Depresioni dhe ankthi nuk janë sinonim i dobësisë. Ato nuk janë as pasojë e një zgjedhjeje personale, nuk mund të vendosim nëse duam apo nuk duam që të na shoqërojnë në jetën tonë.
“Unë kisha një qen të zi. Emri i tij ishte Depresioni” është një film edukativ i shkurtër, i krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, i cili synon të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë do të thotë në të vërtetë depresioni për ata që vuajnë prej tij. Është gjithmonë e rëndësishme të theksohet se depresioni nuk është një zgjedhje dhe se, prandaj, duhet të punojmë për të shmangur etiketimet dhe paragjykimet që e shoqërojnë atë.
Një film i shkurtër që bëri xhiron e botës
“Unë kisha një qen të zi. Emri i tij ishte Depresioni” është një film me metrazh të shkurtër që në dy vitet e fundit, që kur u publikua në internet, ka udhëtuar nëpër botë. Që atëherë, psikologët dhe specialistët e tjerë të shëndetit mendor kanë filluar ta përdorin këtë video për të ilustruar dhe përfaqësuar depresionin.
Duhet të specifikojmë se metafora e qenit të zi që përfaqëson depresionin i referohet një fraze të famshme që Winston Churchill përdori për të përshkruar melankolinë e tij. Ky politikan britanik me ndikim, i cili luftoi shpesh dhe me krenari nazizmin, shprehej se, shumë shpesh, e gjente veten të burgosur të depresionit, një bishë që e shoqëroi gjatë gjithë jetës së tij dhe që e pushtoi në vitet e fundit para vdekjes. Një qen, ulërimat e vajtueshme të të cilit mundojnë mendjet e atyre që i dëgjojnë, duke ia nënshtruar jetën e tyre ankthit, rëndimit dhe apatisë.
Kur qartësia bëhet dhimbje dhe errësirë
Depresioni nuk është një zgjedhje, as një shenjë dobësie. Nuk ka njeri që mund të zgjedhë ta pranojë këtë fjali apo jo. Nuk funksionon kështu dhe ne nuk kemi një çelës që mund të ndezë aftësinë tonë për t’u ndjerë mirë apo keq. Për këtë arsye, mund t’i ndodhë kujtdo. Një ditë, papritur, asgjë nuk ka më kuptim për ne. Nuk ka asgjë që na shtyn përpara, që na motivon ose që na bën të vlejmë të ngrihemi nga shtrati. Qeni i zi fillon të bëhet gjithnjë e më i madh, duke na bërë të ndihemi thellësisht të trishtuar dhe nervozë.
Prania e tij na lodh dhe na lodh, ankthi na pushton dhe rrethanat na mposhtin, duke ushqyer qenin tonë të zi pa forcë dhe pa dëshirë. Ndonjëherë ne jemi më të vetëdijshëm për praninë e kësaj kafshe, por ekziston edhe mundësia që, herë pas here, të na japë një moment për të marrë frymë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se është zhdukur.
Paqëndrueshmëria është specialiteti i tij, i cili nxit izolimin social dhe emocional. Kur jemi të shoqëruar nga qeni i zi, ne përfundojmë të kemi ndjenjën se nuk e meritojmë shoqërinë e njerëzve përreth nesh ose se nuk jemi në gjendje t’u japim atyre atë që kanë nevojë. Është normale të fillosh ta shohësh qenin e zi kur të duhet të përballesh me një humbje emocionale, një ndryshim shumë të rëndësishëm në jetën tënde ose, thjesht, të shfaqet çdo ditë si pasojë e “kashtës që i theu shpinën devesë”.
Ka raste kur qeni i zi është më i rëndë dhe të tjera kur është më i trazuar, por të kesh sigurinë se do të jetë gjithmonë pranë nesh është mbytëse. Për këtë arsye, është e rëndësishme të konsultoheni me një specialist të shëndetit mendor, një psikolog ose një psikiatër, sepse ata mund të na ndihmojnë t’i japim koherencë emocionale ekzistencës sonë dhe pranisë së këtij qeni të zi.
Ka aq qen të zinj sa ka njerëz në botë, që do të thotë se askush nuk është jashtë rrezikut. Për këtë arsye, nëse nuk e kemi përjetuar kurrë depresionin drejtpërdrejt, duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur gjykojmë ose bëjmë komente kritike për njerëzit që vuajnë prej tij.
Nuk duhet të harrojmë kurrë se të gjitha insinuatat janë të rreme dhe të rrezikshme:
“Nëse je kështu, është faji yt”; “Hajde, ngrihu dhe bëj diçka me jetën tënde”; “Ti je i dobët”; “Je shumë i vjetër për këtë sjellje fëminore”; “Mos qaj, nuk është aq serioze”; “Ti je frikacak”; “Përballuni një herë e përgjithmonë me jetën dhe ndaluni me marrëzitë”…
Nëse vazhdojmë të kultivojmë stereotipe, ne kultivojmë gjithashtu idenë se kemi zgjedhur të vuajmë. Nuk ka kuptim ta mbushim mendjen me një dialog të brendshëm që shkatërron dhe përçmon emocionet dhe problemet tona. Qeni i zi ekziston dhe mbulon në errësirë mijëra njerëz në mbarë botën. Ne duhet ta kuptojmë këtë dhe të ofrojmë ndihmë, qoftë edhe thjesht duke përhapur informacione të dobishme përmes mediave si kjo.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.