Dëshmi

August 11, 2018 | 8:45

“Unë ia dola! As ju mos u dorëzoni!” Psikologia Valentina Telhaj rrëfehet një vit pas sprovës së jetës me kancerin

Nga Silvana Balliu

Quhet Valentina Telhaj, është e martuar, dhe Zoti e ka bekuar me dy djem. Valentina jeton dhe punon në Tiranë si psikologe dhe si terapiste, kryesisht me fëmijët e spektrit të çrregullimit autik.

fotoGjithçka shkonte mirë, deri kur një ditë, ajo e gjeti veten duke u përballur me sëmundjen e shekullit, kancerin. 

Tashmë Valentina gëzon shëndet të plotë dhe ia ka dalë mbanë, që përveçse të mposhtë sëmundjen, të ulë edhe kilogramët dhe të jetë plotësisht në formë.

Por, rruga deri këtu ka qenë e gjatë dhe e vështirë, e shoqëruar me dilema, me ankth, si dhe me terapinë përkatëse sigurisht.

Gjithçka, ka qenë e vështirë, por jo e pamundur dhe Valentina sot ka vendosur të ndajë me ne historinë e saj, si ajo i ka bërë ballë kësaj sëmundjeje të tmerrshme, si ka mundur të dalë nga demoralizimi, që herë pas here shoqërojnë të gjithë ata persona të prekur.

Valentina ka disa mesazhe për të na dhënë, e ndër më kryesoret, asnjëri prej nesh nuk është imun ndaj sëmundjeve malinje, ndaj të gjithë duhet të jemi solidar, e të mos e shikojmë vetëm si problemin e tjetrit, se një ditë, larg qoftë mund të jemi edhe ne apo të afërmit tanë në një situatë të tillë.

Me guximin e një gruaje të fortë, Valentina thotë që “Nuk është e rëndësishme se sa gjatë jetojmë, por se sa në mënyrë cilësore e kalojmë kohën sot”…

2

Valentina faleminderit që pranuat të jeni pjesë e “Super Shëndeti”. Ju keni pasur një shqetësim në jetë. Mund të na thoni, çfarë ndodhi me shëndetin tënd?

Po, para 1 viti afërsisht u diagnostikova me tumor.

Cilat ishin shenjat e para që vure re?

Kjo është e keqja e kësaj sëmundje që s’kisha shenja apo dhimbje konkrete. Kisha shtuar në peshë gradualisht, sidomos te pjesa abdonominale (barku). Kjo m’u duk pak e çuditshme, se unë dhe kur merrja peshë gjatë viteve të mia, nuk vija kurrë bark.

E kishe perimetrin e barkut më shumë se 87 cm?

Nuk e mata, thjesht ndjeja fryrje dhe rëndesë, sepse masa ishte rritur dhe peshonte, por aspak nuk ndjeja dhimbje.

Cila ishte diagnoza që të përcaktuan?

Tumor me përmasa 8,5 me 8,5.

Cilat organe të ishin prekur?

Ishte midis mitrës dhe vezoreve.

Si u ndjeve në momentin e parë, sapo e more vesh?

Të jem e sinqertë, nuk e prisja. Nuk e kisha menduar kurrë dhe më erdhi aq papritur sa kam ngel pa fjalë… Isha e qetë në dukje, por brenda meje vlonin 10000 pyetje, dyshime e shqetësime. Po tani? Fëmijët si do të reagojnë kur t’ua them? Është pyetja e parë automatike, pastaj sigurisht që nga prindërit, vëllezërit, motra e të gjithë ç’më rrethonin, sepse bashkëshorti ishte aty, e dëgjoi vetë në momentin e diagnozës, ata nuk ishin…

3Çfarë terapie ndoqe?

Bëra ndërhyrje kirurgjikale me mjekë grekë dhe hoqa masën me laparoskopi, në një spital privat, këtu në Tiranë.

A ishte e kushtueshme? Apo e përballueshme për një familje shqiptare?

Ishte një kosto jo lehtë e përballueshme, sidomos kur bëhet fjalë që të ardhurat janë nga rroga dhe jo nga ndonjë biznes fitimprurës, por kur bëhet fjalë për shëndetin, njeriu nga halli bën çmos, sado e shtrenjtë të jetë kostoja financiare.

A fillove të bëhesh kërkuese, të lexosh për sëmundjen? A i bëre terapi vetes, duke lexuar për rastet e VIP-ave, që e kanë mundur sëmundjet malinje, siç është rasti i Angeline Jolie apo Michael Douglas?

