Ky emocion po nuk u menaxhua mirë, gjymton direkt ndjeshmërinë dhe identitetin e njeriut në përgjithësi dhe të fëmijës në veçanti. Kujdes prindër, edukatorë, mësues, të rritur në përgjithësi, kur i drejtoheni fëmijës me shprehjet: “turp të kesh” apo “s’ke turp”.
Nga Lira GJIKA, psikologe
Shkencëtarët që merren me studimin e pasojave të turpit dhe të ndjenjës së fajit, pasi këto dy ndjesi janë shumë të lidhura bashkë, e përcaktojnë gjëndjen që përjeton fëmija, si çbërje e deri vdekje e figurës prindërore në veçanti dhe zbehje e figurës së të rriturit si model. Kur fëmija përballet me një prind të ashpër, educator dhe mësues po ashtu të ashpër, kërcënues dhe etiketues, që për çdo veprim e gjykon fëmijën, automatikisht aktivizohet ndjenja e turpin i cili “tërheq” me vete dhe ndjenjën e fajit. Këto dy ndjenja të gërshetuara sëbashku bëjnë që fëmija të ndihet i vetëm dhe i tmerruar nga përballja me flakjen që prindi pa e ditur provokon me sjelljen e tij dhe po ashtu edhe edukatorja apo mësuesit, Fëmija i pushtuar nga frika dhe parrugëzgjidhje, pasi prindërit, në veçanti dhe mësuesit e edukatorët më pas, për të janë ekzistenca e tij, pëson një gjëndje të barabartë me ngrirjen. Kujdes prindër, kujdes edukatorë, kujdes mësues, e mira nuk nxitet e zhvillohet duke kërcënuar e etiketuar, por me durim, butësi dhe duke gjetur fjalën e kohën e duhur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.