“Uaa ti nuk e di emrin tënd!”
Ka shumë të rritur që kur shohin një fëmijë me prindin e tij, pa u menduar e përjashtojnë prindin dhe i drejtohen direkt fëmijës: “Po ti, si e ke emrin?”. Kjo mënyrë është paedukatë sepse anashkalon prindin dhe e zhvleftëson atë, prindin, në sy të fëmijës.
Dhe e keqja vazhdon, prindi në vend që të ndërhyjë me takt dhe t’i thotë se e kanë mësuar fëmijën të mos i përgjigjet njerëzve që nuk i njeh, e lë vetëm fëmijën dhe bëhet palë me të rriturin që pyet dhe pa u menduar, e nxit fëmijën të thotë emrin. Fëmija hesht dhe struket pas prindit, por prindi këmbëngul më me ngulm edhe fizikisht që fëmija të tregojë emrin. Nuk mjafton kjo, por i rrituri tjetër plotëson kuadrin me shprehjen shumë “inteligjente”: “ Uaa, ti nuk e di emrin tënd!”.
Prindërve nuk u shkon ndër mënd se është detyra e tyre që të prezantojnë fëmijën tek të tjerët dhe se fëmija nuk mund ta bëjë këtë veprim, pasi nuk janë ndërtuar ende strukturat dhe mekanizmat psiqikë që realizojnë këtë proces. Prindi duhet ta bëjë prezantimin për dy arsye shumë të rëndësishme për fëmijën.
E para- për të mbrojtur fëmijën, për të fuqizuar sjelljen kur të jetë vetëm, të mos flasi me çdo të panjohur, por vetëm me ata që i prezantojnë prindërit.
Dhe, e dyta- për të rritur shkallën e vetëvlerësimit të fëmijës. Fjalët që do të përdori prindi për ta prezantuar tek të tjerët, janë konfirmim dhe rikonfirmim i vlerësimit që kanë prindërit për fëmijën e tyre.
Prindi ose zëvendësuesi i tij (kujdestari, edukatori, mësuesi) duhet të bëjë prezantimin, duke filluar nga emri dhe duke plotësuar me disa cilësi të fëmijës, si psh: se është një djalë ose vajzë shumë speciale, apo vajza e madhe apo e vogël se është e mënçur e fjalë të tjera, të cilat e bëjnë fëmijën të ndihet mirë dhe i vlerësuar. Kjo mënyrë e siguron fëmijën se prindërit e kanë të çmuar dhe ndihen krenarë për të. Janë pikërisht këto veprime “të vogla” që ndërtojnë, konfirmojnë dhe fuqizojnë vetëvlerësimin te fëmija, pa të cilën nuk mund të realizohet si individ dhe qytetar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.