Hapat e para të mirëqenies së lëkurës suaj nisin nga një ushqyerje e shëndetshme. Duke ngrënë në mënyrë korrekte dhe u marrë rregullisht me aktivitet fizik, mund të arrini rezultate fantastike si në lëkurë, ashtu edhe në peshë. Një pamje e kënaqshme, ju bën të ndiheni akoma më mirë. Kur dëshironi flokë plot shkëlqim, thonj të fortë dhe lëkurë të shëndetshme, ajo çka ju nevojitet është ushqimi i pasur me elementë të rëndësishëm për këto struktura të trupit tuaj…
HANI YNDYRNA TË SHËNDETSHME
Pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë se eliminimi total i yndyrave nga dieta e tyre është shumë i dobishëm, por trupat e shëndetshëm kanë nevojë për yndyra të shëndetshme. Gjithashtu, lëkura ka nevojë për acide yndyrore thelbësore, siç janë omega-3 dhe omega-6. Këto yndyra janë blloqe ndërtuese të membranave qelizore, të cilat marrin pjesë në prodhimin e yndyrës natyrale me funksion barriere, që shërben për ta mbajtur lëkurën të hidratuar, të lëmuar dhe në dukje më të re. Yndyrat thelbësore gjenden në produkte të tilla si: salmoni, arrat, bajamet, vezët e ziera, mishi i pulës, vaji i ullirit.
SHIJONI VERËN E KUQE
Pini verën e kuqe, pasi një gotë verë në ditë për femrat (2 gota për meshkujt) kanë efekte shumë të mira kundër plakjes së lëkurës. Vera e kuqe ka një përqendrim të lartë antioksidantësh që quhen polifenole, përfshirë këtu dhe resveratrolin, të cilat ndihmojnë në frenimin e sëmundjeve të ndryshme dhe plakjen e lëkurës.
HANI MË SHUMË SUPERFRUTA
Ju e keni dëgjuar shpesh shprehjen “ju jeni çfarë hani”, por ajo çka nuk dëgjoni shpesh është “ushqimi juaj është trajtimi i lëkurës suaj”. Frutat janë një burim i rëndësishëm i elementëve antioksidues që veprojnë kundrejt plakjes. Çdo sekondë, trupi ynë ekspozohet ndaj radikaleve të lira, të cilat kontribuojnë në plakjen e lëkurës. Frutat janë të pasura me fibra, vitamina, minerale dhe ushqyes të tjerë, të cilët ndihmojnë për të jetuar më gjatë, për një pamje më të bukur, madje dhe të parandalojnë sëmundje. Luleshtrydhet, boronicat, manaferrat, kivi, mollët, bananet dhe qershitë janë disa prej tyre. Pra, sigurohuni që ta keni kuzhinën plot me to dhe trajtojini sikur të ishin karamele, të cilat nuk do të ngurronit t’i konsumonit çdo sekondë.
ÇAJ NË VEND TË KAFES
Të gjithë e nisim ditën me një kafe. Është një pije që jep energji shtesë kur keni nevojë. Por, a e dini që kafja nuk vepron shumë në favor të lëkurës? Pushimi është thelbësor për lëkurë të shëndetshme dhe, sa më shumë pa gjumë që rrini, aq më keq duket lëkura juaj. Kafja është dehidratuese, dhe nëse zgjidhni të konsumoni më shumë kafe se ujë, jeni duke bërë më shumë dëm se sa mirë. Kështu që do të ishte më e udhës ta zëvendësonit kafen me çaj. Çaji jeshil përmban 5-10% të kafeinës që gjendet në një filxhan kafe. Çaji është plot me polifenole të shëndetshme, të cilat jo vetëm mbrojnë qelizat me efektin e tyre antioksidant, por përmbajnë gjithashtu L-theaninë. Kjo substancë sjell një gjendje qetësie, duke çliruar dhe trurin nga stresi. Çaji jeshil është çaji më i njohur, por mund të konsumoni dhe çajrat e tjerë si: çaji i bardhë, çaji i zi apo ato me shije të ndryshme, të cilat mund të zëvendësojnë dëshirën tuaj për kafe.
LARGONI SHEQERIN NGA DIETA
Sheqeri bëhet i dëmshëm, duke vepruar nëpërmjet disa produkteve që vijnë nga degradimi i tij dhe ndikojnë në sintezën e kolagjenit dhe elastinës. Kur këto proteina bombardohen nga sheqernat, ato bëhen më të dobëta dhe rezultati pa dyshim është pasoja në lëkurë me shfaqjen e rrudhave, humbjen e elasticitetit dhe shkëlqimit. Sa më shumë produkte të degradimit të sheqerit të jenë të pranishme në një individ, aq më e lartë është predispozita për t’u bërë më i prekshëm nga faktorët ambientalë, si rrezet e diellit dhe tymi i cigares.
DOMATJA, ME EFEKTE TË SHKËLQYERA
Domatja është burim i një elementi të rëndësishëm për lëkurën, likopenit, i cili e ndihmon atë nga plakja. Duke konsumuar deri 200 gr. domate në ditë, lëkura juaj do të rinohet dhe do të ruajë elasticitetin dhe shkëlqimin e saj. Mund të aplikoni edhe maskat me domate në shtëpi, të cilat bëhen duke vendosur në fytyrë lëngun e domates për 10 minuta.
KOSI, PËR LËKURË PLOT JETË
Kosi përmban acid laktik, i cili është alfahidroksi acid i nevojshëm për të eliminuar qelizat e vdekura. Disa nga efektet e tij janë: hidratimi i lëkurës, parandalimi i plakjes së parakohshme, efekt antiinflamator, sidomos gjatë trajtimit të akneve, si dhe efekt qetësues pas djegies nga dielli, në sajë të zinkut që përmban.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.