Nëse ëndërron të fitosh llotarinë, të të rritet rroga apo të gjesh dashurinë e jetës bën mirë të mos i snoboni fasulet, rrushin apo gicin në natën e ndërrimit të viteve. Viti i Ri është koha kur ne i vëmë kapakun disa gjërave dhe hapim dyert për të renë. Në shumë vende të botës, për superticion ose jo, ka një listë me ushqime që shërbejnë si ogur i mirë.
Në Shqipëri nuk kemi një traditë supersticioni për ushqimin, por një rit e kemi. Nëse personi i parë që hyn në shtëpi pas ndërrimit të viteve, është një djalë i vogël, familja do të ketë mbarësi për vitin e ri. Pavarësisht nëse besoni ose jo, mund të gjeni një ushqim të preferuar në këtë listë ushqimet me fat. Dhe nëse fati nuk ju troket në derë, të paktën natën e ndërrimit të viteve nuk do ta kaloni me stomakun bosh.
Rrushi
Spanjollët konsumojnë 12 kokrra rrush para mesnatës- një kokërr rrush për çdo sekondë. Kjo traditë daton që në vitin 1909, kur vreshtarët e zonës Alicante ne Spanjë e nisën këtë praktikë pas një viti të bollshëm me rrush. Idea ngjiti aq shumë sa u shpërnda dhe në Portugali, po ashtu dhe në ish kolonitë spanjolle dhe portugeze si në Venezuelë, Kubë, Meksikë dhe Peru. Çdo kokërr rrushi përfaqëson një muaj, kështu nëse kokrra e tretë përshembull iu rastis e thartë, marsi mund të jetë një muaj i vështirë. Për pjesën më të madhe, synimi është që të gjithë kokrrat e rrushit të konsumohen në më pak se 12 sekonda, para se akrepat të shënojnë orën 00.00, por Peruanët këmbëngulin që të konsumohet edhe kokrra e 13-të, që të jenë brenda.
Jeshillëqe për të thirrur paranë
Jeshillëqet, duke përfshirë këtu jo vetëm sallatën jeshile, rukolën por dhe lakrën konsumohen në shumë vende në natën e Vitit të Ri për një arsye të thjeshtë-gjethet e tyre jeshile duken si para të palosura, ndaj dhe janë simbol i prosperitetit ekonomik. Danezët përshembull gatuajnë një lloj lakre (kale) me sheqer dhe kanellë, Gjermanët konsumojnë sauerkraut (lakër) ndërsa në Amerikën jugore konsumohet collards, një tjetër varietet lakre. Besohet se sa më shumë jeshillqe të konsumohen aq më i madh do të jetë fati që do ta shoqërojë personin në Vitin e Ri.
Bishtajore
E kush mund ta mendonte që bishtajoret, duke përfshirë këtu fasulet, bizelet dhe thjerrëzat janë gjithashtu simbol i parasë. Kokrrat e tyre ngjasojnë disi me monedhat dhe kur gatuhen fryhen, duke na dhënë idenë e një rritje financiare. Në Itali përshembull është e traditës të konsumohet salçiçe me thjerrëza sapo kalon mesnata. Ky është një ushqim fatsjellës, duke qenë se dhe mishi i derrit lidhet më fatin. Gjermanët gjithashtu kombinojnë bishtajorët me mishin e derrit, zakonisht konsumojnë thjerrëza apo supë me bizele me salçiçe. Në Brazil, vakti i parë i Vitit të Ri është zakonisht supë me thjerrëza apo thjerrëza dhe oriz dhe në Japoni, osechi-ryori, ushqimet tradicionale që duhet të konsumohen në tre ditët e Vitit të Ri përfshijnë fasule të zeza të quajtura kuro-mame.Në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është traditë konsumumi i fasules së bardhë me pikë të zezë. Gjithçka daton në periudhën e Luftës Civile, ku qyteti Vicksburg, në Misisipi mbeti pa ushqim dhe rezidentët e tij zbuluan fasulet me pikë të zezë dhe bishtajoret, të cilat që nga ai moment u konsideruan fatsjellëse.
Mish derri
Zakoni i të ngrënit mish derri në Vitin e Ri bazohet në idenë që derri simbolizon progres. Mishi i derrit të pjekur shërbehet për Vitin e Ri në Kubë, Spanjë, Portugali, Hungari dhe Austri, ku këta të fundit madje dhe e dekorojnë tavolinën me gicë të bërë me brumë. Pjata të ndryshme të derrit, si këmba e derrit shijohet në Suedi, ndërkohë që gjermanët konsumojnë derrin e pjekur dhe salçiçe. Derri gjithashtu konsumohet në Itali dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vlerësohet si ushqimi i mirëqenies.
Peshku
Peshku është një zgjedhje mëse llogjike për natën e ndërrimit të viteve. Madje thuhet se merluci ka qenë popullor që në mesjetë. Në shumë vende ai krahasohet dhe me gjelin e detit të Krishtlindjeve. Arsyeja? Shumë kohë para se frigoriferi dhe transporti urban të ekzistonin, merluci mund të rezervohej dhe të transportohej duke bërë të mundur që të shkonte deri në Mesdhe apo akoma më larg në Afrikën Veriore dhe në Karaibe. Besohet se politikat e Kishës Katolike kundra përdorimit të mishit të kuq në festat fetare, ka ndihmuar që merluci dhe lloje të tjera të peshkut të bëhen më popullorë në festa. Danezët konsumojnë merluc të zier, ndërkohë që në Itali, baccalà, ose merluci i tharë i kriposur shijohet që nga Krishtlindjet deri në Vitin e Ri. Gjermanët gjithashtu shijojnë krapin, që gjithashtu konsiderohet si fatsjellës. Ndërkohë që në Japoni konsumohen karkalecat për jetë të gjatë dhe sardele të thara për të korra të mbara.
Embëlsira të ndryshme
Keku dhe ëmbëlsira të ndryshme janë tipike për festat e fund vitit në të gjithë botën, kryesisht në formë të rrumbullakët ose unaze. Polonia, Hungaria dhe Hollanda konsumojnë kryesisht petulla, të mbushura me mollë dhe krem. Në disa vende të tjera, është e traditës që të fshihet një monedhë ose një shënim ku ka një urim. Në Suedi dhe Norvegji fshehin një bajame në pudingun e orizit si shenjë mbarësie. Po përveç kekut, në Skoci ashtu si dhe në Shqipëri është tradita e personit të parë që shkel pragun e derës, në mënyrë të veçantë nëse është një djalë i vogël.
Çfarë nuk duhet të konsumoni?
Përpos ushqimeve fatsjellëse janë dhe disa që duhet të evitohen. Njëra prej tyre përshembull është dhe arragosta. Duke qenë se ajo ecën mbrapsh mund të simbolizojë këtë qëndrim në vend. Pula gjithashtu nuk është e këshillueshme, pasi simbolizon keqardhje. Një tjetër teori sugjeron që të mos konsumohet asgjë me krahë, pasi fati i mirë mund të fluturojë tutje. Tani që e dini se çfarë të hani, duhet të bëni kujdes dhe me një gjë të fundit. Në Gjermani përshembull, është traditë që të lihet diçka në pjatë edhe pas mesnatës për të garantuar ushqim të bollshëm edhe në Vitin e Ri. Po ashtu edhe në Filipine është e rëndësishme që të keni ushqim në tavolinë në mesnatë? Konkluzioni? Konsumoni sa më shumë ushqim që të mundeni, thjesht mos u bëni tahmaqarë, se përndryshe vendi i parë ku do të shkoni në Vitin e Ri do të jetë palestra.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.