Ajo që bëra ishte, të mbushja ditën me shumë gjëra, madje dhe me gjëra “të lëna pas dore”. Nuk doja të mendoja fare për sëmundjen, por mendoja se si ta përballoja sa më mirë këtë të keqe, kaloja edhe më shumë kohë me fëmijët, flisja pak ose aspak për sëmundjen dhe merresha me gjithçka tjetër. Nuk lexoja në web, sepse burimet nga ku i marrim informacionet jo gjithmonë janë cilësore, të besueshme dhe më shumë të bëjnë konfuze. Flisja për çdo gjë me mjekun, që të isha e qartë për çdo detaj, sepse ai është specialist për këtë punë mendoja! Këtu më kujtoheshin rastet kur në klinikën time vinin pacientë me simptoma të caktuara (ankthi, stresi, depresioni) të “vetëdiagnostikuar”, sepse ata e kishin lexuar, p.sh: që po nuk ke gjumë dhe s’të dilet më me shokët/shoqet je me depresion, ndërkohe që ajo mund të ishte thjeshtë një gjendje a situatë e disa ditëve, që po kalonte disa problematika dhe asgjë më shumë. Pacienti më shumë shqetësohet, duke hulumtuar vetë dhe më i qartë bëhet kur flet me profesionistin në fushën e caktuar.

Zakonisht personat e prekur nuk duan të flasin për sëmundjen, ndërsa ti ke zgjedhur të kundërtën. Se kjo mund t’i ndodhë të gjithëve, askush nuk është imun. Pra, a duhet të flasim pa turp për sëmundjen, apo duhet ta fshehim?

Unë zgjodha të flas edhe atëherë, edhe tani që e kam kaluar, sepse nëse s’do të flisja, atëherë ndoshta nuk do ta kaloja aq mirë dhe nuk do të përcillja mesazh të fortë, inkurajues as tani. “Çelësi” i suksesit për ta kaluar dhe përballuar sa më mirë, sigurisht që është psikoterapia. Gjendja shpirtërore emocionale kur është e qetë, e stabilizuar, sëmundja “luftohet” më kollaj, se sa kur jemi tepër të stresuar, të axhituar, të alarmuar… Mund të duket sikur bie në kontraditë, por unë jetova, duke e mbushur kohën dhe as nuk flisja, as mendoja gjatë gjithë kohës për sëmundjen, por as nuk e fsheha për asnjë moment.

1A mendon se shkaktar ishte stresi, ushqimi, apo geni?

Shkaktarë për çdo sëmundje e vërtetuar edhe shkencërisht është genetika, por me sa di unë (por dhe nga sa kam pyetur prindërit) askush nga familja ime apo të afërmit e mi nuk e ka pasur këtë sëmundje. Unë i besoj hipotezave të tjera, të faktorëve ambientalë, që ndikojnë si eksogjen në indogjenin tonë në mënyrë të tërthortë, por dhe drejtpërdrejtë. Pra, e thënë thjesht, të gjitha ndikojnë.

Të shoh energjike, plot jetë dhe je një shembull për t’u ndjekur. Por a ke një mesazh për ata që përballen me këtë sëmundje?

Mos u dorëzoni asnjë sekondë, qani nëse ju vjen për të qarë, shkarkojeni si emocion mërzinë, sepse dhe ajo është pjesë e jona, por luftoni në çdo sekondë. Sido që të shkojë puna, rëndësi ka që ne ta bëjmë punën apo përpjekjen tonë e të jetuarit cilësinë e kohës/viteve, ditëve, minutave… Është e rëndësishme cilësia e jetës, sesa sasia e viteve që jetojmë. Duam modele vajzash, grash, djemsh dhe burrash që të thonë “edhe unë ia dola” si ata modelet VIP që ju përmendët më lart (aktore etj).

A mendon se dashuria, “plus” një ushqyerje e mirë janë çelës suksesi?

Janë të gjitha, dashuria për veten për të tjerët, dashuria për kafshët, bimët, janë ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik dhe kujdesi për shëndetin mendor, që sjellin këndvështrime pozitive te ne, që janë faktorë suksesi, pa diskutim, sepse burojnë nga “burimi” i mendimit pozitiv dhe nga ky burim veç te mira vijnë.

Burimi http://supershendeti.com/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top