Në një mbrëmje plot elegancë dhe emocion, stafi i pedagogëve dhe administratës së Universitetit “Luarasi” organizoi një festë të veçantë për të përmbyllur një vit të tërë pune e përpjekjesh, për arsimimin cilësor të brezit të ri. Kësaj feste në restorantin e ri dhe prestigjioz, Prestige Garden iu bashkua edhe stafi i Head Office.
Prestige Garden, ky vend i mrekullueshëm, i njohur për kuzhinën e tij delikate dhe unike, krijoi ambientin e përsosur për një natë të paharrueshme në prag të mbylljes së vitit 2024.
Me një fjalim të ngrohtë dhe frymëzues, drejtuesi i “Hysenbelliu Grup”, zoti Irfan Hysenbelliu mirëpriti pjesëmarrësit duke i falënderuar e vlerësuar ata për punën dhe përkushtimin e tyre.
“Luarasi çdo vit ka sukses dhe çdo vit ka përmirësime. Ka arritje, ka cilësi dhe njëkohësisht edhe shtim të degëve të ndryshme të fakulteteve. Është një nga universitetet më të rëndësishme në Shqipëri që ka ruajtur historinë, që prej Profesor Luarasit, i cili ka qenë një nga njerëzit më me ndikim dhe që krijoi këtë universitet. Ne i kemi ruajtur emrin dhe kemi vijuar ta ngrejmë më tej. Vetë rektori që drejton Universitettin është një nga personalitetet e duhura me dije, aftësi, eksperiencë e mbi të gjitha me vizion. Zoti Ruka është një njeri që përcakton objektiva dhe i realizon ato”, u shpreh z. Hysenbelliu.
Presidenti i “Hysenbelliu Group” shpalosi vizionin e tij të qartë dhe ambicioz për vitin 2025, duke dhënë një dritë të re për të ardhmen.
“Një nga sukseset më të mëdha është që Luarasi fillon bashkëpunimin me “London School Economics”. Shqiptarët sot nuk kanë nevojë të ikin në Londër për të marrë diplomën, por mund ta marrin në Shqipëri. Kjo është një përpjekje shumë e madhe nga ana e drejtuesve të Universitetit “Luarasi”. Jam shumë krenar me ata që punojnë aty. Janë shumë të angazhuar, kanë një peshë shumë të madhe dhe janë të përgjegjshëm e kërkues. Janë objektivë dhe nuk tolerojnë në punën që bëjnë. Unë ndihem krenar për punën që ata bëjnë”, u shpreh z.Hysenbelliu.
Ai i uroi stafit të pedagogëve dhe studentëve të Universitetit “Luarasi” suksese edhe në vitin e ri që na pret.
“Të gjithë pedagogët, studentët, të gjithë ata që janë këtu apo mungojnë, të kenë sukseset më të mira për vitin 2025”, u shpreh ai.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, në kuadër të festave të fundvitit, rektori i universitetit z.Ethem Ruka uroi dhe falënderoi bashkëpunëtorët dhe miqtë për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre gjatë këtij rrugëtimi të suksesshëm akademik.
Festa ishte një gërshetim i mrekullueshëm i muzikës, ushqimit të shijshëm dhe shoqërisë së mirë. Një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë, ku çdo detaj ishte i menduar për të sjellë së bashku komunitetin dhe për të festuar arritjet e këtij viti që po mbyllet dhe dhe planet për të ardhmen.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.