Lifestyle

August 29, 2018 | 8:15

Urban Walking, jo vetëm një ‘shëtitje’ e thjeshtë!

Gjithmonë e më shumë njerëz, të të gjitha moshave, takohen për të ecur me hap të shpejtë në parqet e qytetit…

Një mundësi më e vlefshme dhe argëtuese se sa palestra, urban walking (ecja urbane) ndihmon për të djegur kalori, përmirëson qëndrimin, stërvit grupe të ndryshme muskulore të trupit, përfshirë ato të kraharorit e të shpatullave, duke i tonifikuar ato. Për të marrë pjesë në këtë aktivitet nuk nevojitet ndonjë pajisje e veçantë, mjaftojnë atletet e duhura – ato të vrapit janë shumë të mira. Hapi duhet të jetë i shpejtë, por jo aq i shpejtë sa t’ju merret fryma; krahët duhet të lëvizin në koordinim me të ecurën.

Përmirëson qarkullimin

Shëtitjet nga një lagje në tjetrën, për të vizituar vende të reja apo për të zbuluar këndet e fshehura të qytetit tuaj, janë ideale për të favorizuar qarkullimin. Zemra pompon gjak, e dimë mirë, por kur thembra mbështetet në tokë gjatë ecjes, funksionon si një lloj pompe, duke e ndihmuar gjakun të ngjitet drejt zemrës. Kjo gjimnastikë e qarkullimit të gjakut, ndihmon për të larguar ënjtjen dhe grumbullimin e lëngjeve të tepërta. E rëndësishme është të bëni një aktivitet fizik për 30 minuta rresht. Për shembull, duke lëvizur nga një vend në tjetrin, duke mos ndalur në rrugë as për të parë vitrinat e dyqaneve… Përveç se aktivizon qarkullimin e këmbëve, ecja duke lëvizur krahët është më e efektshme se sa shëtitja tradicionale, sepse stërvitet edhe pjesa e sipërme e trupit, duke bërë të mundur tonifikimin e krahëve dhe të pjesës abdominale. Në këtë mënyrë përmirësohet rezistenca e aparatit të frymëmarrjes.

Përmirëson çlodhjen dhe humorin e mirë

Ecja shton prodhimin e serotoninës, hormonit që ndikon pozitivisht ritmin gjumë-zgjim dhe përmirëson cilësinë e pushimit. Eskpertët e yoga-s sugjerojnë se shëtitja duhet bërë duke shoqëruar hapat me tre marrje frymë dhe dy nxjerrje fryme. Në këtë mënyrë ndodh një ngarkim oksigjeni edhe në nivelin cerebral: kjo gjë stimulon neurogjenezën, krijimin e neuroneve të rinj në strukturën e trurit ku lindin aktivitetet e të menduarit, aftësia e të mësuarit dhe memoria afatgjatë. Ecja favorizon edhe një rritje të përqendrimit të endorfinave, molekulave të gëzimit, që funksionojnë si anti-ankth, si ekuilibrues dhe analgjezikë natyralë, të cilët ulin perceptimin e dhimbjes.

Në fund, shtimi i endorfinave përmirëson aftësinë për të lexuar ndjenjat, duke filluar që nga lëvizja e fytyrës: molekulat e gëzimit na ndihmojnë të interpretojmë pozitivisht shprehitë dhe fjalët e njerëzve që janë rreth nesh, duke zbuluar kënaqësinë e një komunikimi më të lumtur. Rritja e rezistencës fizike e psikike ndaj lodhjes, e aktivizuar nga urban walking gjeneron më shumë besim në vetvete dhe një vetëvlerësim më të madh.

Forcon kockat

Është e vërtetuar shkencërisht se ecja për 20 minuta katër herë në javë rrit densitetin kockor, duke ulur rrezikun e osteoporozës me 4%. Nëse kockat nuk janë të rrezikuara patologjikisht ose ndaj proceseve inflamatore, ecja urbane është e nevojshme edhe për të forcuar ligamentet dhe kërcet. Pas moshës 20-vjeçare trupi fillon të pakësojë prodhimin e hormonit të rritjes (HGH), por një aktivitet fizik i lehtë, siç është urban walking, ngadalëson procesin e plakjes.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top