e rasteve i drejtohen fillimisht kirurgjisë, që parashikon heqjen e një pjese apo të gjithë stomakut dhe të atyre indeve që mendohet se janë ose mund të jenë prekur nga qelizat tumorale. Pasi mbi indet e hequra nga kirurgu bëhet analiza definitive e biopsisë, pacienti i drejtohet onkologut, që përcakton trajtimin e mëtejshëm dhe ndjekjen e ecurisë së pacientit. Ky trajtim konsiston zakonisht në kombinime ilaçesh kimioterapie, ndërsa ndjekja konsiston në ekzaminime të ndryshme me qëllim vrojtimin e ecurisë dhe trajtime që mund të jenë të nevojshme më pas.
Pacientët e diagnostikuar me këtë sëmundje zakonisht paraqiten në spital në stadet fillestare, apo në stadet e fundit?
Çka thashë më parë për simptomat në stade të ndryshme bën fatkeqësisht që pjesa më e madhe e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje të vijnë në vëmendjen e mjekut relativisht vonë. Kjo është dhe arsyeja themelore e rezultateve të varfra në shërimin e këtyre pacientëve. Është shumë e rrallë që të hasësh në pacient me kancer të stomakut në stad të parë. Arrijnë shumë shpesh diçka të tillë vende të veçanta, si për shembull, Japonia, të cilët kanë zhvilluar një sistem vrojtimi shumë efikas dhe të shtrirë në të gjithë popullatën, pikërisht ndaj kësaj sëmundjeje. Duhet thënë edhe që ky sistem vrojtimi ka lindur si pasojë e një numri jashtëzakonisht të madh rastesh me kancer të stomakut që ka ky vend.
Çfarë mund ta ulë rrezikun për kancer në stomak? Si mund ta parandalojmë?
Dieta ushqimore ndoshta… Me siguri stili i jetesës shërben si akt për uljen e probabilitetit të prekjes nga kanceri i stomakut. Shërbejnë për këtë evitimi i atyre që më parë përmendëm si faktorë risku dhe përdorimi i gjerë i elementeve tashmë botërisht të njohur si pozitivë të dietës mesdhetare. Por do të vendosja një theks të veçantë në kujdesin që lidhet me këshillimin me mjekun. Parandalimi është i rëndësishëm, por në sëmundjet tumorale është jashtëzakonisht e rëndësishme diagnoza në faza sa më fillestare. Qëndron pikërisht aty çelësi i një mjekimi të suksesshëm. Mendoj që zakonisht ka një tendencë për të nënvlerësuar shqetësimet e përgjithshme, si dhimbja e barkut, neveria për ushqimin, lodhja apo zbehja, duke u vetëtrajtuar gjatë me medikamente qetësuese. Ndodh jo rrallë që të hasësh pacientë që me muaj të tërë mbartin shenja të qarta të sëmundjes dhe që nuk kanë shkuar asnjëherë te mjeku. Kontrolli nuk shërben vetëm për të diagnostikuar kancerin, por dhe për të zbuluar e kuruar në kohë ato sëmundje që kancerin mund ta sjellin pas disa vitesh. Një tjetër “legjendë” është sikleti i sondës. Me siguri gastroskopia është një ekzaminim që mbart një bezdi, por eksperienca më bën t’ju them që pjesa më e madhe e pacientëve që e bëjnë thonë që nuk qe aq e vështirë sa e imagjinonin. Ndërkohë që sot ekziston dhe mundësia që të realizohet në gjumë të plotë, ku niveli i bezdisë është thuajse zero. Kur mendoj sa do ndihmonte një diagnozë e hershme në raport me “bezdinë” e gastroskopisë, mund të them me plot gojën që do duhet të bëhen shumë, shumë më tepër endoskopi nga sa ç’realizohen sot.
Doktor Dibra, ju keni mbrojtur doktoraturën në Robotikë dhe Teknologji të avancuara në Romë, disa vite më parë. Sot shumë spitale në botë po aplikojnë metoda moderne të ndërhyrjeve kirurgjikale me teknologji të avancuar (pa çarje dhe bisturi). Po spitalet tona sa i kanë adaptuar këto metoda?
Në fakt, ndonëse studimet doktorale më kanë hapur sytë dhe mundësinë për të njohur botën e teknologjive të avancuara të aplikuara në kirurgji, një botë me të vërtetë emocionuese, fatkeqësisht, vetëm pak gjëra prej tyre arrij sot të vë në jetë në profesionin tim në Shqipëri. Duhet thënë që, si çdo risi, teknologjia e avancuar mjekësore ka kosto shumë të larta dhe nevojë për investime serioze si në mjete, ashtu dhe në njerëz. Më duket se për momentin jemi akoma shumë larg. Teknologjia e avancuar sot në kirurgjinë e përgjithshme ndodhet në stadin e përdorimit shumë të kufizuar të kirurgjisë laparoskopike në një numër shumë të vogël sëmundjesh dhe në aplikimin e pak teknikave kirurgjikale të endoskopisë fleksibël gjithashtu të kufizuara. Do doja të nënvizoja faktin që pjesa më e madhe e këtyre bëhen të mundura nga impenjimi dhe investimi personal për t’u specializuar i mjekëve që i aplikojnë me një kontribut disi modest në këtë drejtim të shtetit. Shpesh është një kontribut që mbetet në harresë.
Duke qenë se po flasim për stomakun, çfarë metodash aplikohen në QSUT për ekzaminimin dhe trajtimin e tumoreve të stomakut?
Në QSUT aktualisht aplikohen të plota të gjitha fazat diagnostikuese të sëmundjes tumorale të stomakut. Realizohen në rutinë ekzaminimet endoskopike, bioptike, radiologjia e plotë dhe ekzaminimi laboratorik. Trajtimi kirurgjikal gjithashtu realizohet në cilësi bashkëkohore në kirurgji tradicionale, ndërkohë që nuk aplikohen për këtë sëmundje metodat mini invazive (operacioni nëpërmjet sondave pa hapje të një plage të madhe në bark). Realizohen gjithashtu kurat onkologjike, që parashikojnë protokollet tona për këtë sëmundje. Sëmundjet tumorale janë te ne, por dhe kudo në botë një sfidë që ka nevojë për zhvillime dhe përmirësime të vazhdueshme./Panorama/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.