Ushtrimet e rregullta gjatë dimrit mund të ndihmojnë në ruajtjen e niveleve të vitaminës D, sipas një studimi të ri të realizuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Më shumë se një në dhjetë të rritur në Britani vuajnë nga mungesa e vitaminës D – e njohur si “vitamina e diellit” – e cila është thelbësore për shëndetin e kockave, muskujve dhe sistemit imunitar.
Studimi u koordinua nga Universitetet e Bath, Kembrixhit dhe Birminghamit dhe përfshiu mbi 50 të rritur mbipeshë dhe obezë. Gjatë një programi 10-javor ushtrimesh në ambiente të mbyllura, pjesëmarrësit që ushtroheshin pësuan një rënie më të vogël në nivelet e vitaminës D krahasuar me ata që nuk ushtroheshin.
Detajet e studimit
Programi përfshinte katër seanca ushtrimesh në javë: dy shëtitje në pistë vrapimi, një xhiro të qëndrueshme me biçikletë dhe një seancë biçiklete me intervale me intensitet të lartë. Studimi u zhvillua nga tetori deri në prill, periudhë kur ekspozimi ndaj diellit është minimal.
Rezultatet treguan se pjesëmarrësit që ushtroheshin pësuan një rënie mesatare prej 15% në nivelet e përgjithshme të vitaminës D, krahasuar me 25% te grupi që nuk bënte ushtrime. Më e rëndësishmja, forma aktive e vitaminës D – e nevojshme për muskujt, kockat dhe imunitetin – mbeti e qëndrueshme tek ata që bënin ushtrime.
Komentet e ekspertëve
Dr. Oly Perkin, autori kryesor i studimit, tha: “Ky është studimi i parë që tregon se vetëm ushtrimet fizike mund të mbrojnë nga rënia e vitaminës D gjatë dimrit.” Ai theksoi se ushtrimet ofrojnë përfitime të shumta që suplementet nuk mund t’i ofrojnë. “Nëse jeni të shqetësuar për nivelet e vitaminës D në dimër, ushtrimet e rregullta javore janë një strategji efektive dhe e dobishme për shëndetin.”
Edhe profesori Dylan Thompson nga Universiteti i Bath u shpreh: “Ky studim tregon se ushtrimet fizike ofrojnë një përfitim të dyfishtë për vitaminën D, veçanërisht për personat mbipeshë ose obezë, te të cilët suplementet kanë më pak efekt.”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.