Jeta është një vazhdimësi zie. Me kalimin e kohës, ne ndahemi nga mjediset, kolegët, familja, miqtë dhe partnerët. Marrëdhëniet prishen, vendet braktisen, fazat përfundojnë. Dhe për pasojë, ndihemi të pikëlluar.
Disa nga këto përvoja mund të jenë të dhimbshme, por vdekja e një personi të dashur është deri tani më e vështira. Janë momente shumë të vështira, aq sa nuk dimë çfarë të bëjmë për të dalë nga kjo spirale dhimbjeje. Mos kërkoni asgjë, mos nxitoni për të gjetur zgjidhje dhe përgjigje. Nuk ka rregulla të shkruara se çfarë është e saktë të bëni kur humbni një lidhje të rëndësishme dhe intime. Si njerëz, ne kemi nevojë për kohë për t’u shëruar emocionalisht. Kjo është pikërisht një nga funksionet kryesore të zisë.
Disa njerëz rreth jush do të përpiqen të përcaktojnë se çfarë mund t’ju ndihmojë më shumë, madje edhe ju vetë mund t’i bëni presion vetes ose të jeni shumë konfuz. “Mos hyni në shtëpinë e tij”, “Duhet të shmangni kthimin në atë vend”, “Duhet t’i jepni gjërat e tij”, “Mos e torturoni veten duke parë fotot e tij”.
Vendosni vetë, mos i shmangni momentet ose situatat që mendoni se duhet të përjetoni, sepse kjo do të shkaktojë vuajtje më të mëdha në planin afatgjatë. Bëni dhe thoni gjithçka që duhet dhe dëshironi. Të jesh i gabuar në thënien e diçkaje nuk është dëm sikur të mos i thuash gjërat. Edhe nëse ju pushton dhimbja: vendosni vetë.
Ka vdekje që mund të kenë një ndikim më të madh se të tjerët, për shembull nëse mendojmë se mund të ishte shmangur, nëse besojmë se personi ka vuajtur, nëse na mungon informacioni i nevojshëm, nëse personi ka vdekur pas një sëmundje të gjatë ose ndoshta për shkak për mënyrën se si e morëm lajmin. Shumë njerëz thonë se ndihen më mirë në ditët e para sesa në muajt në vijim. Është një reagim krejtësisht normal dhe ka funksion mbrojtës. Gjendja fillestare e shokut është një mbrojtje mendore që na mbron nga dhimbja shkatërruese.
Ndonjëherë tronditja fillestare, brenda procesit të pikëllimit, pasohet me frikë, ankth, panik, agjitacion, zemërim, konfuzion. Të menduarit është kaotik, nuk mund të përqendrohemi në asgjë, nuk e kemi asimiluar ende atë që ka ndodhur dhe imagjinojmë se është një makth.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.